Nga premtimi për më shumë barna të rimbursueshme te rritje deri në 4000%, Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala favorizon tregtarët e ilaçeve dhe rëndon financiarisht pensionistët dhe të sëmurët kronikë...
Vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës, Ministrja e Shëndetësisë Evis Sala ka zbatuar në mënyrë të kundërt një nga premtimet e saj kryesore, duke rritur fshehurazi çmimet e barnave në listën e rimbursimit. Sipas përllogaritjeve zyrtare, të sëmurët kronikë do të paguajnë rreth 48 milionë euro më shumë në vit për të njëjtat ilaçe, ndërsa rritjet e çmimeve variojnë nga 3% deri në 4000%. Përfitues kryesorë rezultojnë kompani të lidhura me emra të njohur politikë dhe biznesmenë, ndërkohë që vendimmarrja është bërë pa konsultim publik dhe jashtë çdo logjike tregu. Skandali ngre dyshime serioze për korrupsion të organizuar në dëm të shëndetit publik dhe kërkon hetim të menjëhershëm institucional.
Ditën e nisjes së detyrës, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, deklaroi se një nga pesë premtimet e saj, si prioritete emergjente për rritjen e efikasitetit të shërbimit shëndetësor për popullatën, ishte shtimi i listës së barnave të rimbursueshme dhe përmirësimi i cilësisë së tyre.
Këtë prioritet, ministrja Evis Sala e zbatoi në të kundërt, duke rritur çmimet fshehurazi, në pazar me pronarët e kompanive të ilaçeve, me kosto të lartë financiare për të sëmurët kronikë, shumica pensionistë.
Pra, të sëmurët që përfitojnë ilaçe me rimbursim, pjesën e parimbursueshme do ta blejnë me çmime më të larta se deri më 31 dhjetor 2025, pasi prej datës 1 janar 2026, Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, në bashkëpunim me tregtarët e ilaçeve, ka rritur çmimet.
Sipas përllogaritjes së çmimeve të rritura nga ministria, rezulton se vetëm nga lista e rimbursimeve, të sëmurët kronikë, për të njëjtat ilaçe si lloj dhe sasi, do të paguajnë rreth 48 milionë euro më tepër në vit, shumë që përkthehet në rritje fitimi për tregtarët.
Skandali i ministres Sala qëndron te përllogaritja fiktive e çmimeve të ilaçeve në listën e rimbursimit, me rritje që variojnë nga 3% deri në 4000%, fakt që tregon se nuk kemi të bëjmë me reformë shëndetësore apo mbështetje të të sëmurëve, por me zhvatje të tyre dhe favorizim të tregtarëve të ilaçeve.
Kjo është aferë financiare në dëm të qytetarëve, sepse për disa ilaçe dhe materiale mjekësore janë bërë rritje minimale të çmimeve, ndërsa për shumicën e tyre janë vendosur rritje ekstreme, të paprecedenta në 20 vitet e fundit.
Nëse shqyrton listën e barnave të rimbursueshme që u janë rritur çmimet, konstatohet se përfituesit më të mëdhenj nga kjo rritje janë kompanitë e ilaçeve të Tomë Doshit, deputetit të PD Kliti Hoti, kunatit të tij Dorian Sadiku, Janis Karathanos, Rasim Hamzarajt, kushëri dhe ortak i Petrit Vasilit, si dhe trafikantit dhe kontrabandistit Ilir Shehu, ortak në biznesin e ilaçeve me bashkëshortin e Olta Xhaçkës.
Përveç çmimeve të larta, këtyre përfituesve Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, dhe Drejtori i Fondit të Kujdesit dhe Sigurimit Shëndetësor, Arti Papajani, u kanë shtuar në listën e rimbursimit edhe më shumë lloje ilaçesh dhe materialesh mjekësore.
Nuk pretendohet se formulën e përllogaritjes së çmimeve të ilaçeve e ka hartuar personalisht ministrja Evis Sala, por ajo e ka pranuar pazarin e tregtarëve për rritjen e çmimeve dhe e ka miratuar menjëherë, gjë që logjikisht nuk mund të ketë ndodhur pa përfitimin e saj.
Nëse rritja e çmimeve do të ishte uniforme për të gjitha ilaçet e listës së rimbursueshme dhe në raport të arsyeshëm me tregun, ajo do të bëhej përmes konsultimit me të gjitha palët e interesuara.
Por kur diferencat e rritjes së çmimeve të ilaçeve variojnë nga 3% deri në 4000% dhe vendosen fshehurazi, kemi të bëjmë me aferë korrupsioni, ose më saktë, me një skemë vjedhjeje të organizuar që ministrja dhe tregtarët e ilaçeve po u bëjnë të sëmurëve./Pamfleti
Deri dje vodhen me konçesionet famekeqe Ne vend qe keto fonde te shkonin per medikamente dhe paisje perfunduan ne xhepat e hajduteve Sot kane ndryshuar skeme se nuk u mjaftuan.
Zoti dhe karma veprojnë... do u lutet shpirti të shërohet po aha
Kjo duhet te shkoje ne burg. Ne amerike, shqiptari Martin Shkreli qe u bë i njohur në 2015-n pasi rriti çmimin e Daraprim brenda natës në 750 dollarë për tabletë nga 17,50 dollarë. Ilaçi trajton toksoplazmozën, një infeksion parazitar që kërcënon njerëzit me sistem imunitar të dobësuar. Eshte Shqiptari me i urryer ne Amerike.