Ndërtimi i “Rozafës” së betonit, i bekuar nga Edi Rama dhe heshtja e Benet Becit, rrezikon të kthejë Shkodrën nga kryeqyteti i kulturës shqiptare në një katund prej betoni, pa shpirt e pa identitet…
Ardhja e Benet Becit në Shkodër si kryebashkiak kishte si një rezultante rikthimin dhe ringjalljen e lavdisë së dikurshme të Shkodrës. Asaj Shkodre që ka sjellë në hapësirën shqiptaret një imazh elegance, qytetarie e mbi të gjitha kulture.
Por vjen një ditë, dhe Edi Rama, pasi mbushi Tiranën me kulla dhe dha leje të ngjashme në Korçë e Vlorë, vendosi pa iu ‘dridhur qerpiku’ që të bëjë të njëjtën gjë edhe në Shkodër. Pikërisht në vendin ku ndodhet kompleksi ikonik “Rozafa”, ku tani synon të ngrejë një kullë që do të mbajë po atë emër.
Asnjë reagim. As nga mazhoranca me Benetin në krye, as nga opozita, shoqëria civile, studentët apo pedagogët. Heshtje totale. Jo vetëm sepse lejen e ka dhënë vetë “lartgjatësia e tij” nga Tirana, por edhe sepse askush nuk guxon të thotë një fjalë kundër. Por ç’lidhje ka Shkodra me kullat? Shkodra nuk është një qytet me zhvillim frenetic territorial, nuk është një qytet që ka nevojë për ndërtime vertikale, nuk është në krizë për hapësira ndërtimi. Përkundrazi, Shkodra ka qenë e mbrojtur nga ethet e betonit, një fat që e ka shpëtuar autenticitetin e saj urban.
Megjithë abuzimet dhe korrupsionin ndër vite, Shkodra ka ruajtur mëhallat, rrugicat dhe frymën e qytetit të vjetër. Kjo e ka bërë një destinacion tërheqës për turistët e huaj, që e vizitojnë për origjinalitetin e saj. Ajo është një nga qytetet e pakta të mëdha që nuk është infektuar nga virusi i “kërpudhave” ndërtuese. Sepse ata që pastrojnë para, gjithmonë kanë synuar Tiranën, aty ku çmimet janë më të larta, fitimet më të mëdha dhe pastrimi më i shpejtë.
Ndërtimi i kullës në Shkodër nga Edi Rama nuk është gjë tjetër veçse një sinjal për oligarkët dhe pastruesit e parave të pista: “El Dorado është hapur, hidhuni”. “Rozafa” e re e betonit mund të bëhet mallkimi që do të lindë shumë binjake të tjera, që do ta kthejnë Shkodrën në një makabritet arkitektonik, njësoj si Tirana apo Vlora dhe Korça, që humbën fytyrën e tyre.
Kulla e Shkodrës nuk duhet lejuar. Sepse në momentin që do të ngrihet e para, Shkodra do të ketë hapur varrin e saj. Do të humbasë shpirtin, historinë dhe identitetin, duke u kthyer në një tjetër katund prej betoni, si pjesa tjetër e vendit, pa referenca historike, kulturore dhe shpirtërore, që po mbytet nga etja për fitim./Pamfleti
T U R P.
Kullat, rama i krahason me nje koleksion arkitektonik me shume vlera. Ne fakt pervec pastrimit te padiskutueshem te parave te trafikanteve jane dhe shperfaqje dhune brutale mbi qytetin dhe qytetaret. Nuk duhet harruar dhe perzgjedhja jo transparente dhe korruptive e «investitoreve » dhe arkitekteve te huaj.
Mode komuniste. Vec pallate gjithkund. Pa fe shijet e pa dobie. Lum ne per kta qe kena e lum kto per ne qe i mbajme ne pushtet