TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë29 Maj 2025, 10:14

Mesazhi misterioz i Ambasadës Amerikane

Shkruar nga Sokol Pepushaj

 Mesazhi misterioz i Ambasadës Amerikane

 Ambasada foli dhe s’tha asgjë: Poezi e zezë për Ramën dhe Berishën...

Në mesazhin e ambasadës amerikane pas zgjedhjeve të 11 majit, mungonin emrat, por jo malli për liri; mungonte fituesi, por jo akuza për humbësin; mungonte fitorja, por jo dëshpërimi.

As fitues, as humbës. As përshëndetje për Edi Ramën, as keqardhje për Sali Berishën. Asnjë përmendje për partinë-shtet dhe asnjë rresht për kryengritësin e pashpallur. Vetëm një poezi e errët, me kode të mbështjella në pambuk diplomatik, por me gjilpëra të mprehta që lanë gjurmë në dy kampet e së keqes shqiptare.

Ky nuk ishte një mesazh urimi. Ishte një detonator me silenciator, i përgatitur në laboratorin e diplomacisë së vjetër amerikane, për të treguar se ajo që ndodhi më 11 maj nuk ishte zgjedhje, por as rënie. Ishte një kapitull i errët që nuk do të lexohet dot në asnjë tekst demokratik.

Në murin e ambasadës, për herë të parë pas shumë kohësh, nuk u var portreti i fituesit të shpallur, por u ngjit heshtja e frikshme e një vendimi të prerë. Nuk u përmend numri magjik 83, as 1 milionë votat e neveritura, as rezultatet e fryra që do t’i turpëronin edhe kutitë e 26 majit të 1996-s.

Sepse mesazhi nuk kishte fitues.

Edi Rama e kuptoi i pari: nuk është më i preferuari i askujt, përveç hijes së vet në pasqyrë. Ai që mendoi se do përshëndetej për “mrekullinë e katërt”, e gjeti veten të përmendur asgjëkund, me propagandën e vet që u kthye në meme dhe memet që u kthyen në prova.

Sali Berisha e kuptoi më vonë: kur nuk përmendesh në asnjë mesazh, je thjesht një hije që përbën problem, por nuk meriton as trajtim politik, as ndëshkim diplomatik. Ti je një kufomë politike në kërkim të ringjalljes, që rri në karrige, në detyrim paraqitje dhe shpall revolucion nga kafja.

Në këtë realitet kafkian, ku protokolli diplomatik duket si letër e bardhë, në të cilën secili projekton mëkatin e vet, një emër goditi më fort se të gjithë: Senatori Marko Rubio. Ai nuk përmendi Ramën e Berishën, por foli për zyrtarë që do u ndalohet viza në SHBA për shkak të shkeljes së lirisë së fjalës dhe shtypjes së individëve.

Pra foli për të dy, dhe gjithë regjimet e vogla që ata kanë ndërtuar, me patronazhistë, me polici online, me shantazh, me memexhinj të paguar që spiunojnë profilin e fqinjit në Facebook. Kjo është Policia e Mendjes së Re, që ambasada nuk e përmendi, por e shpalli të padëshiruar me heshtje.

Zgjedhjet? Procesi teknik u përshëndet. Siç përshëndetet ora që mat kohën në një funeral. Nuk kishte emocion, nuk kishte shpresë, nuk kishte zgjedhje. Kishte kuti, banditë, që blinin votën si kastravecat në treg dhe ambasadë që i pa të gjitha, por nuk tha asgjë.

Sepse emrat i dimë ne. Njëri që vodhi dhe tjetri që humbi. Por që të dy u përmendën pa u përmendur, dhe kjo është vrasja më e bukur që mund t’i bëhet dy mashtruesve më të mëdhenj të politikës shqiptare./Pamfleti

mesazhi misterioz i ambasadës amerikane

Lini një Përgjigje