TAGS-AT E JAVËS

Forum30 Qershor 2026, 11:06

Nga Gazimestani në TikTok, kirurgjia e një miti që refuzon të vdesë

Shkruar nga Emin Azemi
Nga Gazimestani në TikTok, kirurgjia e një miti që refuzon
Monumenti i Gazimestanit /

Aty ku Millosheviqi përdori tribunën e gurtë, rinia studentore sot përdor rrjetet sociale dhe sheshet universitare për të brohoritur të njëjtat parulla për "kthimin e Kosovës". Është një paralele rrëqethëse: të rinj që nuk e kanë jetuar as luftën, as Millosheviqin, as izolimin, performojnë të njëjtin trans kolektiv. Ata e shndërrojnë Vidovdanin nga një datë reflektimi në një platformë të revanshit gjeopolitik. Ky brez i rritur me teknologji perëndimore zgjedh vullnetarisht të jetë gardian i varreve mesjetare...

Në teatrin e përgjakshëm të historisë ballkanike, mitet rrallëherë vdesin, ato thjesht ndërrojnë lëkurën, duke u shndërruar nga histori në dogma, nga dogma në substancë ekzistenciale. Që nga viti 1389, një fantazmë narrative bredh nëpër korridoret e errëta të vetëdijes ballkanike  - ajo e "Serbisë Qiellore" (“Nebeska Srbija”) Sipas kësaj legjende, që ngjan më shumë me një pakt metafizik sesa me një ngjarje kronikash, Princ Llazarit iu desh të zgjidhte mes pluhurit të një mbretërie tokësore dhe përjetësisë së një mbretërie shpirtërore  Duke zgjedhur këtë të fundit, ai nuk nënshkroi vetëm një disfatë ushtarake, por  lindi një paradoks kombëtar: një popull që gjen legjitimitet pikërisht aty ku humb realitetin, një komb që refuzon gjeografinë për t’u strehuar në kozmologji

Ky konstrukt nuk është një relike e vdekur e mbuluar nga pluhuri i shekujve, por një organizëm i gjallë, një motor psikologjik që vazhdon të sekretojë lëndë djegëse për të tashmen. Ky mit është sa iracional, aq edhe kokëfortë. Kur realiteti gjeopolitik nuk përputhet me dëshirat e Beogradit, narrativës i rriten krahët e rremë dhe ajo "zhvendoset në qiell".

Sot, kur Kosova nuk është më nën kontrollin e tij fizik, ai "ujk" i vjetër i Ballkanit nuk pranon të zbutet apo të kthehet në një qen shtëpiak të integrimeve evropiane . Ai struket në strofullën e mitit, duke e parë kohën tokësore si një iluzion kalimtar përpara se të vijë çasti i "oslobođenjes" (çlirimit). Në këtë pikë, psikologjia e masave shpërfaq patologjinë e saj më të thellë: humbjen e aftësisë për të bërë dallimin mes simboleve dhe fakteve. Kur një popull ushqehet për shekuj me idenë e martirizimit të zgjedhur, disfata nuk përjetohet si një dështim politik, por si një dëshmi e pastërtisë shpirtërore  Kjo prodhon një vetëdije kolektive që vuan nga "sindroma e amnezisë së fajit". Masa nuk kërkon të vërtetën, ajo kërkon ngushëllim te madhështia e rreme. Në këtë matricë mendore, bota jashtë është gjithmonë armiqësore, ndërsa vullneti i brendshëm mbetet i paprekshëm nga koha. Miti kthehet në një drogë psikologjike që mpin ndjenjën e realitetit.

Alegoria bëhet sa tragjike, aq edhe absurde kur ky mit zbret nga altari i historisë. Rasti i tenistit Novak Gjokoviqit, i cili pas një triumfi në skenën globale thërret instinktet e një "populli qiellor", dëshmon se sekularizmi në këto anë është vetëm një rrëshirë e  hollë mbi një pëlhurë mesjetare. Qielli këtu nuk është më një hapësirë shpirtërore e paqes, por një mburojë politike, një lloj "panciri" mitologjik që mbron kombin nga ballafaqimi me pasqyrën e të vërtetave të hidhura të tokës. Ky ujku ballkanik nuk mjaftohet vetëm me  mish, ai ushqehet me simbole, dhe pikërisht këto simbole e bëjnë atë të paparashikueshëm, një bishë që refuzon të zbutet.

