TAGS-AT E JAVËS

Kronike 6 Shkurt 2026, 19:29

U vra me hanxhar, kush është shqiptari që gjeti vdekjen në York të Britanisë; pistat ku po hetohet

Shkruar nga Pamfleti
U vra me hanxhar, kush është shqiptari që gjeti vdekjen në
Foto ilustruese

Një emigrant shqiptar mbeti viktimë e një vrasjeje me hanxhar në qytetin e York-ut, në Mbretërinë e Bashkuar. Rasti u trajtua në Gjykatën e Kurorës në Leeds, ku u paraqitën detaje mbi jetën dhe rrethanat e ngjarjes.

Viktima, Indrit Mustafaj, ishte larguar nga Shqipëria në moshë të re për të siguruar të ardhura për familjen e tij. Babai i tij vuante nga një sëmundje e rëndë dhe nuk ishte i aftë për punë, ndërsa ai synonte të mbështeste financiarisht prindërit dhe dy motrat.

Mustafaj kishte udhëtuar i vetëm drejt Anglisë dhe nuk ishte kthyer më në Shqipëri që nga dita e largimit. Sipas të dhënave të paraqitura në gjykatë, atij iu deshën rreth nëntë vite për të siguruar mjetet për një udhëtim kthimi, të cilin po e planifikonte, por u vra rreth një muaj para se të mbushte 27 vjeç.

Gjykata u informua se për të paktën një javë para ngjarjes, ai udhëtonte çdo ditë nga Bradfordi në York, ku qëndronte në një garsoniere në rrugën Vyner, pranë Haxby Road. Në këtë banesë, sipas dëshmive, ai merrte telefonata, ndërsa një grua dhe një burrë nga Yorku dilnin për të shpërndarë drogë në rrugë.

Sipas hetimit, Mustafaj mbante shpesh me vete një hanxhar, i cili ndodhej mbi shtrat në momentin kur dy persona hynë me forcë në banesë, të armatosur me një levë hekuri. Autorët përdorën hanxharin e gjetur në banesë për ta goditur për vdekje.

Michael Mulvana, 32 vjeç, dhe Jobie Tyers, 35 vjeç, u dënuan me burg për vrasjen. Drejtuesja e hetimeve deklaroi në gjykatë se viktima, sipas gjasave, e mbante hanxharin për vetëmbrojtje, duke nënvizuar rrezikun që mbart mbajtja e armëve të ftohta në situata të tilla.

Familja e Indrit Mustafajt kërkon drejtësi për humbjen e tij, ndërsa autoritetet theksuan në gjykatë pasojat e rënda që sjell përdorimi i armëve të ftohta, si për viktimat ashtu edhe për familjarët e tyre.

vrasje shqiptar

Lini një Përgjigje