TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë11 Shkurt 2026, 13:38

Kujt do t’i shiten 49% të aksioneve të Bankës Shqiptare të Zhvillimit?!

Shkruar nga Pamfleti
Kujt do t’i shiten 49% të aksioneve të Bankës Shqiptare
Silvio Pedrazzi, ceo i Bankës Shqiptare të Zhvillimit /

Me kapital shtetëror, pa licencë nga Banka e Shqipërisë dhe me plan për të shitur 49% të aksioneve bankave private të lidhura me pushtetin, Banka Shqiptare e Zhvillimit ngre dyshime për një mekanizëm paralel financiar.

Krijuar si bankë shtetërore për mbështetjen e bizneseve të vogla dhe qytetarëve, Banka Shqiptare e Zhvillimit po shfaqet si instrument financiar me kompetenca të plota bankare, por pa mbikëqyrje nga Banka e Shqipërisë. Ligji i saj lejon grumbullim depozitash, kreditime, emetim bonoshe dhe investime, ndërsa qeveria nuk merr përsipër garanci për depozituesit. Paralelisht, Ministria e Financave po përgatit shitjen e 49% të aksioneve për tre banka private, ndërsa në krye të saj është emëruar një administrator i huaj në kundërshtim me ligjin për bankat publike. Rasti ngre shqetësime serioze për konflikt interesi, privatizim të fshehtë dhe krijim të një strukture financiare të pakontrolluar nga autoritetet rregullatore.

Statusi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit zbulon qëllimet e vërteta të kryeministrit Edi Rama për sajesën e saj, nën maskën e mbështetjes me kreditime të bizneseve të vogla, të mesme dhe të qytetarëve, përmes kredive dhe grumbullimit të depozitave prej tyre.

Në ligj, kjo bankë shtetërore nuk quhet bankë tregtare, por aktiviteti i saj është kopje e bankave private në Shqipëri, me të drejtë për depozita, kreditime, emetim bonosh thesari, investime fondesh në tregje vendas e të huaj, transaksione dhe marrje kredish nga subjekte vendase e të huaja.

Edi Rama ka përcaktuar pavarësi të plotë për këtë Bankë të Zhvillimit, duke e lejuar të zhvillojë aktivitet pa licencë dhe pa mbikëqyrje nga Banka e Shqipërisë.

Skandal është e drejta e Bankës Shqiptare të Zhvillimit për të mbledhur depozita kursimi dhe fonde investimi, ndërsa si ndërmjetëse për grumbullimin dhe rikthimin e tyre në rast falimentimi do të jetë Posta Shqiptare, kur kjo shoqëri nuk ka të drejtë aktiviteti bankar.

Ligji dhe statuti i kësaj banke shtetërore nuk sqarojnë se kush mban përgjegjësinë dhe barrën e shlyerjes financiare për depozitat e qytetarëve dhe subjekteve të tjera, ndërkohë që qeveria nuk merr përsipër garancinë e tyre, duke lejuar një aktivitet të ngjashëm me ish-firmat piramidale.

Edi Rama dhe ministri Petrit Malaj po bëjnë gati shitjen e 49% të aksioneve të bankës

Banka Shqiptare e Zhvillimit është 100 për qind në pronësi të Ministrisë së Financave, me kapital 5 miliardë lekë, të ndarë në 2000 aksione; kapital që fillimisht u caktua 10 miliardë lekë.

Në ligj dhe në statutin e bankës, Qeveria dhe Ministria e Financave kanë të drejtë që, nëpërmjet administratorit dhe Këshillit Mbikëqyrës, të shesin 49 për qind të aksioneve të bankës, të barabarta me këtë përqindje respektive të kapitalit, duke vlerësuar një aksion me 2.5 milionë lekë.

Sipas informacionit që ka siguruar “Pamfleti” nga burime të Ministrisë së Financave, Edi Rama dhe ministri Petrit Malaj po bëjnë gati skemën e shitjes së 49 për qind të aksioneve të bankës.

Banka u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 18 dhjetor 2025, ndërsa tani, pas dy muajsh, tre banka private do të bëhen ortake me shtetin shqiptar. Mbetet për t’u parë cilat do të jenë këto banka private që do të marrin aksionet e Bankës Shqiptare të Zhvillimit.

Ato do të kenë favorin të kryejnë aktivitet pa licencë dhe pa mbikëqyrje nga Banka e Shqipërisë, madje mund të transferojnë para në kanalet e pakontrolluara të Bankës së Zhvillimit.

Administrator është emëruar italiani Silvio Pedrazzi

Shkelje e rëndë është emërimi si administrator i kësaj banke i italianit Silvio Pedrazzi, mik i Edi Ramës, ish- kryetar i Shoqatës së Bankave në Shqipëri dhe anëtar bordi i Agjencisë Shtetërore të Investimeve.

Sipas ligjit për bankat publike, administratori i Bankës Shqiptare të Zhvillimit duhet të jetë shqiptar dhe vetëm me shtetësi shqiptare; po kështu edhe anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës. Megjithatë, një prej tyre është francezi Daniel Demeulenaere, mik i Edi Ramës.

Katër të tjerët janë shqiptarë, të lidhur me banka private dhe studio ligjore pranë Ramës dhe Agaçit; konkretisht, Artur Asllani nga studio “Tonuçi & Partners”; Eris Hysi nga studio “Haxhia & Hajdari”; Irida Huta dhe Arben Shkodra, biznesmen i afërt me qeverinë./Pamfleti

 

banka shqiptare e zhvillimit

1 Komente

  1. Amund te hetohete aksjone te banke zhvillimi kombtare

    Lini një Përgjigje