TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë14 Shkurt 2026, 14:24

Qeveria, Kuvendi e SPAK, bëhen bashkë për të mos hetuar vjedhjen e fondeve të BE dhe Frida Krifcën

Shkruar nga Pamfleti

 Qeveria, Kuvendi e SPAK, bëhen bashkë për të mos hetuar

Kuvendi refuzon komisionin hetimor, SPAK mban të bllokuar kallëzimin e OLAF prej tre vitesh, ndërsa fondet për fermerët shqiptarë mbeten të ngrira.

Tre vite pas kallëzimit penal të OLAF për abuzimet me fondet “IPARD II”, hetimi vazhdon të mbetet në fazë paraprake dhe pa asnjë përgjegjësi të qartë. Kuvendi ka refuzuar ngritjen e komisionit hetimor, ndërsa SPAK nuk ka proceduar zyrtarët që miratuan dhe zbatuan projektet. Ndërkohë, Komisioni Europian ka paralajmëruar se nuk do të disbursojë fonde të tjera pa ndëshkimin e përgjegjësve. Një dosje që nga hetim penal po kthehet në provë politike të paprekshmërisë.

Po groposet zyrtarisht, ndoshta përfundimisht, dosja “Krifca” për shpërdorimin dhe vjedhjen e fondeve “IPARD II”, që Bashkimi Europian dërgoi për fermerët e Shqipërisë në vitet 2017–2021.

Tre vite pas kallëzimit penal që Zyra Anti-Korrupsion e BE, OLAF, depozitoi në SPAK; dy vite pas bllokimit të fondeve dhe ultimatumit të BE për vazhdimin e ndërprerjes së tyre, qeveria dhe drejtësia shqiptare po mbajnë të bllokuar hetimin administrativ dhe penal.

Në skenarin për bllokimin dhe groposjen e hetimit të ish-Drejtoreshës së Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, dhe grupit të saj, është përfshirë edhe Kuvendi, nëpërmjet mazhorancës qeveritare të PS.

Me Vendim nr. 12, datë 3 shkurt 2026, Kuvendi refuzoi ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, kërkuar nga një grup deputetësh të opozitës, për të verifikuar shpërdorimin e fondeve bujqësore të dërguara nga Bashkimi Europian.

Qeveria, Kuvendi e SPAK, bëhen bashkë për të mos hetuar

Shumica parlamentare e PS nuk pranoi hetimin për fondet “IPARD II”, jo sepse nuk ka abuzime e vjedhje, por sepse mori urdhër nga kryeministri Edi Rama që të mos publikohen shifrat dhe emrat e atyre që i kanë përfituar.

OLAF, bashkë me kallëzimin në SPAK, ka depozituar prova për vlerat e vjedhura dhe të devijuara jashtë sektorit bujqësor, si dhe për emrat e përfituesve që i kanë përdorur fondet për biznese ndërtimi, resorte, hotele e vila.

Por, nëpërmjet Altin Dumanit, për tre vite me justifikimin e “hetimit paraprak”, dhe tashmë nën drejtimin e Klodian Brahos, pa asnjë sqarim publik, SPAK po vazhdon të mbajë të bllokuar dosjen e hetimit të 138 milionë eurove fonde bujqësore të dërguara nga BE.

Edhe nëse hetimi do të ishte në fazë paraprake, ai nuk mund të vijonte pa thirrur ish-drejtoreshën Frida Krifca, ish-ministrin e Bujqësisë të viteve 2017–2021 dhe kryeministrin Edi Rama, si autoritete që kanë miratuar projektet dhe vendimet për kreditimin me fondet IPARD.

Ish-drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, ka qenë në të njëjtën linjë me kryeministrin Edi Rama, duke rakorduar veprimet për bllokimin e dosjes hetimore dhe shpërfilljen e kallëzimit penal të OLAF.

Në skemën e bllokimit të hetimit dhe paprekshmërisë së ish-drejtoreshës Frida Krifca është përfshirë zyrtarisht edhe Kuvendi, nëpërmjet mazhorancës së PS, duke vendosur moshetimin e dosjes së fondeve të BE.

Ky vendim i unifikuar mes Qeverisë, Kuvendit dhe SPAK, përveçse fsheh krimin financiar prej 138 milionë eurosh, po bëhet shkak për bllokimin e fondeve të tjera të BE për fermerët shqiptarë.

Komisioni Europian e ka bërë të qartë se nuk do të dërgojë asnjë qindarkë për bujqësinë, pa u çuar para drejtësisë përgjegjësit për fondet e viteve 2017–2021.

Mirë Edi Rama, që po bllokon hetimin parlamentar, sepse ka interes të mos zbulohen vjedhjet dhe përfituesit e fondeve të BE, si dhe të mos preket Frida Krifca.

Por drejtuesit e SPAK, çfarë interesi apo frike kanë, që e mbajnë të bllokuar këtë hetim prej tre vitesh?/Pamfleti

 

qeveria kuvendi spak frida krifca vjedhja e fondeve

2 Komente

  1. J
    Jeta

    Qeveri e antikombëtare, Qeveri antishtet, Qeveri grabitqare, Qeveri pushtuese. Opozite pa integritet, opozite e perdale. I mbete popullit te thjeshte qe te marr e duarte e veta gjendjen e Shqiperise sot dhe ta çlrioj vetveten nga keta pushtues grabitqare.

    1. A
      AGIMI

      OPOZITA HAPI SYTE INFORMO BE SE ATJE ESHTE AI DJALLI MONSTER AMBASADOR FERIT DHE KELLIRA E TIJ AMBASADORE DAUTLLARI QE THONE RENA E KORUPTOJNE SI LEGENA

      Lini një Përgjigje