TAGS-AT E JAVËS

Dosja e zezë 3 Shkurt 2026, 12:38

Vangjeli si Kreu i Organizatës; “Himara Invest” si bankomat privat i tokave dhe plazheve

Shkruar nga Pamfleti
Vangjeli si Kreu i Organizatës; “Himara Invest” si bankomat
Vangjel Tavo dhe Edi Rama /

Vangjel Tavo kopjon modelin e Edi Ramës, krijon “Himara Invest” dhe i heq Këshillit Bashkiak kompetencat mbi tokat, plazhet dhe pasuritë publike...

Kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, ka krijuar kompaninë bashkiake “Himara Invest” sh.p.k., duke ndjekur modelin e Korporatës së Investimeve Shqiptare të ngritur nga Edi Rama. Me këtë vendim, të gjitha pasuritë publike lokale, toka, troje, plazhe, pyje dhe kullota, kalojnë nën administrimin e një korporate në varësi direkte të kryebashkiakut, duke i hequr Këshillit Bashkiak rolin ligjor të miratimit. Krijimi i “Himara Invest” përkon në kohë me transferimin e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, çka ngre dyshime për centralizim vendimmarrjeje dhe shmangie të kontrollit vendor. Skema i jep Tavos kompetenca të plota mbi përdorimin, dhënien me qira dhe privatizimin e pasurive publike të Himarës, duke hapur një kapitull të ri të rrezikshëm për transparencën dhe menaxhimin e pronës publike në jug të vendit.

Modelin e kryeministrit Edi Rama, me krijimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare, vendosi ta kopjonte këto ditë kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, duke krijuar një kompani në formë korporate bashkiake të emërtuar “Himara Invest” sh.p.k.

Kjo korporatë lokale, me pronar Bashkinë e Himarës dhe në varësi të kryebashkiakut Vangjel Tavo, do të marrë në administrim tokat, trojet, plazhet, pyjet dhe kullotat që janë pasuri të bashkisë.

Nuk është koincidencë fakti që kryebashkiaku Vangjel Tavo e firmosi vendimin për krijimin e kompanisë “Himara Invest” më 23 janar 2026, ditën që Drejtoresha e Përgjithshme e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, firmosi vendimin për transferimin e Kadastrës së Vlorës në Tiranë.

Me vendimin e Tavos, të gjitha pasuritë shtetërore lokale në territorin e Himarës iu hoqën si kompetencë Këshillit Bashkiak, si autoriteti ligjor që miraton dhëniet me qira, koncesionet apo shitjet e tyre, dhe iu kaluan në kompetencë kryebashkiakut Vangjel Tavo.

Vangjeli si Kreu i Organizatës; “Himara Invest” si bankomat

Me këtë vendim të Tavos, për ta bërë Tavon përfaqësues ligjor të kompanisë “Himara Invest” sh.p.k., do të zbatohet ky rregull: përdorimi dhe privatizimi i tokave, trojeve, godinave, plazheve, pyjeve dhe kullotave të Bashkisë së Himarës nuk do të kalojnë për miratim në Këshillin Bashkiak, duke shkelur ligjin për pushtetin vendor.

Pronat publike të Bashkisë Himarë, që do të jepen me qira enfiteoze, me koncesion ose do të shiten, nuk do të regjistrohen më në Kadastrën e Vlorës, sepse atje nuk ka më kadastra funksionale, por në zyrat e Kadastrës së Përgjithshme në Tiranë, ku janë transferuar regjistrat dhe shërbimi kadastral i Vlorës.

Këtej e në vazhdim, për çdo pasuri publike të Bashkisë së Himarës do të vendosë vetëm Vangjel Tavo, si autoritet ekzekutiv, përfaqësues dhe vendimmarrës i kompanisë bashkiake “Himara Invest” sh.p.k., ndërsa vendimet do t’i zbatojnë vartësit e tij.

Ashtu siç vepron Edi Rama me pasuritë e Shqipërisë, të cilat, pasi bën pazare me miqtë dhe klientët e tij, i kalon për zbatim te administratorja e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona.

Ndërsa Vangjel Tavo, administrator të kompanisë “Himara Invest” sh.p.k., ka emëruar Donjaldo Hoxhën, Sekretarin e Përgjithshëm të Shoqatës së Fabrikave të Qumështit./Pamfleti

 

vangjel tavo himara invest

Lini një Përgjigje