
Një sherr masiv ka ndodhur mes 7 personash mbrëmjen e kaluar në një lokal nate në zonën e ish Bllokut, ndërsa i përfshirë është edhe një efektiv policie.
Mësohet se debati mes tyre ka qenë i çastit dhe për motive të dobëta. Një prej personave të përfshirë në sherr është një 26-vjeçar punonjës policie, në komisariatin nr.1.
Sipas burimeve, ai ka pasur armën e shërbimit me vete, por nuk është përdorur prej tij. Të rinjtë janë zënë me sende të forta, si gota e shufër metalike. Në spital u dërguan 3 persona që morën plagë të lehta gjatë sherrit.
Pjesë në hetime për të zbardhur të plotë motivin e ngjarjes është edhe Agjensia e Mbikqyrjes Policore.
Ndërkohë, në lidhje me sherrin ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Vetëpastrimit të Policisë së Shtetit do t’i shkohet deri në fund dhe asnjë rast i shkeljes së ligjit dhe normave etike nuk do të tolerohet”, tha Balla.
“Rikthimi i plotë i besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit është përpjekja ime kryesore si Ministër i Brendshëm dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, me angazhimin për tu ofruar qytetarëve nivelin e duhur të sjelljes, profesionalizmit dhe shërbimit të sigurisë publike.
Duhet gjithashtu të jetë e qartë se kush nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të policit, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca do të jetë zero.
Në rast se një punonjës i Policisë së Shtetit, siç jam informuar sot duke u gdhirë në Tiranë, bëhet palë në një konflikt fizik, ndërsa do të duhej të ndërhynte menjëherë në vendosjen e rregullit, atëherë ky individ nuk mund të qëndrojë më për asnjë çast në Policinë e Shtetit. Ndërkohë AMP dhe Prokuroria të vazhdojnë verifikimet dhe hetimet e tyre ligjore”, tha Balla.
Lini një Përgjigje