Kjo gjeneratë që nuk e kupton se si mund të jetohet pa celular dhe pa laptop, beson se ndërprerja e Instagramit vetëm për një ditë i shkakton botës më shumë trauma se lufta në Ukrainë.
Para disa ditësh isha në një Universitet dhe pyeta studentët nëse e dinin se çfarë gjenerate janë.
U habita shumë që askush nuk e dinte se 20-vjeçarët e sotshëm që kanë lindur mes viteve 1997 dhe 2012 quhen gjenerata Z.
Përpara tyre ka pasur disa gjenerata si, Silent Generation, e viteve 1928-1945, Baby Boomers e viteve 1946-1964, Gjenerata X e njerëzve që kanë lindur mes viteve 1965-1980, Gjenerata Y e viteve 1981-1996, Gjenerata Z e viteve 1997-2012 dhe e fundit gjenerata Alfa të lindur pas vitit 2013.
Pra në 100 vitet e fundit njerëzimi ndahet në gjashtë gjenerata. Gjeneratat janë kategori shkencore,kulturore dhe historike. P.sh gjenerata Silent, e Heshtura, ka lindur pasi makinat zëvendësuan kuajt, por para se televizorët të hynin nëpër shtëpi dhe ndoshta prandaj quhen të heshtur.
Ata ishin një brez i qetë që i bindej prindërve më shumë se sa gjeneratat e tjera që erdhën më pas, prandaj në këtë brez mund të gjesh njerëz të urtë si Joe Biden por edhe ikona seksi si Elvis Presly që siç thonë e kishte shumë frikë babain e vet. Pas tyre erdhën baby boomers pra gjenerata e fëmijëve të shumtë që lindën pas luftërave botërore kur popullsia e botës sidomos ajo e Perëndimit u pakësua shumë.
Ky brez entuziast që mendoi se luftërat botërore nuk i kishin rregulluar mirë punët e botës përfshin dy njerëzit që po e lënë krejt botën pa gjumë pa e qetësuar dot Donald Trumpin dhe Vladimir Putinin. Ndërsa Gjenerata X, 1965 -1980, lindi pas ndarjes së Europës mes komunizmit dhe kapitalizmit, por shumë përpara se celularët të ishin pjesë e jetës sonë të përditshme.
Ky brez të cilit i përkas, kaloi gati gjysmën e jetës në komunizëm, jo vetëm pa celularë në xhep por edhe pa telefona shtëpie që komunizmi i ndalonte, nga frika se këto pajisje i përhapin lajmet e këqija me shpejtësi duke rritur pesimizmin që është karakteristika kryesore e kësaj gjenerate të egër.
Ndërsa gjenerata Z, e studentëve të sotshëm 20-vjeçarë ka ardhur në jetë bashkë me facebook dhe YouTube që u shpikën në vitin 2005. Kjo gjeneratë që nuk e kupton se si mund të jetohet pa celular dhe pa laptop, beson se ndërprerja e Instagramit vetëm për një ditë i shkakton botës më shumë trauma se lufta në Ukrainë.
Në përgjithësi gjeneratat ndahen me 25 vjet nga njëra tjetra. Në këtë mënyrë prindërit dhe fëmijët nuk përplasen. Në asnjë rast ata nuk janë pjesë e të njëjtës gjeneratë sepse fëmijët duhet të rregullojnë atë që prindërit e kanë bërë keq, ose nuk e kanë bërë dot fare. Mirëpo gjeneratat nuk ndahen vetëm nga mosha. Në shumë raste ato ndahen nga shenja që lënë në histori. Nëse do përpiqesha të bëja një dallim mes brezave që kanë bërë historinë moderne të Shqipërisë ato do ishin tre.
Gjenerata e parë është ajo e Pavarësisë. Për hir të së vërtetës kjo është një gjeneratë shumë mashkullore që nuk lejoi asnjë grua të merrte rol në punët e vendit, por që duke bashkuar një grusht burrash në vitin 1912 e shpalli Shqipërinë të pavarur nga Pushtimi Osman që zgjati 500 vjet. Kjo gjeneratë në krye të së cilës shkëlqejnë Ismail Qemali dhe Ahmet Zogu, qeverisi për 33 vjet dhe e la Shqipërinë shumë më mirë se ç’e gjeti.
Megjithëse në atë kohë mosmarrëveshjet zgjidheshin me armë, ata votonin, organizonin zgjedhje të lira dhe shanin njëri-tjetrin sa të donin nëpër gazetat e ditës. Ata filluan të ndërtojnë kapitalizmin duke e tërhequr me qerre nëpër moçalet që mbulonin gjysmën e Shqipërisë dhe me siguri do t’ia dilnin nëse fashizmi nuk do t’ua kishte marrë pushtetin për t’ia dhënë komunistëve të gjeneratës tjetër.
Gjenerata e dytë e rëndësishme është ajo e të rinjve që e çliruan Shqipërinë nga nazifashizmi në vitin 1944 dhe që u bënë komunistë. Kjo gjeneratë që ishte shumë më femërore dhe seksi se të gjitha gjeneratat përpara saj dhe ndoshta prandaj pati pëlqim masiv, mund të quhet Gjenerata Antifashiste.
Me gjithë gabimet qe bëri më vonë, duke fshirë pluralizmin, pronën private dhe shtypin e lirë ky brez e qeverisi Shqipërinë për 45 vjet. Është një debat i madh, nëse kjo gjeneratë e la Shqipërinë më mirë apo më keq se çe gjeti në vitin 1944.
