TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë10 Shkurt 2026, 13:26

Si po bie Edi Rama në gropën që u ka hapur të tijve

Shkruar nga Pamfleti
Si po bie Edi Rama në gropën që u ka hapur të tijve
Edi Rama /

Nga Tahiri te Beqaj, Ahmetaj, Veliaj e Balluku, hetimet e SPAK nuk godasin individë rastësorë, por pasojat e politikave të Ramës, ndërsa kryeministri zgjodhi gjithmonë sakrifikimin e të tjerëve. Po tani?!

Goditjet e njëpasnjëshme të SPAK ndaj figurave kyçe të qeverisë Rama nuk janë aksidente personale, por hallka të një zinxhiri politik të parashikueshëm. Çdo “rënje” ka ardhur pas një politike të dështuar ose të refuzuar nga ndërkombëtarët, nga kanabizimi te PPP-të, inceneratorët, sterilizimet dhe kontratat publike. Në vend që të përballet me përgjegjësinë politike për këto vendime, Edi Rama ka zgjedhur të nxjerrë përpara bashkëpunëtorët e tij si kurbanë, duke mbrojtur veten dhe duke ngjitur shkallët e fundit të pushtetit. Sot, kur hetimet po afrohen gjithnjë e më shumë drejt zyrës kryeministrore, skema e vjetër e sakrificës po kthehet në bumerang, duke treguar se piramida e ndërtuar mbi pazare dhe frikë po shembet nga brenda.

Hetimet agresive të SPAK ndaj qeverisë së Edi Ramës nuk kanë qenë asnjëherë të përqendruara te persona të veçantë. Nëse shohim me vëmendje historikun e operacioneve të mëdha ndaj mazhorancës, konstatojmë se kemi të bëjmë me një zinxhir çështjesh, apo më saktë me përgjegjësi politike ndaj zgjidhjeve që ka ndërmarrë kreu i mazhorancës.

Rënia e Saimir Tahirit ishte një operacion ndërkombëtar kundër kanabizimit, i cili u ideua politikisht nga vetë Edi Rama. Tahiri, siç e tregoi koha, ishte një “kurban” i Edi Ramës përballë ndëshkimit ndërkombëtar për kanabizimin e vendit.

Më pas erdhi politika e monopolizimit të kontratave publike në pak duar, të ashtuquajturat PPP, ku ishin ndërkombëtarët ata që e rrëzuan këtë politikë dhe kërkuan që qeveria shqiptare të tërhiqej. Viktima, apo sakrifica e radhës, ishte Ilir Beqja.

Pas Beqjes u godit Arben Ahmetaj, të cilin Edi Rama e shpalli armik pasi e kishte përdorur si ndërmjetës me Ilir Metën. Sot “Tigri” mbetet i vetmi ish-bashkëpunëtor që, për mirë apo për keq, i ka dalë përballë drejtpërdrejt Bablokut, përmes denoncimeve të bëra në SPAK. Ahmetaj është i vetmi që denoncimet nuk i ka marrë nga opozita, por nga qarqe të vetë mazhorancës.

Më pas radha ishte e Erion Veliajt, i cili gjithashtu mori goditjen fillestare nga denoncimet e opozitës, në lidhje me politikat qeveritare si inceneratorët dhe kontratat publike për ndërtimin e kullave, ku në fakt kryebashkiaku ka rol formal, pasi firmat reale i hedh kreu i qeverisë.

Tani radha ishte Belinda Balluku, një situatë ku Edi Ramës i ka mbetur “hala në grykë”, si për shkak të karakterit të zëvendëskryeministres, e cila ia ka përplasur realitetin në fytyrë që në fillim, ashtu edhe nga frika se tashmë hetimet po i afrohen atij vetë.

Megjithatë, e gjithë kjo situatë ishte e parashikueshme. Madje plotësisht e parashikueshme. I gjendur përballë morisë së denoncimeve në SPAK nga opozita për politikat e ndjekura nga qeveria, Edi Rama nuk bëri betejë politike, nuk i përballi ato, por, si frikacak, nxori përpara trupat e shokëve të tij. Dhe kur i hap gropën tjetrit, një ditë ajo gropë, edhe më e madhe, hapet për ty, siç po i hapet sot kryeministrit.

Sikur Edi Rama të dilte vetë përballë, jo thjesht për të mbrojtur bashkëpunëtorët e tij, por për të shpjeguar dhe mbrojtur politikat e qeverisë që në fund të fundit i kanë hartuar bashkë, qoftë për tolerimin e kanabizimit, qoftë për sterilizimet, inceneratorët, rindërtimin, kontratat e rrugëve e të tjera, sot situata do të ishte krejt ndryshe.

Do të kishim një mazhorancë që del me gjoks për të mbrojtur eksponentët e vet, e jo një kryeministër që sakrifikon miqtë më të afërt për të shpëtuar veten dhe për të ngjitur shkallët e fundit të piramidës së pushtetit.

Dhe ashtu si në rrënimin e “majave” të antikitetit, që flijonin fëmijët e tyre për piramidat e gjakut, edhe kjo piramidë po shembet nën peshën e një force të madhe, e cila mbart brenda jo vetëm drejtësinë, por edhe një hak të akumuluar, që herët a vonë kërkon larje, madje më keq se ndaj vetë viktimave./Pamfleti

 

edi rama bie në gropën që ua hapi të tijve

1 Komente

  1. L
    LAMTUMIRE SHQIPERISE

    E thjeshtë! Për shkak të Berishës. 1] Rama e gjeti arenën politike të zbrazët nga opozita serioze... 2] Derisa të krijohet një opozitë, zona është e lirë për Ramën. 3] Me këtë liri, ai e ndjen vendin dhe popullin si "skllevër të tij" meqenëse nuk ka zgjedhje deri në vitin 2029. 4] Kur të vijë viti 2029, ai u jep një çokollatë të vogël 3 milionëve, shkatërron disa ministra dhe drejtorë, i garanton Ramës 5. Me Berishën lamtumirë Shqipërisë, pa Berishën, lamtumirë Rama për të kaluar pjesën tjetër të jetës së tij me Veliajn.

    Lini një Përgjigje