TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Qershor 2026, 11:16

“Rama e ka mbyllur ciklin e tij”: Protestat nuk nisën për flamingot por për mbijetesën

Shkruar nga Pamfleti
“Rama e ka mbyllur ciklin e tij”: Protestat nuk nisën për
Pamje nga Protesta /

Gazetari italian Stefano Orsi, thotë se pakënaqësia sociale në Shqipëri, e ka tejkaluar çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe është shndërruar në një revoltë kundër modelit të qeverisjes. Ai argumenton se rritja e kostos së jetesës, pagat e ulëta dhe korrupsioni kanë krijuar një klimë të thellë zhgënjimi. Sipas tij, protesta është shenjë se qeveria e Edi Ramës ka hyrë në fazën e fundit të mandatit të saj politik.

Protestat që nisën kundër projektit të resortit luksoz të mbështetur nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump në zonën e mbrojtur të Zvërnecit-Nartës, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundër qeverisë së Edi Ramës dhe klasës politike shqiptare.

“Rama e ka mbyllur ciklin e tij”: Protestat nuk nisën për
Stefano Orsi /

Për gazetarin italian Stefano Orsi, zemërimi qytetar nuk buron vetëm nga kundërshtimi i një projekti ndërtimor, por nga përkeqësimi i standardit të jetesës dhe humbja e besimit te politika. Në këtë intervistë për “Liberti Media”, ai analizon shkaqet e protestave, situatën ekonomike në Shqipëri, perceptimin për qeverinë Rama dhe perspektivën politike të vendit.

Si shpjegohet që protestat në Shqipëri u shndërruan nga një revoltë ambientaliste në një lëvizje të gjerë kundër qeverisë dhe opozitës?

Sepse arsyet e vërteta të një mobilizimi popullor nuk lidhen vetëm me një çështje mjedisore. Një protestë masive lind kur njerëzit ndiejnë se cilësia e jetës së tyre po përkeqësohet dhe se institucionet nuk po u përgjigjen problemeve reale.

Prej vitesh kam miq shqiptarë që më thonë se jeta është bërë shumë më e shtrenjtë. Më kanë treguar se në disa raste kushton më pak të hash në restorant sesa të mbushësh shportën e shtëpisë. Çmimet janë rritur ndjeshëm, ndërsa pagat kanë mbetur të ulëta.

Ky është problemi i vërtetë. Shqipëria është bërë tërheqëse për investitorët sepse ofron kosto të ulët pune, por njerëzit nuk mund të jetojnë pafundësisht me paga që nuk mbulojnë shpenzimet bazë. Kur kjo situatë zgjat për vite me radhë, pakënaqësia bëhet e pashmangshme.

Prandaj nuk besoj se protestat kanë shpërthyer për flamingot apo vetëm për një resort. Ato janë pasojë e një modeli ekonomik që, sipas shumë qytetarëve, nuk po funksionon në favor të tyre.

Ju thoni se qeveria Rama ka investuar shumë te imazhi ndërkombëtar. A nuk ka funksionuar kjo strategji?

Imazhi të ndihmon deri në një pikë të caktuar. Mund të krijosh një perceptim pozitiv jashtë vendit, por nuk mund të bindësh qytetarët se jetojnë mirë kur ata përballen çdo ditë me çmime në rritje. Edhe në Itali shohim të njëjtin fenomen.

Politikanët flasin për suksese, ndërsa qytetarët paguajnë më shumë për energjinë, karburantin dhe ushqimet. Në fund, njerëzit gjykojnë sipas jetës së tyre të përditshme dhe jo sipas propagandës. Nëse kushtet ekonomike nuk përmirësohen, asnjë strategji komunikimi nuk mund ta kompensojë këtë.

Si shpjegohet që në Shqipëri pagat mbeten të ulëta, ndërsa çmimet janë krahasueshme me ato të vendeve të Bashkimit Evropian?

Turizmi ka sjellë më shumë para në ekonomi dhe disa sektorë kanë përfituar, por kjo nuk do të thotë se mirëqenia është shpërndarë në mënyrë të barabartë. Ka kategori që fitojnë mirë, por shumica e qytetarëve jetojnë me të ardhura modeste.

