
Bionde, gjithmonë e buzëqeshur dhe me një prezencë që tërheq menjëherë vëmendjen. Në video shfaqet duke u argëtuar me koleget në ambientet e një anijeje ushtarake, ndërsa në postime të tjera del e veshur me elegancë në evente publike. Në disa imazhe, madje, shfaqet në krah të presidentit amerikan Donald Trump.
Quhet Jessica Foster dhe brenda pak muajsh arriti mbi një milion ndjekës në Instagram, duke u kthyer në një figurë tërheqëse për audiencën konservatore amerikane. Por pas gjithë kësaj fame qëndron një e vërtetë e thjeshtë: ajo nuk është reale.
Një investigim i The Washington Post zbuloi se profili ishte ndërtuar me shumë gjasa përmes inteligjencës artificiale. Nuk ekziston asnjë gjurmë e saj në regjistra civilë apo dokumente zyrtare, ndërsa detaje të shumta në përmbajtje ngrinin dyshime serioze.
Në fotot e publikuara, “Jessica” shfaqej në skena që varionin nga takime me liderë botërorë si Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky, deri te pretendime për pjesëmarrje në iniciativa ndërkombëtare si një i ashtuquajtur “Bordi i Paqes”, një organizatë e paqartë që në disa raste shkruhej gabim si “Boarder of Peace”. Uniformat ushtarake ndryshonin nga një postim në tjetrin, duke përzier elementë të trupave të ndryshme, ndërsa detaje të tjera vizuale tradhtonin manipulimin digjital.
Përmbajtja kombinonte në mënyrë të qëllimshme elemente patriotike me imazhe të seksualizuara, duke krijuar një figurë tërheqëse për një audiencë specifike. Kjo përzierje: mesazh politik, estetikë e kuruar dhe provokim visual, po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në komunikimin online.
Rasti nuk është i izoluar. Platforma si TikTok, X dhe Instagram po mbushen me profile të ngjashme: “ushtare”, police apo figura të tjera profesionistesh, të cilat në shumë raste rezultojnë të jenë të krijuara artificialisht. Komentet tregojnë se një pjesë e madhe e përdoruesve i perceptojnë si persona realë.
Profili i Jessica Foster u zhduk pasi arriti kulmin e ndjekësve dhe pas publikimit të investigimit. Interesant është fakti se platforma OnlyFans kishte refuzuar më herët verifikimin e saj, pikërisht për shkak të mungesës së provave që konfirmonin ekzistencën reale të personit pas llogarisë.
Ky rast nxjerr në pah një prirje në rritje: përdorimin e inteligjencës artificiale për të krijuar figura bindëse, që jo vetëm tërheqin vëmendje, por edhe përcjellin mesazhe të caktuara politike në mënyrë të tërthortë. Në një mjedis digjital ku kufiri mes reales dhe të sajuarës bëhet gjithnjë e më i paqartë, aftësia për të dalluar manipulimin po kthehet në një sfidë të re për publikun./ Corriere della Sera
Lini një Përgjigje