TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Korrik 2026, 12:30

Deklarata e eurodeputetit Zdechovsky, Vokshi: Rama të sqarojë akuzat, SPAK të nisë hetimet

Shkruar nga Pamfleti
Deklarata e eurodeputetit Zdechovsky, Vokshi: Rama të sqarojë akuzat,
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas deklaratave të eurodeputetit Tomas Zdechovsky, i cili ngriti dyshime se kryeministri Edi Rama mund të ketë transferuar para jashtë Shqipërisë përmes familjarëve të tij.

Në një deklaratë për mediat, Vokshi tha se pretendimet e eurodeputetit janë serioze dhe se përbëjnë një sinjal të rëndësishëm politik nga institucionet europiane. Sipas saj, mesazhi që përcillet është se qeveria shqiptare po dëmton procesin e integrimit europian të vendit.

"Këto janë akuza jashtëzakonisht të rënda, të bëra publikisht nga një zyrtar i lartë europian. Mesazhi i qartë për qytetarët është se Edi Rama po pengon procesin e integrimit. E megjithatë, deri më sot, Kryeministri Rama vazhdon të heshtë, si asnjëherë tjetër", u shpreh Vokshi.

Deputetja demokrate tha se Partia Demokratike kërkon një reagim publik nga kryeministri, si edhe nisjen e një hetimi nga Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare.

Po ashtu, ajo njoftoi se opozita do të rikërkojë ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar udhëtimet me charter të kryeministrit.

"Partia Demokratike kërkon: sqarim publik nga Edi Rama; nisjen e hetimit të SPAK në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë; bashkëpunim të plotë të institucioneve shqiptare me autoritetet europiane; dhe rikthimin e kërkesës për Komision Hetimor Parlamentar mbi udhëtimet me charter të Kryeministrit", tha demokratja.

Deklaratat e Vokshit vijnë pas qëndrimit publik të eurodeputetit Tomas Zdechovsky. Pretendimet e tij janë komentuar nga opozita, ndërsa deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga Kryeministria lidhur me këto deklarata.

deputetja e partisë demokratike albana vokshi rama eurodeputeti tomas zdechovsky

Lini një Përgjigje