
Ajo që nisi si një përpjekje lokale për të shpëtuar ekosistemin e ndjeshëm të Vjosa-Nartës, tashmë është shndërruar në protestën më të madhe qytetare në historinë moderne të Shqipërisë. Ky shpërthim i revoltës popullore kundër projekteve miliardere të familjes Trump po sfidon hapur modelin ekonomik të qeverisë dhe po detyron ndryshimin e ligjeve për investimet strategjike.
“Jam këtu sepse nuk dua që toka e të parëve të mi t’u shitet investitorëve të huaj dhe të shkatërrohet prej tyre”, thotë një student universiteti, ndërsa mban në dorë një pankartë ku shkruhet “Ndal korrupsionit”.
Është mesnatë. Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ndodhemi në mes të një proteste gjigante kundër qeverisë. Dhjetëra mijëra njerëz po marshojnë në qendër të qytetit. Ky reagim qytetar është pjesë e një kryengritjeje të nxitur nga planet për ndërtimin e një resorti masiv luksoz.
Projekti, i cili do të shtrihet në një zonë me ekosistem tejet delikat në bregdetin jugor, mbështetet nga vajza e Donald Trump-it, Ivanka Trump, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.
Protestat masive në Shqipëri po hyjnë tashmë në muajin e tyre të tretë.
Flamingot janë kthyer në simbolin kryesor të këtyre demonstratave mbarëkombëtare, të cilat nisën pikërisht për të kundërshtuar projektin ndërtimor në habitatin e ndjeshëm të shpendëve.
Ky projekt bregdetar prej 4.6 miliardë dollarësh synon të kthejë Sazanin, të vetmin ishull të Shqipërisë dhe ish-bazë ushtarake e periudhës komuniste në Detin Adriatik, si dhe një pjesë të madhe të zonës së mbrojtur Vjosa-Nartë, në një kompleks gjigant me hotele, apartamente dhe vila.
Ky rajon është një stacion kyç për flamingot shtegtarë dhe shërben si shtëpi për më shumë se 2.000 specie të tjera. Mes tyre përfshihen 200 lloje shpendësh dhe kafshë në rrezik zhdukjeje, si breshka e detit Caretta caretta dhe foka e Mesdheut.
Në fund të prillit, kur fadromat nisën të pastronin tokën brenda zonës së mbrojtur, ambjentalistët dhe banorët e fshatit Zvërnec e të qytetit të Vlorës (rreth 8 km larg kantierit) dolën në protestë.
Ndër të tjera, ata akuzojnë Kryeministrin Edi Rama, i cili qeveris që nga viti 2013, se ka ndryshuar ligjin për zonat e mbrojtura thjesht për t'i hapur rrugë Kushner-it dhe Trump-it që të ndërtojnë të ashtuquajturin “eko-resort”.
Pasi rojet private të sigurisë përdorën dhunë ndaj demonstruesve në një prej këtyre tubimeve, lëvizja u zhvendos në Tiranë dhe u përhap me shpejtësi në qytete të tjera. Qindra mijëra njerëz dolën në rrugë për të shprehur revoltën e tyre.
Ky projekt luksoz duket se zgjoi pakënaqësitë e thella që shqiptarët kishin ndaj qeverisë, duke ndezur protestën më të madhe qytetare në vend që nga rënia e komunizmit. Ai që sot njihet si “Revolucioni i Flamingove” është kthyer në kërcënimin e parë serioz për pushtetin e Ramës.
Planet për këtë projekt me dy faza zënë fill që në vitin 2021, kur Trump dhe Kushner vizituan për herë të parë rajonin. Disa muaj më vonë, ata i kërkuan Ramës leje për të investuar në një zonë që ishte pjesë e rezervatit Vjosa-Nartë.
Gjërat morën hov në fillim të vitit 2024, kur qeveria shqiptare ndryshoi ligjin për të lejuar investimet turistike në zonat e mbrojtura. Fill pas kësaj, Kushner publikoi planet e para të projektit, i cili parashikon ndërtimin e deri në 10.000 vilave luksoze në një habitat kaq të ndjeshëm, përgjatë disa prej plazheve të fundit të egra të vendit.
