TAGS-AT E JAVËS

Editorial21 Korrik 2023, 09:47

SPAK -u dhe diplomatët flasin si “Tigri”!

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 

SPAK -u dhe diplomatët flasin si “Tigri”!
Altin Dumani dhe ambasadorja Yuri Kim

Përmes rrjeteve sociale dhe mediave të inceneratorëve, këtej zhvillohen betejat e mëdha ekonomike, politike, shoqërore e kafshërore...  

SPAK-u, diplomatët e huaj dhe Babloku janë në luftë imagjinare me krimba, peshq, tigra, ujqër, kuaj e pela, gomarë e gomarica që ikin e marrin arratinë me një fërshëllimë të Altin Dumanit, çoban shqiptar i veshur me brekushe amerikane, sa për t’u dhënë goditje kafshëve më të ligështa të fshatit.

Se ky është problemi sot, të dobëtit sulmohen nga të fortët.

Sapo Tigrit ja shkuli dhëmbët Babloku, “kafsha” u ligështua, sa zemra i shkoi tek stomaku, pastaj ju rizgjua egërsia, mori vrapin dhe u strehua në një “shpellë” të vogël në Britaninë e Madhe.

Pas Bablokut, fshatarët u bënë trima, riaktivizuan sjelljet absurde si në fushatat elektorale, ku kundërshtarin e kërcënojnë nga facebooku.

Përmes rrjeteve sociale dhe mediave të inceneratorëve, këtej zhvillohen betejat e mëdha ekonomike, politike, shoqërore e kafshërore.  

-Ju qe jeni kaq trima me Tigrin që ka ikur përgjithmonë, pse lidhni me litar gomarët qe po ju shqyejnë, -i pyet ti?!

E nxorre këtë fjalë, ata mbyllin sytë, të kthejnë prapanicën e behen strucë. Fshehin kokën ose tek Babloku, ose tek Saliu, ose tek Iliri që e ka braktisur liria, se e ndjek SPAK-u.

Secili ndjek secilin, sa bëhen strucë edhe për hijen e vet. 

Askush nuk merret me sfidat apo problemet reale, por me armikun imagjinar.

Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, gjenerojnë nga gjeneza e tyre mospërfillje të theksuar për ligjin dhe qëllojnë drejpërdrejtë programet amerikane, që ta themi, nuk u tuten më shumë se Tigrit të Parajsave fiskale.

Edhe SPAK-u, edhe ndërkombëtarët, flasin si Arben Ahmetaj.

Të zezat tuaja duhet t’i zbardhni ju, është esenca e fjalorit, apo jemi gabim?!

Pra hajdutët e Parlamentit e gjykojnë vetë se cili prej tyre do jetë viktima e radhës.

Në injorim të dëmeve që po shkaktojnë gomarët politikanë, politikanët gomarë, shfaqin krenari për sjelljet qesharake, shpërblyese reciprokisht dhe plot ndjenja false të pavetëdijes trimoshe, kur lëshojnë drejt burgut ndonjërin nga të “vathës” së tyre.

Asnjë fjalë, ende nuk kanë nxjerë nga goja diplomatët rreth skandalit ku inceneratorët që nuk punojnë po ia nxjerrin ujin korrupsionit. Pra, vjedhje publike dhe Babloku ende është i kënaqur se, ose ka blerë heshtjen, ose plaçka ndahet sipas racionit, se popull dele është ky. 

Nga Stani I Bablokut po firojnë më shumë.

Ky është problemi që duket se nuk do të ketë zgjidhje.

Mospërputhja me realitetin, reflekset që kemi në fokus, gërvishtja e interesave egoiste, bëjnë që secili t’ja faturoi mikut fajet e veta. A nuk i kishim deri dje miqtë më të afërt të Bablokut dhe diplomacisë amerikane Arben Ahmetajn dhe ministra e deputetëtë që sot u qendisen diçiturat, antiamerikanë, hajdutë, mish i huaj në trupin kockë e lëkurë të shoqërisë?!

Nëpër shfaqjet teatrale që po t’i shtrydhësh pikojnë panik, fshatarët e kanë të vështirë të mbrohen nga gomarët e pangopur, pasi të tërë njëlloj janë, buzëbardhë. Edhe për t’u trajtuar, trajtohen mirë. U shkëlqen qimja, sa kohë SPAK-u dhe diplomatët flasin si Arben Ahmetaj!/Pamfleti

tigri spak ambasadorët

Lini një Përgjigje