TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Shkurt 2026, 11:43

Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes për avokatin Ulian Bajrami

Shkruar nga Pamfleti
Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e çështjes për
Ulian Bajrami

Prokuroria e Tiranës ka depozituar kërkesën për pushimin e procedimit penal ndaj avokatit Ulian Bajrami, i arrestuar në tetor 2025 pas një incidenti në Gjykatën e Elbasanit.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Tiranës, kërkesa për pushim lidhet me procedimin penal nr. 7882, të regjistruar për veprat penale “kanosje për shkak të detyrës”, “kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit” dhe “kanosje e gjyqtarit”. Ngjarja për të cilën u ngritën akuzat ka ndodhur më 17 tetor 2025 në qytetin e Elbasanit.

Hetimi nisi pas arrestimit të avokatit Ulian Bajrami në ambientet e Gjykatës së Elbasanit, gjatë një seance gjyqësore. Policia e arrestoi në sallë me pretendimin se kishte kërcënuar një prokuror dhe kishte shfaqur sjellje që u cilësuan si kundërshtim i autoritetit gjyqësor.

Dy ditë pas arrestimit, Prokuroria vendosi lirimin e tij, duke argumentuar se nuk plotësoheshin kushtet ligjore për masë sigurimi më të rëndë. Hetimi vijoi në gjendje të lirë, deri në përfundimin se provat e administruara nuk mbështesnin elementët e veprave penale të ngritura fillimisht.

Kërkesa për pushim i është paraqitur gjykatës kompetente, e cila pritet të shprehet mbi mbylljen përfundimtare të çështjes.

Me këtë vendimmarrje, Prokuroria e Tiranës i jep fund një procedim që nisi me arrestim në flagrancë, por që nuk arriti të mbështetet me prova të mjaftueshme për vazhdimin e ndjekjes penale.

Në tetor të vitit të kaluar, një përplasje u regjistrua në seancën gjyqësore mes avokatit Ulian Bajrami dhe prokurorit Gjergji Ceka.

Avokati pretendonte se provat ndaj klientit të tij janë të rreme, ndërsa shtonte se do të merrej personalisht me prokurorin dhe do të ngrinte padi ndaj tij.

Më pas, gjyqtarja Megi Strakosha, tërhoqi vëmendjen ndaj gjuhës së pa tolerueshme të përdorur sipas saj në sallën e gjyqit, ndërsa ka paralajmëruar avokatin se nëse do të vijonte me të njëjtën retorikë do të përjashtohej dhe klientit të tij do t’i caktohej një avokat kryesisht.

Lini një Përgjigje