
Projekti “Tirana Riverside” i lë qindra familje në harresë: Pa tapi pronësie, me kontrata të paqarta dhe detyrime financiare shtesë për apartamente që iu imponuan me dhunë…
Lagjja “5 Maji”, në veri të Tiranës, është kthyer në qendrën e një plani të diskutueshëm dhe të errët për ripërtëritjen urbane. Disa shtëpi janë shkatërruar për t’i hapur rrugë ndërtimeve të reja, duke i lënë banorët në kushte të pasigurta.
Raporti ynë tregon se si kjo lagje, e ndodhur pak më pak se një orë në këmbë nga qendra e Tiranës, po pëson një transformim të dhimbshëm. “5 Maji” është një lagje e rëndësishme në historinë e Tiranës, duke qenë subjekt i një projekti të madh rinovimi të quajtur “Tirana Riverside”, i projektuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, i cili është gjithashtu përgjegjës për planin urbanistik “Tirana 2030”.
Plani parashikon ndërtimin e 3.500 apartamenteve dhe përfshin prishjen e 400 shtëpive ekzistuese në zonë. Siç shkruajnë Ervin Goci, aktivist dhe profesor i gazetarisë, dhe Suzanne Harris-Brandts, profesoreshë e arkitekturës, ky projekt është promovuar me shumë entuziazëm si lagjja e parë në Evropë që i përgjigjet njëkohësisht ndryshimeve klimatike dhe pandemive, duke u cilësuar si një zonë policentrike, me zero emetime dhe “eko-inteligjente”.
Megjithatë, situata në terren është larg këtyre përshkrimeve idilike. Duke ecur në rrugën “5 Maji”, do të hasni kantiere ndërtimi dhe ndërtesa të reja shumëkatëshe, pamja përfundimtare e të cilave mund të shihet në vizatimet e shumta teknike.
Rrugët e brendshme nuk janë gjithmonë të shtruara dhe peizazhi me shtëpi të ulëta po zhduket për t’u rrethuar nga ndërtimet e reja. Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, kjo zonë u caktua edhe për të akomoduar familjet e prekura nga tragjedia.
Në fakt, projekti ishte planifikuar shumë kohë përpara tërmetit. Reagimi ndaj katastrofës e lejoi qeverinë të miratonte një legjislacion të jashtëzakonshëm, duke anashkaluar procedurat normale të miratimit dhe konsultimit publik.
Prishjet në lagjen “5 Maji” nisën në tetor 2021 dhe sipas autoriteteve, disa banorë ranë dakord të zhvendoseshin. Megjithatë, gazetarët në terren nuk kanë marrë asnjë konfirmim për një pjesëmarrje kaq të madhe vullnetare.
Sot, një pjesë e projektit ka përfunduar. Kompleksi i ri qëndron mes rrënojave të lagjes së vjetër, ku mbeturinat e vitit 2022 nuk janë hequr ende. Banorët që rezistuan u përballën me gaz lotsjellës dhe arrestime.
Nëna Liza (Liza Marku) u bë simboli i kësaj rezistence, shtëpia e së cilës u shkatërrua dhe tani ajo jeton në kompleksin e ri. Gjin Nikolli jeton në lagjen “5 Maji” që nga viti 1991. Ai u largua nga veriu i vendit pas rënies së regjimit për t'u vendosur në Tiranë.
Në atë periudhë paqartësie, ai ndërtoi shtëpinë e tij me kursimet e emigracionit në Greqi, ku punoi si hidraulik dhe elektricist. Pasi nisi një proces të gjatë legalizimi në vitin 2006, ai arriti ta legalizonte banesën në vitin 2021, duke i paguar shtetit 29.000 euro.
Por siguria zgjati shumë pak. Më 22 shkurt 2022, mbërritën fadromat e shoqëruara nga policia.
Familja e Nikollit jeton tani në dy apartamente në pallatet e reja, por mashtrimi është i dukshëm. Meqenëse sipërfaqja totale e shtëpive të reja është pak më e madhe se ajo e shtëpisë së shembur, atyre u kërkohet të paguajnë një shumë shtesë për diferencën, edhe pse nuk u pyetën kurrë nëse pranonin të zhvendoseshin.
“Kanë kaluar 4 vjet dhe rrënojat shtëpisë janë ende aty. Ne mund të kishim qëndruar në shtëpinë tone”- thotë Gjini. Procesi i dëbimit ishte brutal. Policia mbërriti në 5 të mëngjesit duke detyruar nënën e tij 92-vjeçare dhe nipërit e vegjël të largoheshin me shpejtësi.
Sot, ata kanë çelësat apartamenteve por nuk kanë tapi. Shërbimet janë në emër të bashkisë, duke i bërë ata të ndihen të pasigurt për të ardhmen. Ndue Marku, një tjetër banor i kësaj zone, i është bashkuar protestave edhe pse shtëpia e tij nuk është prekur ende.
Ai thotë se askush nuk ndihet i sigurt sepse ajo që u ndodhi të tjerëve mund t’i ndodhë kujtdo. Ai është i shqetësuar se mungesa e akteve të pronësisë dhe regjistrimi i shërbimeve në emër të bashkisë mund t’i lejojë autoritetet t’i dëbojnë sërish në të ardhmen.
“Jetojmë në çdo moment në pasigurinë se nesër në orën 5 të mëngjesit do të vijnë dhe do të na e shembin shtëpinë”- thotë ai. Banorët thonë se janë gati të ndërmarrin veprime ligjore deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur të drejtat e tyre të shkelura nga ky projekt urban./Përgatiti Pamfleti nga “Balcani Caucaso”
Nuk ka krim me te rende se te shembin banesen gjeja me e rende qe mund ti besh njeriut As ne kohen e komunizmit nuk te shembte njeri banesen sepse keta kane edhe nje zgjidhje sa per sy e faqe te paguajne qirane per 6 muaj por jeta nuk eshte vetem 6 muaj ku do jetojne keta njerez ne qell te hapur ne rruge krim , ne asnje vend te botes nuk te shemb njeri banesen vetem ketu te ne ndodh kjo gje .
Ne na permbyten na trasferuan ne Maliq sot nuk po na japin dokumentat jemi 21 familje qe na permbyten si pasoje e ndertimit te hidroçentralit Sot Statkraft po na mban peng nuk na jep dokumentat dua ta theksoj qe nuk kemi asnje detyrim ndaj kesaj firme asnje nuk na jep pergjigje Pasi deshem apo nuk deshem na sollen me vendim Qeverrie Mbase duan te na zhvendosin perseri a nuk e di cila eshte arsyeja Firma Mban Peng Dokumentat Tona Fakt
Siç janë banorët e 5 majit janë edhe banorët e kombinatit të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019,kanë 1 vit që kanë hyrë në shtëpitë e reja dhe as nuk diskutohet për çertifikatën e pronësisë , pagesaz e ujit e të dritave i paguajmë në emer të bashkisë , da do vazhdoj kjo edhe rrugët që të çojnë tek këto pallate janë gropa -gropa dhe pa adnjë ndriçim ,ku në mbrëmje nuk e dimë ngq të kalojmë nga gropa opo errësira ,si merren në dorëzim këto punë publike .