Si po kthehet Franca në ‘Turqinë e shek. XXI’ në sytë e tregjeve: Normat e borxhit francez arrijnë nivelin e Italisë; një alarm i heshtur për eurozonën që po sheh rënien e një tjetër “të forti”...
Europa po përjeton një lëvizje të pazakontë në tregjet financiare. Për herë të parë, Franca, zemra financiare dhe politike e eurozonës, është futur në të njëjtin thes me Italinë përsa i përket riskut të borxhit publik. Diferenca midis rendimentit të obligacioneve dhjetëvjeçare franceze dhe gjermane (e ashtuquajtura spread) është ngushtuar aq shumë, saqë tregjet po e konsiderojnë Parisin si një tjetër hallkë të dobët në zinxhirin europian.
Një vend që për dekada ka qenë sinonim i stabilitetit fiskal dhe kredibilitetit ndërkombëtar, sot po perceptohet si “i sëmuri i ri i Europës”. Rritja e kostove të huamarrjes për Francën, e cila tashmë kalon disa momente të vështira politike dhe sociale, është sinjal i qartë se investitorët po e shohin me sy më kritik këtë fuqi të madhe kontinentale.
Në të njëjtën kohë, Italia ka parë një rënie relative të normave të saj të borxhit, duke i ngushtuar më tej diferencat me Parisin. Nga një anë, kjo është tregues i disiplinës së përkohshme fiskale të Romës; nga ana tjetër, është paralajmërim për Francën, se statusi i “të paprekshmit” në Eurozonë mund të zhbëhet shumë shpejt.
Banka Qendrore Europiane, edhe pse ka mekanizma mbrojtës në dorë si TPI (Instrumenti për Mbrojtjen e Transmetimit Monetar), nuk ka sinjalizuar ende një ndërhyrje specifike. Por heshtja e saj flet: nëse Franca përshkallëzon drejt krizës, atëherë do të kemi për herë të parë një vend “kryesor” të eurozonës që rrezikon të përçajë stabilitetin monetar të gjithë bllokut.

Për vendet si Shqipëria, që ndjekin nga afër zhvillimet financiare europiane dhe varen në mënyrë indirekte nga investimet dhe kapitalet e BE-së, kjo është një lëvizje që duhet lexuar me kujdes. Një krizë financiare në Francë do të thotë më pak investime në rajon, kushte më të ashpra kreditimi dhe një atmosferë më armiqësore për ekonomitë e vogla që kërkojnë të futen në orbitën europiane.
Europa po ndryshon, dhe për herë të parë, rolet historike po shkëmbehen: Italia shfaqet më e qëndrueshme, ndërsa Franca, paqja fiskale e së cilës ka qenë e vetëkuptueshme, po tronditet. Tregjet nuk falin askënd. Dhe tani, Parisi është në gjunjë.
Europa ka hyrë në një epokë të re ku askush nuk është i paprekshëm. Dhe kur Parisi merr rolin e “Sulltanit” të tronditur, atëherë të gjithë duhet të përgatitemi për lëkundje më të mëdha.
Në këtë kontekst, motua legjendare e Revolucionit Francez: Liberté, Égalité, Fraternité, po shndërrohet në një realitet të ri: Liberté, Égalité, Fragilité. Franca është ende e lirë dhe formalisht e barabartë në tryezën europiane, por dukshëm më e brishtë në sytë e tregjeve./Pamfleti
* Liberté, égalité, fragilité- Liri, barazi, brishtësi
Lini një Përgjigje