Unë them se e la më keq. Gjyshërit e mi që i përkasin këtij brezi nuk më kundërshtojnë dot sepse nuk janë më.
Megjithatë nëse do t’ia njihja një meritë që shkëlqen, është se ata bënë arsimin dhe universitetet ku studiuan gjeneratat që erdhën pas tyre. Gjenerata e tretë me ndikim në historisë tonë moderne është ajo e vitit 1990 që mund të quhet Gjenerata e Demokracisë. Ky brez që nuk njihte as pronën private dhe as lirinë po e qeveris Shqipërinë prej 35 vitesh.
Kur flas për qeverisje nuk kam parasysh vetëm drejtimin e shtetit, por të ekonomisë, të kapitalit, të bankave, të tregut, të medias, të artit, të sportit dhe të parasë. Këta njerëz që sot janë mes 50 dhe 70-vjec, kanë bërë gjëra që prindërit e tyre nuk dinin ti bënin dhe që fëmijët e tyre nuk duhet ti bëjnë. Ky brez do e lërë Shqipërinë shumë më mirë se ç’e gjeti dhe kjo është medalja e tij më e vlefshme.
Për fat të mirë kjo gjeneratë ka arritur gjithçka në 35 vjet me përjashtim të një gjëje. Ajo nuk di akoma kujt do t’ia lërë Shqipërinë. Cilit brez? Cilës gjeneratë?
Këto pyetje më shkonin në kokë kur u flisja studentëve 20-vjeçarë të cilët as vetë nuk e dinin cilës gjenerate i përkasin. Kur i shikoja të ulur duke dëgjuar leksionet e mia për jetën, uroja që të ishin pak më të çmendur.
Kur them më të çmendur kam parasysh njerëz që rebelohen, që organizohen, që ndryshojnë rregullat, që kundërshtojnë, që bëjnë gabime dhe nuk heqin dorë, që mbrojnë mendimet e tyre edhe kur ja fusin kot, që përçmojnë shumicën e gjërave që janë krijuar para tyre, që janë gjithmonë të pakënaqur, që bëjnë aventura, që janë të guximshëm, që arrijnë të kuptojnë çfarë kanë bërë keq prindërit dhe që në asnjë moment nuk mendojnë se prindërit kanë bërë çdo gjë mirë.
Pakënaqësia i lind brezat, uria i ushqen, kurse etja për gjëra të panjohura i rrit. Gjenerata X të cilës i përkas ishte gjithë kohën e pakënaqur. Koha tregoi se ishte dhe e palodhur. Shqipëria e sotme është pothuajse 70 për qind produkt i këtij brezi të egër, të pangopur, dhe deri diku të pamëshirshëm. Ky brez shkatërroi çdo gjë që kishin bërë prindërit dhe përveç respektit nuk i dha atyre asnjë pushtet.
Askund në Evropë, as në Perëndim, as në Lindje, nuk ka pasur një gjeneratë që trashëgoi një vend më të varfër dhe e rindërtoi nga e para për 35 vjet. Kjo do të thotë të jesh i çmendur. Nuk e shpjegoj dot nga lindi kjo fuqi, jo uri për të shkatërruar çdo gjë dhe për të ribërë çdo gjë, por pa këtë furi Shqipëria do ishte një vend i varfër ish komunist çka nuk është më.
Tani që kanë kaluar 35 vjet kjo gjeneratë pret një brez tjetër po aq të çmendur për t’ia lënë Shqipërinë në dorë.
Unë shpresoj shumë se ky brez po vjen për të rregulluar çdo gjë që prindërit e kanë bërë keq ose nuk e kanë bërë dot. Kjo që pritet të vijë do jetë gjenerata e katërt e rëndësishme e Shqipërisë, Gjenerata Evropiane.
Ajo duhet ta fusë Shqipërinë në Evropë. Jam i bindur që ky brez do vijë herët apo vonë, por çështja është a do jetë aq i çmendur? Uroj shumë që po.
Shqipëria është produkt i gjeneratave të çmendura të cilat bëjnë gabim vetëm kur përtojnë të çmenden.
Ku eshte arsimuar ky individ?...
Shqiperine e kane marre ne dore te cmendurit e droges dhe korrupsionit (gjenerata X). Ata te "Z" nuk dine nese mund te shkruhen edhe ata tek gjenerata "X"!?
E para ,duhet te jemi realist. Brezi qe qeverisi Shqiperine per 45 vjet e la popullin te varfer por Shqiperine te pasur. Zhduku anafalbetizmin, hapi universitete, spitale e institucione kulturore.E shtoi token bujqesore nga 200mije Ha ne 450 mije Ha, realizoi Bonifikimet, ndertoi hidrocentralet (qe shyqyr qe s,na e mbajti ti prishim mbas 90-s), ndertoi minierat dhe 500 uzina e fabrika dhe mbi te gjitha Shqiperia nuk kishte asnje dollar borxh,etj,etj. Gjenerata mbas 90 sigurisht qe ka arritje por me gabime gati fatale per vendin. Borxhi 5 miliarde, shkolla ,kultura dhe shendetesia pa asnje institucion serioz dhe mbi te gjitha rinia e ikur neper rruget e botes. Nje klase politike qe nuk mund te afrohet fare me ate te mbas 1912.
Ky person ku rshte ardimuar dhe ne cilin grup perfshihet?
Beje nje romah.....
Nje corbe mendimesh e opinionesh personale.
Ne na duhet ? Në silin e "Kush jeni ju zoti Sorge", kush jeni ju zoti Blushi ?