TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë31 Maj 2025, 16:05

Shqipëria prej dy vitesh pa ambasador amerikan, cilat janë planet e Trump për të korruptuarit e Tiranës?

Shkruar nga Pamfleti
Shqipëria prej dy vitesh pa ambasador amerikan, cilat janë planet e
Rama-Berisha-Trump

Ambasada duket sikur po lajmëron se atyre u është sosur durimi, si me të majtët ashtu dhe me të djathtët...

Prej 2 vitesh, ambasada amerikane në Tiranë nuk ka një ambasador në krye të saj. Në qershor të vitit 2023, Yuri Kim u largua nga Shqipëria dhe prej asaj kohe, ka pasur vetëm të dërguar të posaçëm.

Gjatë kohës që Biden ishte president, ai nominoi në këtë post David J. Kostelancik. Por kandidatura e tij u zvarrit derisa u “dogj”. Ai doli para Senatit, por emri nuk arriti të hidhej për votim. Që në verën e 2023, politika shqiptare ka “hedhur valle”, pasi të gjithë e dimë rëndësinë e ambasadës së SHBA. Të gjithë vinin në rresht para ambasadores Yuri Kim apo paraardhësve të saj.

Momentalisht, nuk ka asnjë sinjal nga Uashingtoni për emërimin e ambasadorit të ri. Edhe pse Trump ka emëruar diplomatë në shumë vende, ai ka paralajmëruar një politikë të re në fushën e jashtme.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave, ambasada e SHBA ka lëshuar disa mesazhe të koduara, të cilat e kanë vënë në alarm politikën shqiptare. Që nga urimi për zgjedhjet, ku nuk u përmend as Rama dhe as akuzat e opozitës, deri te deklarata e Zëvendës Sekretarit të Shtetit Christopher Landau në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Mesazhi i këtij të fundit duket se ishte një goditje e fortë si për Ramën, ashtu dhe për Berishën dhe gjithë ata që kanë gjithë jetën në politikë dhe mbajnë peng këtë vend. Ambasada duket sikur po lajmëron se atyre u është sosur durimi, si me të majtët ashtu dhe me të djathtët.

Duke parë këto reagime, sinjalet janë se Uashingtoni do të sjellë një ambasador që nuk do të tolerojë askënd. Pra një tjetër Yuri Kim?

Nëse kthehemi pak vite pas, Yuri Kim ishte një ambasadore e ardhur në Tiranë me firmën e Donald Trump. Më 28 qershor 2019, Trump propozoi Kim për ambasadore në vendin tonë. Procedurat zgjatën dhe ajo erdhi në Tiranë në janar të vitit 2020. Pra, në vitin e fundit të administratës së Trump.

Të gjithë e dimë se çfarë bëri Kim. Ajo u kthye në armiken më të madhe të Sali Berishës. Falë presionit të saj, ai u shpall i padëshiruar në SHBA dhe u përjashtua nga grupi parlamentar i PD. Po ashtu, në shumë raste ishte shumë e ashpër me Edi Ramën. Të gjithë mezi e pritën largimin e saj.

Atëherë, kë do të sjellë Trump? Se mos kushedi ua ngrin fare buzëqeshjet të korruptuarve tanë me të zgjedhurin e tij. /Pamfleti

Lini një Përgjigje