Këtu buron edhe dështimi spektakolar i Brukselit. Qasja pragmatike e Bashkimit Evropian, e cila në fjalorin ballkanik lexohet thjesht si "përkëdhelje" burokratike, bazohet në premisën e gabuar se çdo ujk mund të zbutet nëse i ofrohet mjaftueshëm mish ekonomik dhe fonde strukturore. Logjika evropiane, e mësuar me matje me vizore dhe bilance tregtare, dështon të kuptojë se me një mentalitet që udhëhiqet nga “Miti i Kosovës” nuk mund të negociohet si me një partner biznesi. Përkëdhelitë e vazhdueshme të BE-së, toleranca ndaj retorikës nacionaliste serbe dhe shpresa se joshja financiare do të mundë misticizmin, vetëm sa e kanë ushqyer arrogancën e Beogradit. Ujku e sheh kompromisin e tjetrit jo si ftesë për paqe, por si dobësi të gjenit pragmatik perëndimor.

Por absurdi më i madh shpërthen kur vizatohen paralelet kohore në hartën e re të gjeopolitikës ballkanike. Më 28 qershor 1989, Sllobodan Millosheviqi qëndronte në Gazimestan përpara një mase prej një milion njerëzish, duke deklaruar se Serbia ndodhej sërish përpara "betejave që nuk janë të armatosura, ndonëse as ato nuk përjashtohen". Ajo ditë e Vidovdanit hapi portat e ferrit dhe i dha mitit qiellor armë tokësore. Sot, pothuajse katër dekada më vonë, pamja në tubimet aktuale në Beograd apo në marshimet e Vidovdanit nuk ka ndryshuar në substancë, por vetëm në estetikë.

Aty ku Millosheviqi përdori tribunën e gurtë, rinia studentore sot përdor rrjetet sociale dhe sheshet universitare për të brohoritur të njëjtat parulla për "kthimin e Kosovës". Është një paralele rrëqethëse: të rinj që nuk e kanë jetuar as luftën, as Millosheviqin, as izolimin, performojnë të njëjtin trans kolektiv. Ata e shndërrojnë Vidovdanin nga një datë reflektimi në një platformë të revanshit gjeopolitik. Ky brez i rritur me teknologji perëndimore zgjedh vullnetarisht të jetë gardian i varreve mesjetare. Në çështjen e Kosovës, midis syve të Millosheviqit në '89, retorikës së Vuçiqit sot dhe thirrjeve të një studenti në Beograd, nuk ka asnjë çarje ideologjike. Janë të gjithë degë ksenofobike  të të njëjtit trung mitologjik.

Në rrugët e Beogradit sot luhet një shfaqje e rafinuar e teatrit të absurdit. Një brez i ri, i larë në dritën neon të modernitetit perëndimor, ngre grushtin kundër autokratit të radhës, duke mbytur bulevardet metropolitane me thirrje për liri, demokraci dhe evropianizim. Por kjo fasadë progresive, e kuruar me kujdesin e një algoritmi të rrjeteve sociale, shkrihet si dylli i qirinjve përpara një zjarri të vetëm: emrit të Kosovës. Sapo ky emër shqiptohet, lëkura e hollë e studentit kozmopolit çahet. Nën të shfaqet, e paprekur dhe e etur për hakmarrje, e njëjta anatomi mendore e Millosheviqit, Sheshelit dhe Vuçiqit. Nuk ka asnjë çarje ideologjike, asnjë milimetër distance, është thjesht një stafetë e re për të njëjtin mallkim të vjetër.

Sa therëse është ironia kur sheh këta kryengritës të kohës moderne që përdorin të gjitha rekuizitat e emancipimit perëndimor për të mbrojtur një dogmë mesjetare. Ata organizohen përmes platformave digjitale, flasin gjuhën e rafinuar të të drejtave të njeriut dhe recitojnë parime të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo "liri" që ata kërkojnë është një monedhë që vlen vetëm brenda mureve të tyre.

Këtu hyn në lojë simbioza e tyre me të shkuarën: dritat e telefonave inteligjentë dhe temjani i kishës ortodokse bëhen një në duart e tyre. Në mendësitë e tyre, thirrjet për integrim evropian bashkëjetojnë pa asnjë sforcim me bekimin e mantove të zeza klerikale. Për ata, Vuçiqi nuk është i dënueshëm sepse po mban peng të ardhmen e një rajoni të tërë me skenarë destabilizimi, por sepse shihet si një "Judë" i ri, një tregtar i dobët që po lëshon pe në pazarin gjeopolitik të "tokës së shenjtë". Ndryshimi i tyre nga pushteti nuk është parimor, por thjesht një xhelozi estetike se kush e mban më mirë skeptrin e hekurt të miteve dhe kush e meriton kungimin e parë në altarin e nacionalizmit.

