Një 24-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Shkodër, pasi dyshohet se tentoi të grabiste filialin e Postës Shqiptare si dhe një market, ditën e djeshme.
Sipas të dhënave hetimore, dshohet se fillimisht ka tentuar të marrë para me dhunë në filialin e Postës Shqiptare në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me thikë. Gjatë largimit, ai ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.
Pak minuta më pas, i riu dyshohet se ka tentuar një tjetër grabitje në një market në lagjen “Fahri Ramadani”, sërish nën kërcënimin e mjetit prerës. Më pas, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër për t’u larguar.
Pas identifikimit, 24-vjeçari u gjet i fshehur në tavanin e banesës së tij, ku tentonte t’i shmangej arrestimit. Gjatë kontrollit, u sekuestruan dy biçikleta dhe rrobat e përdorura gjatë veprimeve penale.
"Tentoi të merrte me dhunë, nën kërcënimin e thikës, shuma parash në filialin e Postës Shqiptare dhe në një subjekt tregtar, Policia identifikon brenda pak orësh dhe vë në pranga autorin e dyshuar.
Sekuestrohen 2 biçikleta të vjedhura dhe disa nga rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së kësaj vepre penale.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe ndjekjes pa ndërprerje, të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Sektorin për Krimet e Rënda, me mbështetjen e forcës së posaçme “Shqiponja” dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër, në kuadër të operacionit policor të koduar “Reagimi”, u identifikua dhe u arrestua shtetasi:
Mikel Mhilli 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’ju shmangur Policisë.
Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare.
Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.
Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”.
Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.
Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, njofton policia.
Lini një Përgjigje