Në dhjetor të atij viti, Rama i dha kompanisë së Kushner-it, Atlantic Incubation Partners LLC, statusin e “investitorit strategjik”, një mekanizëm i krijuar në vitin 2015 për të thithur kapitalin e huaj. Ky status u lejon investitorëve të shfrytëzojnë pronat publike dhe të shmangin burokracitë administrative.
Aktivistët deklarojnë se projekti Trump-Kushner po ngrihet mbi një tokë ekologjikisht të ndjeshme dhe në një habitat kritik. Po ashtu, ata vënë në dukje se rezervati Vjosa-Nartë po përballet edhe me presionin e një aeroporti që po ndërtohet brenda zonës së mbrojtur për të rritur turizmin.
Edhe pse aeroporti nuk ka ende licencë fluturimi, terminali dhe pista janë pothuajse gati. “Aeroportet sjellin shumë projekte të tjera infrastrukturore rreth tyre, jo vetëm rrugë e parkingje, por edhe biznese që u shërbejnë atyre”, thotë Gabriel Schwaderer, drejtor ekzekutiv i EuroNatur, një organizatë jofitimprurëse për mbrojtjen e biodiversitetit në Europë.
“Duket se plani i vërtetë është kthimi i të gjithë deltës në një qendër banimi për turistët. Shumë habitate do të tjetërsohen ose do të shkatërrohen plotësisht”, shton ai. Në fund të prillit të këtij viti, qeveria lëshoi lejen e parë të ndërtimit për punimet përgatitore dhe makineritë zbritën në terren.
Protesta e parë shpërtheu në fillim të majit, kur aktivistët vendas panë mjetet e rënda që po hynin në zonën e mbrojtur. Ata nisën të shpërndanin mesazhe në rrjetet sociale duke alarmuar komunitetin.
“Shumë njerëz shkuan atje dhe filluan të dokumentonin dëmet që po i shkaktoheshin ekosistemit. Në atë kohë, as vetë banorët vendas nuk e dinin se çfarë po ndodhte", thotë Joni Vorpsi, ekolog dhe aktivist i organizatës PPNEA.
Në mes të majit, në Zvërnec, përgjatë vijës bregdetare përballë lagunës së Nartës, u ngrit një gardh rrethues që tërhoqi edhe më shumë vëmendje. “Mendoj se ai gardh u ngrit që njerëzit të mos shihnin dhe të mos dokumentonin çfarë po bëhej në kantier”, shton Vorpsi. Por, në vend që t'i heshtte njerëzit, gardhi e ngriti edhe më shumë zemërimin. Që nga ai moment, protestat u zhvendosën në qytetin e Vlorës. “Tre protestat e para ishin thjesht kauza mjedisore”, thotë Baki Goxhaj, një aktivist me origjinë nga Vlora që iu bashkua tubimeve.
“Pas protestës së tretë diçka ndryshoi dhe lëvizja mori përmasa më të gjera”, shrpehet ai. Ajo filloi të afronte njerëz të shqetësuar për korrupsionin, mungesën e perspektivës për vendasit dhe modelin e gabuar të zhvillimit të vendit.
Më 30 maj, situata u tensionua. Sipas Vorpsit, roje private të maskuara sulmuan protestuesit, duke lënë disa të plagosur. Lajmi për dhunën ndaj protestuesve paqësorë u përhap me shpejtësi dhe revolta plasi në mbarë vendin.
Në kulmin e saj, më 20 qershor, rreth 250.000 njerëz u mblodhën në rrugët e Tiranës. Mediat i quajtën ata “flamingot”, për shkak të simbolikës së këtyre shpendëve shtegtarë dhe rëndësisë së habitatit që po shkatërrohej.
