TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Qershor 2026, 11:41

Superpushteti i Donald Trumpit!

Shkruar nga Simona Siri
Superpushteti i Donald Trumpit!
US Supreme Court justices /

Gjykata e Lartë i ka njohur presidentit aktual të drejtën për të shkarkuar drejtuesit e shumicës së agjencive federale të pavarura, duke përmbysur një precedent 90-vjeçar. Megjithatë, gjyqtarët i vendosën kufi pushtetit të presidentit mbi Rezervën Federale, duke riafirmuar se banka qendrore duhet të mbetet e mbrojtur nga ndërhyrjet politike.

Është një fitore me shije të hidhur ajo që Gjykata e Lartë i rezervoi Donald Trumpit me vendimet e saj mbi kufijtë e pushtetit presidencial. Nga njëra anë, presidenti fitoi të drejtën për të shkarkuar drejtuesit e shumicës së agjencive federale të pavarura.

Nga ana tjetër, gjyqtarët i vendosën një kufi të qartë përpjekjes së tij për të ushtruar kontroll mbi Rezervën Federale (Fed), duke riafirmuar pavarësinë e Bankës Qendrore.

Një nga çështjet më të ndjekura kishte të bënte me shkarkimin e Lisa Cook, anëtare e Bordit të Guvernatorëve të Fed-it, e emëruar nga Joe Biden në vitin 2022 me mandat deri në vitin 2038.

Vendimi pritej si një provë e rëndësishme për të kuptuar deri ku një Gjykatë e Lartë me shumicë konservatore ishte e gatshme t’i zgjeronte kompetencat Trumpit, sidomos pasi në shkurt kishte shpallur antikushtetuese tarifat doganore që ai kishte vendosur duke u mbështetur te ligji për emergjencat kombëtare.

Me pesë vota pro dhe katër kundër, Gjykata e Lartë vendosi se shkarkimi i Cook ishte antikushtetues, duke sanksionuar se presidenti nuk mund të largojë një anëtar të Bordit të Fed-it pa një shkak të ligjshëm.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë thekson se “Rezerva Federale duhet të mbetet e izoluar nga presionet politike”. Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts, nënvizoi se “jo vetëm pavarësia reale, por edhe perceptimi i pavarësisë është thelbësor për funksionimin e Rezervës Federale”.

Superpushteti i Donald Trumpit!
Donald Trump /

Në një vendim tjetër me pasoja të mëdha institucionale, Gjykata e Lartë i dha Trumpit një fitore të rëndësishme. Me gjashtë vota kundër tre, ajo vendosi se presidenti ka të drejtë të shkarkojë drejtuesit e agjencive dhe komisioneve të pavarura, duke rrëzuar një precedent gjyqësor që kishte kufizuar këtë kompetencë për gati nëntë dekada.

Rasti lidhej me Rebeça Kelly Slaughter, e cila u shkarkua nga posti i anëtares së Komisionit Federal të Tregtisë (FTC) përmes një emaili, ku administrata Trump argumentonte se qëndrimi i saj në detyrë ishte “i papajtueshëm me prioritetet e administratës. Sipas shumicës së gjyqtarëve, statusi i pavarur nuk mund të përdoret për institucione që ushtrojnë kompetenca të rëndësishme ekzekutive.

Vendimi u kundërshtua ashpër nga gjyqtarja Sonia Sotomayor, së cilës iu bashkuan Ketanji Broën Jackson dhe Elena Kagan. Në opinionin e saj kundërshtues, Sotomayor paralajmëroi se vendimi “transferon në duart e presidentit një pushtet të jashtëzakonshëm mbi pjesë të mëdha të jetës amerikane”, duke i dhënë atij kompetenca “që nuk i gëzonte as Kurora Britanike kundër së cilës u rebeluan Etërit Themelues”.

Ndërkohë Trump pësoi humbje edhe në dy çështje të tjera me peshë politike. Në rastin e votimit me postë, Gjykata e Lartë hodhi poshtë kërkesat e republikanëve dhe të administratës Trump, duke lejuar që shtetet të vazhdojnë të numërojnë fletëvotimet e dërguara në kohë, por që mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve.

Ky sistem zbatohet tashmë në më shumë se një duzinë shtetesh amerikane. Gjyqtarët argumentuan se edhe pse Kongresi përcakton një datë të vetme për zhvillimin e zgjedhjeve, ai nuk ka vendosur një afat kombëtar për mbërritjen e votave me postë, duke ua lënë këtë kompetencë shteteve.

Vendimi u konsiderua një fitore e rëndësishme për demokratët, të cilët prej vitesh mbështesin këtë formë votimi. “Nëse një qytetar voton brenda afatit të parashikuar, vota e tij duhet të numërohet”- deklaroi lideri demokrat në Senat, Chuck Schumer.

Goditja e fundit për Trumpin ishte edhe më personale. Gjykata e Lartë refuzoi të rihapte çështjen civile që lidhet me shkrimtaren E.Jean Carroll, duke lënë në fuqi vendimin e jurisë së Nju Jorkut të vitit 2023, e cila e shpalli përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj saj.

Si pasojë, mbetet në fuqi edhe detyrimi që Trump t’i paguajë Carroll-it 5 milionë dollarë dëmshpërblim, një shumë që ai kishte shpresuar ta shmangte përmes apelimit në Gjykatën e Lartë./Pamfleti nga “La Stampa”

superpushteti i donald trumpit

Lini një Përgjigje