Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni antidrogë i zhvilluar në Tiranë, në kuadër të të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë për 20 persona.
Nga këta, 14 janë arrestuar dhe lënë në burg, një person është vendosur në arrest shtëpie, ndërsa pesë të tjerë janë shpallur në kërkim.
Sipas burimeve hetimore, operacioni është zhvilluar në zona pranë gjimnazeve "Partizani" dhe "Andon Zako Çajupi", ku dyshohet se ushtrohej edhe aktiviteti i shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Hetimet, të cilat kanë zgjatur rreth tre muaj, kanë nxjerrë në pah se të arrestuarit vepronin të organizuar në tre grupe kriminale. Për dokumentimin e aktivitetit të tyre, strukturat e Antidrogës kanë përdorur metoda speciale hetimi, përfshirë blerjet e stimuluara dhe porositë e kontrolluara.
Sipas hetuesve, Artur dhe Rubin Meta, babë e bir, dyshohet se drejtonin një prej grupeve kriminale. Ata akuzohen se furnizonin shpërndarësit e drogës dhe se aktivitetin e kishin shtrirë edhe në zonat pranë shkollave.
Po sipas të njëjtave burime, babë e bir zotëronin edhe një lokal pranë zonës së Medresesë, i cili dyshohet se përdorej si bazë për organizimin dhe zhvillimin e aktivitetit kriminal.
Lini një Përgjigje