TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi 2 Shkurt 2026, 21:26

Ari, Bitcoin dhe dollari: basti strategjik i Tether në një botë financiare në krizë

Shkruar nga Pamfleti
Ari, Bitcoin dhe dollari: basti strategjik i Tether në një botë
Foto ilustruese

USD₮ është me diferencë stablecoin-i më i përhapur në qarkullim, me një kapitalizim tregu prej rreth 187 miliardë dollarësh dhe mbi 530 milionë përdorues aktivë në mbarë botën. Në fund të vitit 2025, Tether, kompania që e emeton, deklaroi se kishte një ekspozim prej 141 miliardë dollarësh në bono të Thesarit të Shteteve të Bashkuara, të përdorura si garanci për ruajtjen e lidhjes së USD₮ me dollarin amerikan.

Strategjia largpamëse për të investuar likuiditetin e krijuar nga emetimi i tokenëve në tituj të Thesarit jo vetëm që i lejoi USD₮ të përballonte pa pasoja krizën e kriptomonedhave të vitit 2022, të shkaktuar nga kolapsi i stablecoin-it Terra/Luna, por, pikërisht falë kësaj qëndrueshmërie, u kthye edhe në një model referimi në hartimin e ligjit GENIUS Act, të miratuar nga Shtëpia e Bardhë në korrik 2025. Njëkohësisht, kjo strategji i mundësoi Tether-it të përfitonte më shumë se pothuajse çdo aktor tjetër nga rritja e normave të interesit nga Rezerva Federale amerikane.

Paralelisht, Tether ka nisur një plan agresiv dhe ambicioz për akumulimin e Bitcoin-it dhe arit. Që nga viti 2023, kompania ka deklaruar se destinon “rregullisht deri në 15% të fitimeve operative neto” për blerjen e Bitcoin-it. Sipas raportit të fundit të verifikimit (“Attestation Report”), Tether zotëron aktualisht 96.185 Bitcoin.

116 tonë ar fizik

Tether mban gjithashtu rreth 17,45 miliardë dollarë në ar fizik, si dhe 2,25 miliardë dollarë të tjerë në shufra ari të destinuara për rezervën që mbështet token-in XAU₮. Në total, këto rezerva përfaqësojnë të paktën 116 tonë ar, një sasi që vazhdon të rritet nga tremujori në tremujor, si në vlerë ashtu edhe në volum.

Pikërisht për këtë arsye, Financial Times e ka quajtur Tether-in “Balena e Artë”, duke e përshkruar si “mbajtësin më të madh të arit jashtë bankave qendrore”. Rezervat e saj, sipas gazetës britanike, janë tashmë “afërsisht të barabarta me ato të bankave qendrore të vendeve më të vogla, si Koreja e Jugut, Hungaria apo Greqia”.

Sipas Financial Times, blerjet e arit nga Tether gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025 përbënin rreth 2% të kërkesës totale globale për ar dhe gati 12% të blerjeve të realizuara nga bankat qendrore. Bëhet fjalë për një kërkesë shtesë që më parë nuk ekzistonte dhe që pritet të ushqejë më tej rritjen e çmimit të metalit të çmuar.

Në nëntor të vitit të kaluar, Bloomberg raportoi gjithashtu se Tether kishte rekrutuar disa nga “trader-at më të mirë të arit të HSBC”, e konsideruar si një nga aktorët më të mëdhenj globalë në tregun e metaleve të çmuara pas JPMorgan Chase. Një sinjal i qartë se blerjet e arit fizik jo vetëm që do të vazhdojnë, por mund edhe të përshpejtohen në tremujorët e ardhshëm.

Interesi i Tether-it për arin nuk ndalet këtu. Kompania ka rritur pjesëmarrjen e saj strategjike në Elemental Altus, një shoqëri e listuar në Kanada që gjeneron të ardhura përmes “royalties” nga metalet e çmuara, kryesisht ari. Aktualisht, Tether zotëron 33,7% të aksioneve të kësaj kompanie.

Vlerësimi negativ i S&P dhe përplasja me “financën e vjetër”

Megjithatë, S&P Global Ratings ka ulur vlerësimin e Tether-it në nivelin më të ulët të shkallës së saj. Agjencia e konsideron “të dobët” aftësinë e kompanisë për të ruajtur lidhjen e USD₮ me dollarin, për shkak të “rritjes së aktiviteteve me rrezik më të lartë” në mbështetje të rezervave. Gjithashtu, kritikohet transparenca e kufizuar mbi kundërpalët, depozituesit dhe ofruesit e llogarive bankare.

Drejtori ekzekutiv Paolo Ardoino reagoi menjëherë, duke deklaruar se S&P “nuk ka as idenë më të vogël se si funksionon Tether”. Sipas tij, agjencia përfaqëson “financën e vjetër, që ka frikë nga ndryshimi dhe përdor çdo mjet propagandistik për të diskredituar kompani si Tether, të cilat po ndryshojnë botën dhe po adresojnë problemet e krijuara nga lakmia dhe paqëndrueshmëria e sistemit financiar tradicional”.

Vetë Ardoino kujton se besueshmëria e agjencive të vlerësimit është dëmtuar rëndë pas rolit të tyre në praktikat mashtruese që çuan në krizën financiare të vitit 2008.

Në këtë kontekst, rritja e vazhdueshme e çmimit të arit shihet si pasojë direkte e pasigurisë strukturore të sistemit ekonomik dhe financiar global, e erozionit të vazhdueshëm të vlerës së monedhës dhe e rritjes së pakontrolluar të borxhit. Nuk është rastësi që Bitcoin lindi në vitin 2009, në të njëjtën klimë zemërimi që ushqeu protestat e “Occupy Wall Street”.

Për rrjedhojë, pavarësisht paralajmërimeve të S&P Global Ratings, basti i Tether-it mbi arin dhe Bitcoin-in mund të rezultojë, në afat të gjatë, një zgjedhje fituese. /Përshtatur nga "Inside Over"

ar bitcoin tether

Lini një Përgjigje