Ky brez përfaqëson një paradoks të frikshëm psikologjik: ata janë profetët e një lufte që nuk e kanë parë kurrë, të rritur nën hijen e dyfishtë të katedrales së Shën Savës dhe kulturës popullore të tribunave të futbollit. Të rritur nën ajrin e kondicionuar të epokës së paqes relative, të paprekur nga sanksionet, të mbrojtur nga tmerri i alarmeve të bombave dhe të paudhëtuar nëpër gropat e përgjakshme të historisë së viteve '90, ata e shohin tragjedinë si një ekuacion abstrakt.

Për ata, fushëbetejat nuk janë baltë dhe gjak, por grafikë kompjuterike në ekranet e telefonave dhe motive për muralet urbane që zbukurojnë muret e Beogradit. Ky sterilitet empirik u fal atyre një komoditet të frikshëm e të pashpirt. Me gishtat që sapo kanë shkruar një ese mbi liberalizmin, ata ringjallin kultin e Car Lazarit dhe të humbjes mistike. Ata brohorasin në kor këngët e tifozëve radikalë për "kthimin e ushtrisë në Kosovë", të bindur se kjo e fundit nuk është një thertore reale, por një procesion solemn e fetar. Ata luajnë me fantazmat e historisë si fëmijët me shkrepëse mbi një fuqi baruti, të sigurt se zjarri djeg vetëm tjetrin, matanë kufirit.

Si ka mundësi që universitetet, që historikisht duhet të jenë laboratorë të thyerjes së dogmave dhe tempuj të mendimit kritik, sot shërbejnë si inkubatorë të të njëjtit helm? Përgjigjja qëndron te suksesi i heshtur i strukturave të mbyllura të shtetit dhe klerit, të cilat nuk lejuan kurrë një katarsis. Regjimet ndryshuan, perandorët ranë, por tekstet shkollore dhe predikimet mbetën të pandryshuara, të ujitura me lëngun e zi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve (SANU) dhe të bekuara nga sinodi i shenjtë.
Që nga kopshtet e fëmijëve e deri në auditoret universitare, mendësia e Sheshelit nuk ka pasur nevojë të imponohet me kamxhik, ajo është instaluar si softueri bazë i vetëdijes së tyre përmes ikonografisë popullore dhe festave fetare të kthyera në manifeste politike. Studentët e sotëm nuk kanë nevojë të dëgjojnë fjalimet e Millosheviqit në Gazimestan, ata e mbajnë atë Gazimestan brenda strukturës së tyre mendore, si një kod gjenetik që aktivizohet automatikisht sa herë që bien këmbanat e kishës për "shpirtrat e rënë".

Në këtë teatër politik, opozita studentore nuk ofron një rrugëdalje, por thjesht një alternativë më radikale të të njëjtit tmerr. Ata garojnë me Vuçiqin se kush është më besnik ndaj varreve mesjetare dhe relikteve të shenjta. Në diskursin e tyre, akuza më e rëndë që i bëhet pushtetit është "mëkati i tradhtisë" përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, një akt që ata e shohin pothuajse si blasfemi fetare. Ata nuk kërkojnë urat e paqes apo pranimin e të vërtetave historike, por ngrirjen e konfliktit,  një lloj “agjërimi” gjeopolitik, duke pritur një "rizgjim" imagjinar kur rrethanat globale t'u lejojnë të shkruajnë një kapitull të ri dhune me bekimin e kryepriftërinjve të tyre.
Për pasojë, kjo dëshmon se e gjithë skena e protestave studentore është një trup i vetëm mitologjik, i mbështjellë me manton e kishës dhe i armatosur me teknologjinë moderne. Ndërsa Vuçiqi e përdor Kosovën si një monedhë kusuritjeje për të blerë jetëgjatësi në fronin e tij tokësor, rinia studentore e përdor atë si një “dash dardan” për të thyer dyert e atij froni, duke kënduar psalme nacionaliste. Të dyja palët pinë ujë në të njëjtin pus të helmuar, duke vërtetuar se në atë rrugëtim ideologjik, koha ka mbetur e ngrirë në të njëjtin milimetër të vitit 1989./Pamfleti

Shkup, 30 qershor 2026

gazimestani

Lini një Përgjigje