Grushtet në parlament, dhe grabitja e syzeve të ministrit të financave ishin vetëm simbolike. Ndoshta për të mos e parë qarkullimin e parasë së pistë? Ndoshta për ta deleguar fajin. Pra, @-qeverisja, @–parlamenti, @-politika, krejt ...në rrjet.
Jo vetëm në Kosovë. As në Shqipëri nuk është më mirë. As në Serbi. Në Ballkan! Individi është mbi partitë. Lideri e bën partinë, të tjerët janë statistë. Rrjetet sociale janë treguar më efektive se parlamenti. Demokracia parlamentare është nacionale, ndërkaq globalizmi po ofron demokracinë virtuale. Bëhesh deputet me vota nga Kina. Deputet virtual.
Jo se kanë vdekur partitë politike, zot na ruaj nga e keqja. Thjeshtë janë shtrydhur, e kanë përfunduar misionin e tyre historik, mendojnë disa.
Më herët një gazetar e merrte zanatin e politikës në media, pastaj hynte në politikë. Tash një politikan mund të jesh vetëm nëse ke profil interesant në rrjetet sociale.
Një politikan duhet të cicërojë. Duhet të deklarohet për gjithçka aty ku e lexon elektorati. Elektorati i politikës është anembanë planetit. Në profilin tënd shihet kapaciteti yt politik.
Për shembull nëse në profilin tënd, në komentin tënd cicëron ndonjë emër ndërkombëtar, politikan apo i “famshëm” ti je dikush... Votimi pastaj është çështje teknike. Zgjedhjet formale janë çështje teknike. Janë ekspertët e fushatave, kryesisht gazetarë etj, që për shuma të caktuara të bëjnë emër, të fusin në parlament. Natyrisht, paraprakisht të fusin në parti. Të bëjnë alternativë. Alternativa më nuk është ide, është emër!
Në këto rrethana, më së miri është që krejt aktiviteti politik të cicërohet.
Ke një projekt-ligj, cicëroje! Ka ndërruar natyra e demokracisë edhe ndër ne. Parlamenti është shndërruar në ring dhe teatër. Ata që dinë të aktrojnë po e bëjnë, të tjerët që nuk dinë, po sulmojnë. Nëse e rrahë qeverinë, votat zbehen.
Në demokracinë virtuale fjalën e vet e thotë kushdo. Të gjithë votojnë. Askush nuk ka nevojë të flasë në emër të tyre. Kur të mbizotërojë, deputetët do mbeten pa bukë. Kujt ti besosh sot? Këtu dominojnë influencuesit, gazetarët, krijuesit dhe menaxhuesit e krizave, gladiatorët modern në arenën e debateve...pra analistët.
Kanë ndërruar edhe nocionet, profesionet. Kanë dilema, si të trajtohen gazetarët që përfshihen në politikë dhe e organizojnë ... opozitën? Si gazetarë apo si opozitarë? Pra, gazetar nuk bëhesh me vota, por me pëlqime.
Në parim një gazetar duhet të jetë apolitik, i pa përfshirë në interesa... për të qenë gazetar.
Nejse, e filluam pyetjen mbrapsht. As gazetarët nuk janë çfarë kanë qenë dikur. Çdo qytetar që ka elektorat virtual në profilet e tij është gazetar dhe duhet mbrojtur me ligj sikurse edhe gazetarët nëse e respekton kodin. Duke u nisur nga liria e fjalës, kjo duhet të vlejë pavarësisht marrëzirave që këputë.
Në ciklin e gjatë të historisë dilema se kush duhet të sundojë ishte e përhershme. Në Greqinë e lashtë, kishte filozof që thoshin se shtetin duhet ta udhëheqin filozofët. Kjo nuk u bë, pasi logjika e hekurt e tyre rrezikonte të ndrydhte natyrën njerëzore. Pra një shtet ku sundojnë filozofët, do të ishte tepër i dhunshëm, pasi në përpjekje për ta bërë njeriun ashtu si duhet të jetë do të ‘vriste’ natyrën e vërtetë të njeriut. Sot ka ide të tjera. Së paku në Kosovë.
Në Kosovë, ideja kryesore që po qarkullon është se shtetin duhet ta udhëheqin gazetarët dhe influencuesit në rrjete sociale. Ata pëlqehen më shumë se qeveria. Askush më mirë se ata nuk e di se çka i duhet Kosovës. Këtë e vërtetojnë pëlqimet e tyre. Ata po dalin në krye të protestave dhe ato sot bëhen me “profesionistë”. Përse të lodhet populli kur krejt mund të kryhet me “argat”. Disa jetojnë nga protestat.
Pra, do një protestë masive, duhet të paguash. Në pako përfshihen pjesëmarrësit dhe mediat që i japin zë, përkrahje protestës. Në disa pako përfshihen edhe influencuesit. Protestën tuaj do ta përkrahë ky apo ai analist, në këtë dhe atë televizion, në këtë dhe atë portal...gjithçka është e matshme, e sigurt.
Tash, partitë janë kot, shkatërrohen lehtë përbrenda shkaku i luftërave për pushtet, aq sa e humbin fokusin, e humbin edhe qëllimin përse janë formuar dhe programin e deklaruar...pastaj përgjimet, kamerat e fshehta...!
Dilema historike; filozofët apo të fortit, sërish është ngritur nga skaji tjetër: a do të ndikojë demokracia virtuale që natyra njerëzore të ndrydhë komunitetin dhe të forcojë grupet e vogla të interesit dhe anarkinë? Kujt i bën, thua ti?
Sido që të jetë, të rrezikuar nga konkurrenca e medias, partitë tona u ngjallën. Secila sipas mënyrës së vet, u hodhën në veprim. Disa e “shtrydhin” politikën nga kokat e intelektualëve, gazetarëve analistëve e disa... rrihen.
Grushtat në parlament, dhe grabitja e syzeve të ministrit të financave ishin vetëm simbolike. Ndoshta për të mos e parë qarkullimin e parasë së pistë? Ndoshta për ta deleguar fajin. Pra, @-qeverisja, @–parlamenti, @-politika, krejt ...në rrjet.
Kështu, ai që ka më tepër ndjekës dhe ata që kanë më tepër pëlqime do të zgjidhen automatikisht deputetë. Deputet virtual! Do të numërohen edhe pëlqimet nga kina, Rusia, India dhe kushdo që ka zemër që të jap kontribut në demokracinë virtuale kosovare.
Me votë apo me pëlqime, si thoni? Kush na pyet ne, do të thoni?/Pamfleti
Lini një Përgjigje