Ndërkohë, shumë produkte tashmë kanë çmime ndërkombëtare dhe nuk mund të kushtojnë më pak vetëm sepse pagat janë të ulëta. Rezultati është që familjet detyrohen të punojnë më shumë për të siguruar të njëjtin standard jetese.

Kjo krijon frustrim dhe me kalimin e kohës, edhe revoltë. Megjithatë, ajo që më ka bërë përshtypje është se protestat kanë qenë kryesisht paqësore. Kjo tregon se bëhet fjalë për një popull që kërkon të dëgjohet dhe të respektohet.

Sipas jush, Edi Rama ka dështuar?

Mendoj se po. Një qeveri gjykohet nga ndikimi që ka në jetën e qytetarëve. Kam përshtypjen se qeveria është përqendruar më shumë te imazhi, investimet dhe projektet e mëdha, ndërsa shumë qytetarë ndihen të lënë pas dore. Kur krijohet kjo ndjesi, besimi fillon të zbehet.

Për këtë arsye mendoj se ka ardhur momenti që politika shqiptare të hapë një kapitull të ri.

Rama i ka cilësuar protestat si të nxitura nga interesa të jashtme dhe luftë hibride. A është kjo një qasje e dobishme?

Mendoj se jo. Kur një qeveri minimizon pakënaqësinë e qytetarëve, rrezikon të mos kuptojë arsyet reale të saj. Edhe nëse ndalet një projekt i caktuar, kjo nuk do të thotë se pakënaqësia zhduket. Nëse problemet ekonomike vazhdojnë, protestat mund të marrin forma të tjera.

Njerëzit nuk dalin në rrugë për muaj të tërë vetëm për një çështje mjedisore. Ata dalin sepse ndiejnë se standardi i tyre i jetesës po përkeqësohet.

Rama është shfaqur nervoz në daljet e fundit publike. Si e interpretoni këtë?

Kur një udhëheqës e kupton se mbështetja popullore po dobësohet, është normale të reagojë me nervozizëm. Kam përshtypjen se diçka është thyer në marrëdhënien mes qeverisë dhe një pjese të shoqërisë. Kontrolli i komunikimit dhe ndërtimi i një imazhi pozitiv nuk mjaftojnë më për të mbuluar problemet e përditshme. Nëse perceptimi publik ndryshon, është shumë e vështirë ta kthesh situatën pas vetëm me deklarata politike.

Përse protestuesit kritikojnë edhe opozitën dhe Sali Berishën?

Sepse shumë prej tyre nuk e shohin krizën si përgjegjësi vetëm të qeverisë aktuale. Një pjesë e protestuesve besojnë se edhe politika tradicionale ka kontribuar në krijimin e këtij modeli ekonomik dhe institucional. Për këtë arsye ata nuk e konsiderojnë opozitën klasike si alternativë të mjaftueshme. Kjo tregon se ekziston një kërkesë për figura të reja politike dhe për një mënyrë tjetër qeverisjeje.

Ju mendoni se politika shqiptare ka nevojë për një brez të ri drejtuesish?

Po. Mendoj se qytetarët po kërkojnë një alternativë që të mos identifikohet me figurat tradicionale të politikës shqiptare. Nëse protestat vazhdojnë të mbeten qytetare dhe të pavarura, ato mund të krijojnë hapësirë për një lidership të ri, më pak të lidhur me konfliktet e së kaluarës. Shqipëria ka nevojë për njerëz që të punojnë në interes të qytetarëve dhe jo të grupeve të ngushta të interesit.

Megjithatë, nuk duhet mohuar se gjatë qeverisjes së Edi Ramës janë realizuar edhe investime publike. Janë ndërtuar rrugë, janë përmirësuar disa shërbime dhe imazhi ndërkombëtar i Shqipërisë është bërë më pozitiv.

