
Ai ka thënë gjithashtu se ka dalë nga betonierja dhe ka tentuar të hapë derën e makinës së viktimave, por nuk ka mundur dot pasi mjeti ka marrë menjëherë flakë.
Gjykata ka lënë në burg Aleksandër Krrashin, shoferin e betonieres në të cilën u përplas tragjikisht mjeti ku udhëtonin katër të rinj, që fatkeqësisht humbën jetën.
Ndaj 24-vjeçarit, prokuroria ka ngritur veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.
Togat e zeza caktuan masën “burg pa afat” për Aleksandër Krrashin. Gjithashtu u la në qeli edhe kushëriri i tij Valentin Krrashi për veprën penale përkrahje e autorit të krimit, pasi largoi 24-vjeçarin nga vendngjarja.
Kushëriri i tij, Valentin Krrashi ka mohuar të ketë larguar Aleksandrin nga vendi i ngjarjes me qëllim që të fshihej. Ai ka thënë se kishte shkuar për ta ndihmuar dhe më pas e ka dorëzuar në polici.
Ndërsa u caktua detyrim paraqitje për Danjel Koxhaj, 34 vjeçarin me detyrë menaxher i firmës për prodhimin e betonit, në të cilën ishte i punësuar Aleksandër Krrashi.
Ndërkohë, është zbardhur dëshmia në gjykatë e shoferit Krrashi. Ai ka treguar se ka qenë në betoniere kur ka ndodhur përplasja. Ai ka thënë gjithashtu se ka dalë nga betonierja dhe ka tentuar të hapë derën e makinës së viktimave, por nuk ka mundur dot pasi mjeti ka marrë menjëherë flakë.
“Iu shpreh ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave. Kur makina më goditi nga pas, dola menjëherë dhe tentova të hap dyert. Makina shpërtheu në flakë dhe ishte e pamundur ta ndihmoja më tej. Mora kontakt me kompaninë dhe kërkova që të sillnin një betoniere me ujë për të shuar flakët. E njoftova dhe familjen time dhe më pas shkova në shtëpi. Pas ndërrimit të rrobave, bashkë me katër familjarë të mi, shkova në Komisariatin e Kamzës ku dhe u dorëzova”, ka thënë ai përpara gjykatësve.
Sipas materialit të referuar nga policia rrugore, shoferi nuk ishte i pajisur me lejen përkatëse të drejtimi, ndërkohë që para përplasjes fatale kishte ndaluar në rrugë, por nuk kishte ndezur bllokazhin.
Viktima të aksidentit mbetën shoferi i Benz-it, 25-vjeçari Enejd Laçi, i vëllai Erind Laçi, 20-vjeç, kushëriri Andi Laçi, 22-vjeç dhe shoku i tyre, Enrikejd Kurti, 24-vjeç.
Si ndodhi aksidenti?
Makina “Mercedes Benz” që drejtohej nga Enejdi Laçi, 25 vjeç, brenda së cilës ishin vëllai që sapo kishte marrë në Rinas, kushëriri dhe miku i tij, para se të përplasej me betonierën që kishte ndaluar në mes të rrugës pa ndezur bllokazhin, fillimisht parakaloi 2 kamionë pasi kishte hyrë në rrugën që të çon drejt Fushë-Krujës.
Nga verifikimi paraprak i bërë prej grupit hetimor, në parakalim, shpejtësia dyshohet të ketë qenë të paktën mbi 170 km/h. Megjithatë, sapo Enejdi kaloi në korsinë e tij të lëvizjes, përplasja me betonierën ishte e pashmangshme për shkak të distancës së shkurtër, mungesës së fushëpamjes nga 2 parakalimet e para dhe shpejtësisë së lartë me të cilën po lëvizte.
Mungesa e gjurmëve të frenimit tregon për grupin hetimor se drejtuesi i saj nuk e ka parë fare betonierën, përplasja me të cilën shkaktoi tragjedi duke e shpërthyer në flakë makinën e duke i lënë të katërt të rinjtë të pajetë.
24-vjeçari që drejtonte pa patentë betonierën, tashmë i arrestuar për 3 akuza nga policia, ka rrëfyer për hetuesit pse ndaloi në mes të rrugës pa ndezur sinjalet e bllokazhit. Sipas tij, sapo doli nga vendi i kompanisë së prodhimit të betonit ku punonte i padeklaruar, dhe kishte hyrë në rrugë, makina iu fik pasi sipas tij i mbaroi nafta. Ka provuar disa herë ta ndezë, por ka qenë e pamundur. Në afërsi ndodhet një pikë karburanti, tek e cila u tha hetuesve se shkoi për të marrë naftë, por gjatë kësaj kohe sipas tij, harroi të ndezë bllokazhin e makinës. Pas përplasjes ai u largua me ndihmën e kushëririt të tij, Valentin Krrashi, të dy të kapur pak orë më vonë.
Kush është administratori i firmës i shpallur në kërkim?
Saimir Hoxha, është i riu që rezulton të jetë shpallur në kërkim si administrator i firmës së betonit nga ku doli edhe betonierja që iu mori jetën të rinjve.
Saimir Hoxha është një emër që u bë i njohur në fakt, në një ngjarje mjaft të rëndë që i ndodhi në familjen e tij, kur iu rrëmbye i ati dhe më pas u gjend i vrarë dhe i groposur në humnerë. I ati ishte një biznesmen inertesh, ndërsa i biri, prej vitit 2021 ka hapur një pikë betoni ku ka të punësuar edhe të riun që ishte drejtuesi i betonieres.
Hoxha dëshmoi në kohën kur iu rrëmbye i ati në lidhje me momentet e fundit të takimit me të duke ndihmuar policinë dhe prokurorinë të shkonte drejt autorit të krimit, i cili u mbajt në pranga, fillimisht si i kërkuar i Italisë, por më pas ai rezultoi sipas hetimeve i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e babait të djalit që sot kërkohet nga policia për ngjarjen e rëndë që solli humbjen e jetës në mënyrë të tmerrshme të katër djemve të rinj nga Borizana dhe Fushë-Kruja.
Sipas të dhënave policore, firma ku punonte Aleksandër Krrashi, rezulton të jetë “Hel-Jon shpk”, e cila merret me prodhim dhe tregtim betoni që prej vitit 2021, kur dhe është krijuar. Kompania është me administrator Samir Hoxhën, 27 vjeç, i cili është shpallur në kërkim pasi duhet të japë sqarime për kushtet e kompanisë në raport me punonjësit. Samir Hoxha është djali i Ruzhdi Hoxhës, biznesmenit i cili u gjet i vrarë më 6 nëntor 2021 në Qafë Mollë.
Ndërkohë, për punësimin në të zezë të 24-vjeçarit Krrashi, shofer për betonierën pa e pasur patentën për drejtimin e një kategorie të tillë mjeti, u arrestua menaxheri i kompanisë, Danjel Koxha.
Lini një Përgjigje