“Ne e prisnim këtë”, thotë Fioralba Duma, një protestuese nga Tirana, pjesë e grupit qytetar Kolektivi i Mesdheut. “Kjo revoltë duhej të kishte nisur shumë më herët... Por Narta u kthye në një kauzë ku ndërthuren shumë beteja. Në lojë janë mbrojtja e mjedisit, prona private, trashëgimia që do t’u lihet brezave të ardhshëm, e drejta për të pasur akses në det, por edhe për modelin grabitqar të investimeve pas rënies së komunizmit, autoritarizmin dhe dhunën policore”.
Edhe pse “Revolucioni i Flamingove” u ndez nga projekti Trump-Kushner, ai po zhvillohet në kohën e një bumi të jashtëzakonshëm turistik. Numri i turistëve në Shqipëri u rrit nga 4 milionë në vitin 2014 në mbi 11 milionë në vitin 2024.
Ligji i Ramës për investitorët strategjikë ka qenë shtytësi kryesor i këtij vrulli. Ndonëse turizmi ka sjellë përfitime për disa biznese të vogla, kritikët vënë në dukje se turizmi luksoz pasuron vetëm investitorët e mëdhenj, ndërsa rrit koston e jetesës për banorët. Vlonjatët po e vuajnë përditë këtë. Popullsia po përballet me rritjen e çmimeve, mungesën e shërbimeve bazë - si kanalizimet dhe menaxhimi i mbetjeve - dhe me vende pune që paguhen shumë pak.
“Në Vlorë ekziston prirja që çdo hapësirë të lirë ta mbushim me beton”, thotë Goxhaj. “Kjo është mendësia e njerëzve lakmitarë dhe të uritur për para, që nuk duan t’ia dinë as për mjedisin e as për cilësinë e jetës. Ata thjesht gjejnë një copë tokë, firmosin marrëveshjen dhe ngrenë hotele gjigante”, thekson më tej ai.
Sidoqoftë, “flamingot” kanë shënuar disa fitore gjatë këtyre dy muajve protestë. Punimet në Zvërnec u pezulluan më 9 qershor, në pritje të një raporti për ndikimin në mjedis, ndonëse vendasit thonë se makinat vazhdojnë të hyjnë e të dalin nga kantieri.
Po ashtu, në mes të korrikut, Rama njoftoi se vendi do të ndryshojë ligjin e vitit 2024 për zonat e mbrojtura dhe do të shfuqizojë ligjin e vitit 2015 për investimet strategjike. Të dyja këto tërheqje vijnë pas kritikave të Bashkimit Europian dhe duket se lidhen me synimin e Ramës për të anëtarësuar Shqipërinë në BE brenda vitit 2030.
Pavarësisht kësaj, kryeministri nuk e ka anuluar projektin dhe shumë protestues nuk i besojnë lëvizjet e tij. “Ai po përpiqet të fitojë kohë që ta çojë projektin përpara. Nuk mund t'i besojmë Ramës, ndaj duhet të qëndrojmë vigjilentë. Nga ana tjetër, edhe BE-ja duhet të ndalojë së bëri syrin qorr dhe ta marrë seriozisht këtë çështje”, thotë Vorpsi. Organizatorët shpresojnë që presioni i ndërkombëtarëve të sjellë ndryshim. Disa prej tyre po imagjinojnë që tani një Shqipëri ndryshe. Goxhaj mendon se zona e mbrojtur Vjosa-Nartë duhet të zgjerohet, ndërsa në Sazan mund të ketë një turizëm të kontrolluar. “Por gjithçka duhet të mbetet nën mbikëqyrjen e rreptë të shtetit dhe e hapur për të gjithë shqiptarët. Sazani është pronë e qytetarëve dhe jo e biznesmenëve të pasur”, deklaron ai.
“Ajo që duam është një vend i ri për shqiptarët, ku njerëzit e respektojnë tokën dhe pasuritë e tyre natyrore. Mbrojtja e mjedisit do të jetë shtylla jonë kryesore në rrugëtimin drejt një Shqipërie të përgjegjshme, aktive, demokratike dhe me pjesëmarrje qytetare”, thekson aktivistja Fioralba Duma./ Përshtati "Pamfleti" nga “Earth Island Journal”
Lini një Përgjigje