Gjatë operacionit u arrestuan katër shtetas shqiptarë dhe u plagosën gjashtë punonjës policie.
Autoritetet italiane kanë çmontuar një grup kriminal të dyshuar për një seri vjedhjesh në rajonet Kampania dhe Lazio.
Gjatë operacionit u arrestuan katër shtetas shqiptarë dhe u plagosën gjashtë punonjës policie.
Operacioni u zhvillua në zonat Cesa dhe San Marcellino, nën drejtimin e Prokurorisë së Santa Maria Capua Vetere në Caserta. Në terren morën pjesë rreth 100 efektivë policie.
Gjatë ekzekutimit të urdhrave të arrestit, një person u hodh nga kati i parë i një ndërtese mbi forcat e policisë, duke plagosur pesë prej tyre. Personi dyshohet se veproi për të ndihmuar arratisjen e një të afërmi, ndërsa pozicioni i tij po shqyrtohet nga prokuroria.
Një efektiv tjetër u plagos gjatë përplasjes me një nga të arrestuarit, i cili do të përballet edhe me akuzën e kundërshtimit të forcave të rendit.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi rreth 100 mijë euro para në cash, një automjet luksoz, sasi ari dhe bizhuterish me vlerë të përllogaritur rreth 1 milion euro, si dhe dy pistoleta automatike. U gjetën gjithashtu targa të falsifikuara, të cilat dyshohet se përdoreshin për grabitje dhe largime me shpejtësi të lartë.
Sipas hetimit, të arrestuarit vepronin në mënyrë të organizuar, me role të ndara dhe orare të rregullta. Ata kryenin vjedhje të shpejta, shpesh edhe në prani të pronarëve të banesave, dhe ndërronin automjete për të shmangur gjurmimin. Grupi dyshohet se realizoi dhjetëra vjedhje brenda pak muajsh, duke nisur nga fundi i vitit të kaluar.
Hetimi nisi pas një vjedhjeje në San Leucio dhe u zgjerua gradualisht në disa provinca të Italisë jugore, përfshirë Frosinonen.
Autoritetet vijojnë procedurat ligjore ndaj të arrestuarve dhe punojnë për identifikimin e pronarëve të sendeve të sekuestruara, me qëllim kthimin e tyre pas verifikimit të rasteve të vjedhjes.
Lini një Përgjigje