Nga romancë politike në indiferencë europiane: kur interesi mbaron, buzëqeshjet fiken…
Dikur buzëqeshjet ishin të gjera, fjalët të ngrohta dhe gjestet politike plot simbolikë. Sot ka mbetur vetëm protokolli. Marrëdhënia mes Edi Rama dhe Giorgia Meloni duket se ka kaluar nga një romancë diplomatike e ekzagjeruar në një bashkëjetesë të ftohtë institucionale. Dhe si çdo histori e tillë, askush nuk e pranon ndarjen, por të gjithë e ndiejnë.
“Dashuria” Rama–Meloni nuk ishte ideologjike. Ishte praktike, oportuniste dhe mediatikisht shumë e leverdisshme. Ajo lindi nga nevoja: Meloni kërkonte një zgjidhje të fortë për emigracionin, Rama kërkonte rol dhe peshë ndërkombëtare. U gjetën shpejt. U përqafuan politikisht edhe më shpejt. Por marrëdhëniet që ndërtohen mbi nevojë, rrallë mbijetojnë.
Sot, Meloni nuk është më liderja “outsider” që sfidonte Brukselin. Ajo po sillet si kryeministre e një vendi themelues të BE-së, e kujdesshme, e disiplinuar, e integruar në vijën zyrtare europiane. Nuk ka më hapësirë për eksperimente gri, marrëveshje juridikisht të dyshimta apo aleanca personale që prodhojnë tituj, por edhe telashe. Shqipëria, në këtë kuadër, nuk është më aset politik, është një dosje në heshtje.
Në këtë Europë ku Meloni po kërkon të hyjë pa zhurmë, Rama është problem, jo partner. Shumë teatral, shumë personal, shumë i paparashikueshëm. Një lider që flet për paqe globale, ndërsa drejton një vend kandidat; që shfaqet në borde dhe forume, por e përdor diplomacinë si skenë personale. Për Brukselin është folklor i tolerueshëm. Për Romën, është rrezik narrativ.
Dhe këtu nis distanca. Jo sepse Italia nuk ka më nevojë për Shqipërinë. Por sepse Meloni nuk ka më nevojë për Ramën. Ajo ka zgjedhur rreshtimin. Ai ka zgjedhur spotlight-in. Ajo po mbyll kllapa. Ai po hap paranteza.
Ironia është se Rama ende sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. Sikur marrëdhënia vazhdon. Sikur heshtja italiane është thjesht një “pauzë”. Në realitet, është ajo faza klasike diplomatike kur njëra palë është larguar tashmë, ndërsa tjetra ende poston kujtime.
Në politikë, dashuria nuk vdes me zhurmë. Vdes me indiferencë. Dhe sot, Roma është indiferente./Pamfleti
Gjynah, se i bëri edhe I.Kadareja atëherë qokën për kamin në Gjadër!
Ne fund te fundit, sejcili duhet te beje detyrat e shtepise. Mbahet me hater nje nxenes qe eshte per 8 dhe i vene 9, por palloshi kujtoj se per hater te karagjozlliqeve do ta marre noten.
Jemi ne kufi dhe interesi,pronon dhe aktor dashurie…e cila si valet e detit…lodron duke vallzuar…tango…kerkojen dy vete…e kjo ndodh mes meloni rames