TAGS-AT E JAVËS

Editorial 2 Tetor 2025, 13:41

Të përkëdhelurit e Brukselit

Shkruar nga Gjergj Zefi
Të përkëdhelurit e Brukselit
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç /

Stabiliteti i rremë i autokratëve...

Edi Rama në Tiranë dhe Aleksandar Vuçiç në Beograd janë dy liderë që e kanë kuptuar më mirë se kushdo tjetër se si të blejnë heshtjen e Perëndimit: duke shitur stabilitetin si produkt politik dhe duke ofruar bindje strategjike ndaj Brukselit në këmbim të lirisë për të qeverisur si të duan. Sot, Ballkani Perëndimor është më pak demokratik, më shumë i kapur, dhe më i rrezikuar nga rikthimi i autoritarizmit, jo prej forcës së brendshme të këtyre liderëve, por nga kompromisi i turpshëm që fuqitë perëndimore kanë zgjedhur të bëjnë me ta.

Rama dhe Vuçiç janë dy faqe të së njëjtës medalje ballkanike: autokratë modernë, të cilët e kanë kuptuar mjeshtërisht se si të përdorin gjuhën e Perëndimit për të çuar përpara agjendat e tyre personale të pushtetit të pakufizuar. Të dy janë rritur politikisht në një klimë post-konflikti, ku stabiliteti është shndërruar në valutën më të fuqishme të rajonit dhe e kanë kapitalizuar këtë me mjeshtëri, duke u ofruar Brukselit, Berlinit e Washingtonit një garanci: qetësi në shkëmbim të lirisë për të qeverisur pa kontroll.

Në Serbi, Vuçiç luan rolin e balancuesit mes Lindjes dhe Perëndimit, duke flirtuar me Moskën dhe Pekinin, por duke mbajtur një retorikë të moderuar pro-BE kur i duhet.

Në Shqipëri, Rama e ka maskuar gjithçka me fjalor euro-atlantik, me estetikë perëndimore dhe teknokraci digjitale, por në thelb ka instaluar një regjim të kontrollit vertikal, ku pushteti është i përqendruar si asnjëherë më parë. Ata nuk qeverisin me ligj, por me arrogancën e legjitimitetit që mendojnë se ua jep vota e manipuluar dhe mbështetja e jashtme.

BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë nuk janë naivë. E dinë shumë mirë se në Tiranë dhe në Beograd nuk funksionon as drejtësia e pavarur, as media e lirë, as ndarja e pushteteve. Por zgjedhin të heshtin. Për Vuçiçin, sepse është garanci për mos-shpërthimin e një tjetër vale nacionalizmi agresiv. Për Ramën, sepse është i “besueshëm” për të menaxhuar emigrantë, për të implementuar projekte infrastrukturore dhe për të mbajtur Shqipërinë në vijën e interesave perëndimore në rajon.

Ky realitet është i rrezikshëm. Ai legjitimon autokracinë e butë, në emër të stabilitetit. Dhe krijon një precedent: që sa kohë je i dobishëm për fuqitë e mëdha, mund të qeverisësh si të duash në vendin tënd. Ky model po eksporton regres demokratik në të gjithë rajonin. Serbia është sot një shtet gjysmë-autoritar. Shqipëria po e ndjek hap pas hapi. Dhe kjo ndodh jo sepse Vuçiç apo Rama janë gjenialë, por sepse BE-ja ka zgjedhur ta shohë Ballkanin me syzet e kompromisit të ulët, dhe jo të vlerave që predikon.

Nëse Evropa nuk ndërron kurs, do të përballet nesër me një Ballkan të pakënaqur, të paqëndrueshëm dhe të mbushur me liderë që nuk besojnë më te demokracia, por vetëm te menaxhimi i perceptimit. Dhe në atë pikë, do të jetë vonë./Pamfleti

të përkëdhelurit e brukselit gjergj zefi

Lini një Përgjigje

Editorial