TAGS-AT E JAVËS

Kronike16 Shkurt 2025, 09:12

Burrë dhe grua humbën jetën pasi u përplasën me një kamion në Lezhë- Shëngjin, flasin familjarët: Rruga pa sinjalistika, shteti të veprojë

Shkruar nga Pamfleti

Burrë dhe grua humbën jetën pasi u përplasën me

Familjarët e çiftit të bashkëshortëve që humbën jetën pasditen e 12 shkurtit në rrugën Lezhë-Shëngjin, u rikthyen në vendin ku ndodhi aksidenti tragjik.

Mes dhimbjes së madhe dhe lotëve ata vendosen kurorë me lule dhe ndezën qirinj në nder të viktimave, 33-vjeçarit Paulin Zefi dhe bashkëshortes së tij Zhaklina Hysa.

Familjarët e të ndjerëve kërkojnë që t’i kushtohet vëmendje këtij aksi rrugor, pasi mungesa e standardeve po sjell aksidente edhe me pasoja fatale për jetën.

Shqetësimi për degradimin e rrugës Lezhë-Shëngjin dhe mungesën e sinjalisitikës në këtë segment është ngritur edhe nga banorë të zonës.

Ata kërkojnë marrjen e masave dhe prezencë të shtuar të policisë, për të shmangur aksidentet në këtë rrugë e cila gjatë sezonit të verës është mjaft e frekuentuar.

"Këtu është rruga shumë e keqe. Ka zënë makina 5 vetë në lagjen tonë. Kemi bërë kërkesa, por nuk i kanë miratuar. Është shumë e rrezikshme edhe për ne. Makinat ecin me 150 edhe 180 në orë. Policë nuk ka këtu. Policët janë te ura, janë nën hije. Nuk dua të gjykoj kërrkënd, këtu nuk ka shtet o bab. Këtu shteti ka qenë i mbaruar, është i mbaruar. Duhet të jetë me standarde të tjera normal. Këtu është rruga drejt ecën me 180 kilometra në orë, shkon në atë kthesën edhe hyn në parcelën e huaj. Merr tjetrin para, prandaj që këtu nuk e di, të verë dorë shteti, ose të mbyllemi brenda mos të dalim hiç fare. Ose edhe kur të dalim jashtë, t’i japim shpisë dorën, që o kthehemi ose nuk kthehemi”, tha banori.

Paulin Zefi dhe bashkëshortja e tij Zhaklina Hysa humbën jetën, pasi automjeti me të cilin udhëtonin u përplas me një kamion.

Policia është në pritje të përgjigjes së aktit të ekspertimit për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e këtij aksidenti tragjik, por mungesa e standardeve në rrugë dhe sinjalistikës mbeten shqetësim në këtë segment me gjatësi 7 km.

 

Lini një Përgjigje