TAGS-AT E JAVËS

Kronike 7 Shkurt 2026, 11:12

Tragjedia e familjes Kola në Itali, nxënësit homazhe 15-vjeçares; prokuroria kërkon autopsinë

Shkruar nga Pamfleti

Tragjedia e familjes Kola në Itali, nxënësit homazhe

“Xhesika jeton përgjithmonë në zemrat tona, na mungon”, “Ti shkëlqen dhe do të shkëlqesh”. Me këto mesazhe, shokët e shkollës dhe miqtë i dhanë lamtumirën Xhesika Kolës, 15-vjeçares me origjinë shqiptare, e cila humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në Porcari, së bashku me babanë Arti, nënën Jonida dhe vëllanë Hajdar, si pasojë e një rrjedhjeje monoksidi karboni.

Xhesika ishte nxënëse e vitit të tretë në shkollën e mesme të Camiglianos, në njësinë administrative Capannori. Drejtoresha e shkollës Gloria Giuliani, iu drejtua komunitetit shkollor me një letër zyrtare, ku shprehu ngushëllimet e saj për humbjen e 4 anëtarëve të familjes.

Mbrëmjen e së enjtes, të rinj dhe prindër u mblodhën për homazhe spontane në kujtim të 15-vjeçares.

Ngjarja ka prekur edhe shkollën e mesme të Porcarit, ku ndjek mësimet kushëriri i Xhesikës dhe Hajdarit, djali i Durim Kolës, vëllait të Artit. Vetë Durim Kola ishte personi që mbrëmjen e së mërkurës hyri në banesë bashkë me karabinierët, në përpjekje për të shpëtuar familjen.

I shtruar në spital po atë mbrëmje për shkak të thithjes së monoksidit të karbonit, Durim Kola u kthye në shtëpi të enjten. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, por mbetet në gjendje të rëndë psikologjike. “Nuk arrita t’i shpëtoja”, u ka thënë personave të afërt.

Prokuroria e Luccas ka njoftuar se do të urdhërojë autopsinë e trupave, ndërsa banesa e familjes Kola mbetet nën sekuestro. Hetimet teknike janë në vijim dhe nuk përjashtohet një ekspertizë për kaldajën. Aktualisht nuk ka persona të regjistruar si të dyshuar, megjithëse është hapur një procedim penal për vrasje nga pakujdesia.

Paralelisht, autoritetet po rindërtojnë edhe ndërhyrjen e shërbimeve të emergjencës. Sipas të dhënave paraprake, ambulancat nuk arritën menjëherë në banesë për shkak të një adrese të pasaktë të komunikuar nga Hajdari gjatë telefonatës në numrin 112, në kushte konfuzioni.

Ipeshkvi i Luccas, Paolo Giulietti, reagoi publikisht për tragjedinë: “Është koha e zisë dhe e një heshtjeje që peshon si gur për të gjithë ata që kanë njohur Artin, bashkëshorten e tij Jonida dhe fëmijët e tyre Hajdar dhe Xhesikën e vogël. Atij që vuan nga kjo heshtje i them: mos lejoni që vdekja të ketë fjalën e fundit”.

Duke iu drejtuar veçanërisht të rinjve, ai shtoi se dashuria dhe miqësia që i bashkonte fëmijët e familjes Kola duhet të mbeten orientim për rrugën e jetës.

Lini një Përgjigje