TAGS-AT E JAVËS

Editorial 6 Tetor 2025, 10:23

Elysée në krizë: Macron me duart nga qielli!

Shkruar nga Gjergj Zefi
Elysée në krizë: Macron me duart nga qielli!
Sebastien Lecornu /

Dorëheqja e Sébastien Lecornu pas vetëm një muaji thellon krizën e Macron dhe e çon Republikën drejt zgjedhjeve të parakohshme...

Franca është zhytur në një nga krizat më të thella politike të viteve të fundit, pas dorëheqjes së papritur të Kryeministrit Sébastien Lecornu, vetëm një muaj pasi ishte emëruar nga presidenti Emmanuel Macron. Largimi i Lecornu nuk është thjesht një ndryshim në krye të ekzekutivit, por një simptomë e qartë e rrënimit të kohezionit institucional që ka mbajtur në këmbë projektin e Macronit për një qeverisje qendrore dhe “transversale”, përtej ndarjeve klasike të djathtë-majtë.

E ndërsa Parlamenti shkundet nga paralajmërimet për mocione mosbesimi nga të majtët e Partisë Socialiste dhe të djathtët ekstremë të Rassemblement National; Republikanët tradicionalë (LR) paralajmërojnë largimin nga bashkëpunimi me qeverinë, Franca gjendet përballë një kolapsi potencial institucional.

Emërimi i Lecornu më 9 shtator 2025 ishte një përpjekje e fundit nga Macron për të shpëtuar nga izolimi politik, pas rrëzimit të kabinetit Bayrou, të cilit i mungoi besimi parlamentar.

Lecornu, një figurë relativisht e moderuar dhe i njohur për pragmatizmin e tij si ish-ministër i Mbrojtjes, u pa si një teknokrat i aftë për të ndërtuar ura me opozitën. Por në vend të bashkëpunimit, ai u përball me mure të ngritura nga të gjitha krahët politikë. Kritikët e akuzuan për mungesë legjitimiteti demokratik, për faktin që nuk kishte asnjë votë për të në parlament dhe se ishte thjesht një vegël e Macronit. Ai dështoi të krijojë një shumicë të qëndrueshme dhe u përplas me refuzimin frontal të çdo force politike që mund ta shpëtonte qeverinë nga rënia.

Kjo krizë vjen në një kohë të rrezikshme për Francën dhe për vetë Bashkimin Europian.

Në sfondin e luftës në Ukrainë, tensioneve me Rusinë dhe dobësimit të SHBA-ve në arenën ndërkombëtare, mungesa e stabilitetit në Francë mund të shkaktojë efekte zinxhir në mbarë kontinentin.

Lecornu kishte qenë një zë aktiv në mbështetjen për Kievin dhe në nismat për një politikë të përbashkët të mbrojtjes europiane. Dorëheqja e tij krijon vakum në skenën ndërkombëtare, ndërsa Macron duket gjithnjë e më shumë si një president pa instrumentë politikë për të qeverisur.

Për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor, dobësimi i pozitës së Francës në BE mund të ketë ndikime kontradiktore.

Në njërën anë, reduktohet potenciali frenues i Macronit ndaj zgjerimit; një qëndrim që Parisi historikisht e ka mbajtur me shumë rezervë. Në anën tjetër, kjo situatë i jep peshë të shtuar vendeve si Gjermania dhe Italia, që tradicionalisht kanë qenë më të hapura ndaj integrimit të rajonit në BE. Kjo mund të përbëjë një dritare të vogël mundësie për Tiranën, nëse institucionet shqiptare arrijnë të veprojnë me diplomaci të koordinuar dhe të synojnë afrimin me aktorët që aktualisht formësojnë fuqinë reale brenda Unionit.

Ndërkohë në Paris, kriza është vetëm në fillim. Rënia e Lecornu mund të pasohet nga përpjekje të reja të Macron për të formuar një qeveri tjetër, por gjithçka do të varet nga llogaritjet e forcave politike në Parlament. Nëse mocioni i mosbesimit kalon, një gjë që tani duket e pashmangshme, atëherë Franca do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Nëse jo, do të kemi një tjetër qeveri teknike, që do të jetë thjesht një makijazh mbi një sistem që po shkërmoqet nga brenda.

Franca e vitit 2025 nuk është më motor i Europës; është pacienti i saj më i brishtë. Dhe kur Parisi lëkundet, e gjithë Europa përjeton dridhje./Pamfleti

macron me duart nga qielli elyze në krizë gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial