Qyteti i Vlorës është tronditur nga të shtënat me armë zjarri mbrëmjen e sotme. Një 41-vjeçar është ekzekutuar me breshëri kallashnikovi në mes të qytetit. Sipas informacioneve, viktima është Laert Keka, 41- vjeç.
Ky i fundit ka qenë duke udhëtuar me motor, por i është afruar një makinë tip “Audi”, ngjyrë e zezë me targa italiane dhe është hapur zjarr ndaj tij. Ai ka tentuar të largohet, por autorët e kanë ndjekur derisa e kanë ekzekutuar.
Mësohet se viktima pranë bibliotekës së qytetit ka ndaluar motorin dhe ka tentuar të largohet, por e ka pasur të pamundur për shkak të plagëve të marra. Ai ka rënë në tokë pa shenja jete.
Ndërkohë pak minuta më pas në lagjen “Kushtrimi” është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet të jetë përdorur në ngjarje. Policia ndërkohë ka bllokuar gjithë hyrjet e qytetit dhe po kryen kontrolle për kapjen e autorëve. Flitet se në makinë kanë qenë shoferi dhe 2 persona të tjerë që kanë qëlluar ndaj viktimës.
Policia po heton të shkuarën e viktimës, për të zbuluar dhe arsyet këtij atentati. Sipas të dhënave të fundit, viktima ka ndryshuar gjeneralitet dhe ka dyshime për një të shkuar të errët. Viktima rezulton se ka qenë i dënuar për bashkëpunim në një vrasje.
Mësohet se ai me disa shokët e tij kanë kryer një grabitje në vitin 2000. Ata kanë goditur një distriburtor karburantesh dhe janë përplasur me rojën. Mësohet se autorët e kanë qëlluar atë më qytën e armës duke e lënë të vdekur.
Në atë kohë Keka u dënua në Shkallën e Parë me 12 vjet burg, ndërsa shoku i tij F. Habili me 11 vite burg dhe F. Mezuraj me 12 vite burg. Apeli më pas i shpalli të pafajshëm dhe çështja shkoi në Gjykatën e Lartë ku dhe u vulos dënimi.
Lini një Përgjigje