Por, sipas meje, kjo nuk mjafton nëse një pjesë e madhe e qytetarëve nuk e ndien këtë përmirësim në jetën e përditshme. Në fund të fundit, zhvillimi duhet të matet edhe me mirëqenien e njerëzve dhe jo vetëm me statistika apo projekte infrastrukturore.

Pra, sipas jush, qeveria Rama ka mbërritur në fund të rrugës?

Kam përshtypjen se po. Kur krijohet një shkëputje mes pushtetit dhe qytetarëve, rikthimi i besimit bëhet shumë i vështirë. Mendoj se në Shqipëri është arritur pikërisht në këtë fazë.

Historia politike tregon se çdo qeveri ka një cikël.

Në një moment, konsumimi bëhet i pashmangshëm dhe lind nevoja për një kapitull të ri.

Sipas meje, qeveria Rama ndodhet pikërisht në këtë pikë. Nëse ndodh një rotacion politik, edhe Edi Rama do të jetë një figurë e opozitës, ashtu siç ka ndodhur më parë me drejtues të tjerë shqiptarë.

Mendoni se projekti i resortit në Zvërnec do të rikthehet?

Shpresoj që jo. Megjithatë, më shqetëson diçka tjetër. Shpesh, në vende të ndryshme, krijohen tema të mëdha publike që përthithin gjithë vëmendjen e opinionit, ndërsa problemet themelore mbeten të pazgjidhura. Prandaj besoj se fokusi nuk duhet të jetë vetëm një projekt i caktuar ndërtimi.

Çështja kryesore është modeli ekonomik, mënyra si shpërndahet mirëqenia dhe raporti mes politikës dhe qytetarëve. Nëse këto probleme mbeten të njëjta, pakënaqësia do të vazhdojë të ekzistojë edhe pa resortin.

Sa mund të ndikojnë këto zhvillime në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian?

Nuk mendoj se protestat në vetvete, do ta ndryshojnë ndjeshëm procesin e integrimit.

Sfida e vërtetë do të jetë për qeverinë që do të vijë pas. Çdo qeverim e ardhshme duhet të gjejë ekuilibrin mes kërkesave të Bashkimit Evropian dhe nevojës për të mbrojtur interesat ekonomike e sociale të qytetarëve të vet.

Unë kam qenë kritik ndaj shumë politikave të Bashkimit Evropian, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Italinë. Besoj se në disa raste janë promovuar politika ekonomike që nuk kanë prodhuar rezultatet e pritshme dhe që kanë rënduar jetën e qytetarëve.

Megjithatë, përgjegjësia kryesore mbetet gjithmonë e qeverive kombëtare, sepse ato janë që marrin vendimet përfundimtare dhe mbajnë përgjegjësi para votuesve.

Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje nga protestat në Shqipëri?

Më ka bërë shumë përshtypje pjesëmarrja. Kam parë qytetarë që dolën në shesh në mënyrë paqësore për të shprehur pakënaqësinë e tyre. Ky është një sinjal i rëndësishëm në çdo demokraci. Kur njerëzit ndihen të dëgjuar, tensioni ulet. Kur ndihen të injoruar, pakënaqësia rritet.

Për këtë arsye mendoj se politika shqiptare duhet ta marrë seriozisht mesazhin që ka ardhur nga këto protesta. Në fund të fundit, qytetarët nuk kërkojnë mrekulli. Ata kërkojnë një jetë më të përballueshme, paga më dinjitoze, institucione më të besueshme dhe një shtet që t'u shërbejë atyre.

Nëse këto kërkesa vazhdojnë të mbeten pa përgjigje, pakënaqësia nuk do të zhduket, pavarësisht se kush është në pushtet. Prandaj, besoj se Shqipëria po hyn në një fazë të re politike. Nëse kjo do të sjellë një ndryshim të vërtetë, këtë do ta tregojë koha.

Por mesazhi që ka ardhur nga sheshet është i qartë: qytetarët kërkojnë më shumë sesa një ndryshim imazhi; kërkojnë një ndryshim që të reflektohet në jetën e tyre të përditshme./Pamfleti nga “Liberti Media”

stefano orsi rama e ka mbyllur ciklin e tij

Lini një Përgjigje