Dje pamë në formën më të shëmtuar degradimin e partisë më të madhe në vend, përballë një sjellje skandaloze të një lideri, i cili ka kaluar çdo cak...
Atmosfera dje pasdite te ‘Xibraku’, ishte si një panoramë episodike e filmit ikonik “Kumbari”, ku jashtë postbllokut ishin parkuar një varg i tërë makinash luksoze supertështrenjta.
Si në episodin e martesës së vajzës së Vito Corleones, kur agjentë të FBI me blloqe në duar shënonin targat e makinave të parkuara përballë shtëpisë së madhe në Long Island të New Yorkut.
Vargu i makinave të socialistëve që marrin pjesë në Asamble ishte një panair vaniteti i nivelit të lartë. Një aradhë e gjatë luksi e pasurie, shuma e të cilëve bënte së paku 3 milionë euro.
Mjaftonte që gjatë 1 orëshit të vijimit të mbledhjes së shkurtër që pati vetëm monolog të Edi Ramës, një grup i vogël agjentësh të BKH-së të shënonin targat, e brenda javësh të bënin thjesht verifikimin e pasurisë së personave që i kishin parkuar ato automjete. Që sipas gjasave janë regjistruar në emra të tjerë, e mund të nxirreshin mandate arresti për të mbushur 10 313-a apo 20 burgje të Reçit me zyrtarë që kanë abuzuar me detyrën.
Vetëm fotot e publikuara, ku këta zyrtarë arrogantë tregojnë gjithë tangërllëk luksin e tyre që kurrë nuk e arrijnë me rroga, përveç veshjeve e ornamenteve super të shtrenjta, shërbejnë si një objekt për të mbushur dosjet e provave nga Prokuroria Speciale.
Kjo sa i përket pamjes së kronikës, ndërsa politikisht dje pamë në formën më të shëmtuar degradimin e partisë më të madhe në vend, përballë një sjellje skandaloze të një lideri, i cili ka kaluar çdo cak.
Pa asnjë procedurë, pa asnjë konsultim apo diskutim kolegjal vendosi të emëroje Bledi Çuçin në vend të Taulant Ballës e Blendi Klosin në vend të Damian Gjiknurit.
Një vendim sulltanësh që i hedh e i lëshon njerëzit e tij politik, edhe pse gati një muaj më parë i falendëroi për fitoren e madhe politike të 14 majit.
Me çfarë logjike e shkarkoi Damian Gjiknurin, i cili u vendos në postin numër 2 të PS-së pas fitores së Vlorës në 2021, por që e konsolidoi me fitoren e të gjitha bashkive të qarkut Elbasan më 14 maj?
Cili ishte justifikimi politik i këtij veprimi për ndërprerjen e karrierës së njeriut më të rëndësishëm në parti, ndërkohë që mediat vasale paralajmërojnë se do të ketë hetime ndaj numrit dy të PS?
Shkarkimi dhe emërimi i udhëheqësve më të lartë të PS-së, përbën një akt politik që së paku kërkon diskutim e më pas votim normal, por që në të vërtetë pati thjesht një veprim automatik.
Anëtarët e Asamblesë së PS-së janë në shumicën më të madhe zyrtarë apo sekserë të shpërndarjes së pushtetit 11 vjeçar në 61 bashkitë e vendit, e nuk ja ndjen më për partinë e qeverisjen. Ata duan vetëm të ruajnë statusquo-në.
Partia Socialiste nuk ka më një palcë kurrizore, atë ja ka shkatërruar Edi Rama. Kjo organizatë politike është një ushtri të verbrish që nuk kanë më jo mend, sepse i kanë ikur me kohë, por as sy, as veshë, e asnjë nerv sensitiv në trupin e tyre. Përveç antenave për të ndjerë rrezikun që vjen nga i gjati, i cili ka marrë të drejtën për të ndëshkuar këdo, ndërkohë që vetë është kryetar i partisë dhe kryetar i qeverisë që prej shtatorit 2013.
Nëse ka korrupsion në çdo zyrë të shtetit, i pari përgjegjës është Edi Rama, i cili ka emëruar të gjithë horrat e të fortët që janë kthyer më pas në hajdutë kadastrash e kriminelë ordinerë me uniformën e shtetit.
Asnjë emërim, së paku nga niveli i mesëm e deri tek i larti nuk bëhet pa miratimin e bablokut, asnjë pakt me klanet kriminale në territor nuk kryhet pa telefonatat apo mesazhet e të gjatit.
Sepse thjesht në logjikën proceduriale, të gjithë drejtorët e nivelit qëndror që nga policia e deri te sigurimet shoqërore bëhen me firmën e kryeministrit. I cili ka ngritur e ka ulur karriera me planet e tij.
Rama vendosi dje që për një muaj, pra deri në shtator të emërojë Çuçin e Klosin në krye të partisë. Po në shtator çdo ndodhë, nëse edhe ndaj tyre do të ketë hetim nga SPAK?
Edi Rama ka kontrollin thuajse të plotë në Partinë Socialiste. Mënyra e organizimit që ai ka injektuar prej vitesh pa struktura të ngritura në territor, por me udhëheqës ‘ad hoc’ ka bërë që të mos ketë lobe të konsoliduara zonash e krahinash, siç kanë qenë dikur.
Metoda alla enveriane me “sekretarë të parë” që Rama i quan drejtues politik të qarqeve, ka bërë punën e vet, që këta drejtues të mos ngulin themelet e tyre në territor, por kjo nuk do të thotë se në PS nuk ka klane të forta që janë realisht pushtet real. E këto klane përbëhen nga baronët e pushtetit, të cilët edhe kur nuk emërohen janë përfituesit e tenderëve, apo të mirave që vijnë nga qeverisja.
Një rrjet principatash ku në krye kanë njerëz të lidhur me botën e rrezikshme të nëntokës, që kanë fije direkte me pushtetin vertikal. Shikoni Elbasanin, ku aktualisht është Damian Gjiknuri drejtues politik. Gjiknuri sa zëvendësoi Taulant Ballën preu çdo lidhje me baronët e krimit të Elbasanit, duke rikthyer socialistët e vjetër e me traditë që nga koha e Fatos Nanos. Me këtë lidhje Gjiknuri tregoi se arrihet të fitojë pa ndihmën e të fortëve. Kjo çoi në xhindosjen e klaneve kriminale, që në fillim ndryshuan kupolën e policisë në Elbasan, e më pas goditën edhe Damianin. Pasi lidhjet i mbajnë lart. Siç ndodh në Shkodër me Tom Doshin, në Dibër me shokun e Tomës që është kthyer si bajraktari i nëntë maleve apo në Durrës, Fier e kudo. Flitet që tani Rama do të merret me Tiranën, sidomos pas disa sinjaleve ku përkrahës të fortë të Erion Veliajt si Fatmir Xhafa apo Fatos Tarifa kanë guxuar të dalin hapur kundër kryeministrit. E sipas gjasave në luftën e re do të nisë edhe dizintegrimi total i mazhorancës, e cila nuk është më një parti, por një fasadë që fsheh karakatinat kriminale që kanë fuqinë në territor. / Pamfleti
Lini një Përgjigje