Rama propozon “imunitet funksional” për drejtuesit e lartë, ndryshon nenin 242 të Procedurës Penale...
Në Kushtetutë thuhet se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, por projekti i kryeministrit Edi Rama për të garantuar paprekshmëri të kastës së shtetit dhe pushtetit është shembulli më i qartë se disa funksionarë nuk do t’i nënshtrohen, edhe me ligj, kësaj barazie.
Duke përdorur rastin e ministres Balluku përballë kërkesës së SPAK dhe GJKKO, Edi Rama ka nisur procedurat parlamentare me deputetët e PS-së për ndryshimin e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, me synim të dukshëm për të shmangur veprimin ligjor ndaj vetes.
Këtë vetëmbrojtje dhe shmangie nga përballja me drejtësinë sa kohë është në detyrë, Edi Rama e ka paraqitur si masë garantuese nën termin “imunitet funksional”, që disa funksionarë të lartë të mos pezullohen nga detyra në rast procedimi penal.
Përveç funksionit të tij si kryeministër, Edi Rama ka përfshirë në statusin e të paprekshmëve me “imunitet funksional” edhe zëvendëskryeministrin, ministrat, Presidentin e Republikës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit, Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
Këta nuk i ka përfshirë për arsye të funksionimit të shtetit, por për ta paraqitur draftin si ndryshim ligjor në emër të stabilitetit institucional, me qëllim që drejtësia të mos pezullojë disa drejtues institucionesh të mandatuar nga Parlamenti.
Nga Parlamenti mandatohen shumë funksionarë shtetërorë, të cilët Edi Rama nuk i ka përfshirë në projekt-nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, por i ka lënë pa “imunitet funksional”.
Drafti i Edi Ramës lejon pezullimin nga detyra për Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë, anëtarët e Gjykatës së Lartë, Prokurorin e Përgjithshëm, Drejtorin e SHISH, drejtuesit e ILD, KLP, KLGJ, AKEP, Komisionit të Prokurimit Publik dhe Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive.
Me mandat parlamentar, por pa “imunitet funksional”, pra me të drejtë pezullimi nga drejtësia në rast procedimi penal, mbeten edhe Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, Komisioneri i Zgjedhjeve, Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe rreth 20 funksione të tjera të larta shtetërore.
Të gjithë këta funksionarë mund të pezullohen nga detyra pas procedimit penal, përveç deputetëve dhe kryetarëve të bashkive, që parashikohen në nenin aktual 242 të Kodit të Procedurës Penale.
Me shtesën e propozuar nga Edi Rama, drejtësia nuk do të mund të pezullojë nga detyra kryeministrin, Presidentin e Republikës, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Avokatin e Popullit, Kryetarin e KLSH dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, edhe në rast të shkeljeve të rënda.
Me urgjencën për të ndryshuar nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale, qëllimi i vetëm i Edi Ramës është, “larg by**s time”./Pamfleti
Lini një Përgjigje