203 gardianë për vetëm 25 emigrantë; 670 milionë euro për një skenografi politike. Si po dështon ‘modeli shqiptar’ mes kostove marramendëse dhe ngërçit juridik…
Ndërsa qeveria italiane është e zënë duke bërë fushatë për një votë “Po” në referendumin për ndarjen e karrierave në sistemin e drejtësisë -një betejë e luajtur me goditje të ulëta dhe mistifikime që as ministri Nordio nuk do ta mendonte veten të aftë - ne jemi përpjekur të verikojmë nëse po funksionojnë vërtet qendrat e pritjes së emigrantëve në Shqipëri.
Kjo ishte ajo që na siguroi kryeministrja Georgia Meloni kur nënshkroi memorandumin e mirëkuptimit me Shqipërinë në tetor 2024, në një kohë kur propaganda ishte e gjitha e fokusuar te suksesi mbi menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
Qeveria e asaj kohe vendosi një objektiv ambicioz prej afërsisht 3.000 transferime në muaj, ose 39.000 emigrantë në vit. Megjithatë, aktualisht, sipas burimeve tona lokale, qendra e Gjadrit pret vetëm 25 “mysafirë” të kombësive të ndryshme, kryesisht egjiptianë dhe afrikano-veriorë.
Kostoja e këtij operacioni është llogaritur afërsisht 670 milionë euro gjatë 5 viteve (2024-2028), që do të thotë rreth 134 milionë euro në vit. Mbi 250 milionë euro janë shpenzuar vetëm për kostot e udhëtimit, për të transportuar emigrantët drejt Shqipërisë dhe për t’i riatdhesuar ata në vendet e tyre, ose në shumë raste, për t’i kthyer sërish në Itali.
Në fakt, gati të gjithë ata që u transportuan në raundet e para (gjithsej 66 persona) janë kthyer mbrapsht në Itali. Në tetor 2024, 4 nga 16 personat e transferuar u rikthyen menjëherë sepse rezultuan të cenueshëm ose të mitur.
12 të tjerët u kthyen pas disa ditësh për shkak të dështimit të Gjykatës së Romës për të vërtetuar ndalimin e tyre. Më pas, në shkurt 2025, 43 migrantë u kthyen në Bari sepse gjyqtarët i shpallën të paligjshme ndalimet e tyre. Në prill të po atij viti, 7 persona të tjerë u kthyen me urdhër gjykate ose për arsye mjekësore.
Ky shkëmbim i vazhdueshëm me shpenzimet tona - ku çdo kthim kushton mesatarisht 80.000 euro - u portretizua nga qeveria si një sabotim i “togave të kuqe”. Në rrjetet sociale të FdI-së, partisë së Melonit, shkruhej: “Absurde! Gjyqësori po i vjen në ndihmë të majtës parlamentare”.
Gjithsesi, është fakt që migrantët nga vendet me të cilat Italia nuk ka nënshkruar marrëveshje riatdhesimi (si Afrika Sub-Sahariane, disa vende aziatike apo Siria) po mbahen në Gjadër për një muaj dhe pastaj kthehen në Itali, ku thjesht lirohen me një urdhër për t'u larguar nga vendi brenda 30 ditëve.
Nga ana arkitekturore, qendra e Gjadrit është një treshe fortesash të vogla të rrethuara nga një gardh i lartë betoni i përforcuar dhe metalik. Brenda ka një pavijon ku emigrantët flenë në module të përkohshme.
Ata janë të lirë të lëvizin brenda zonës së rrethuar, por nuk mund të largohen nga objekti, i cili gjithsesi është i rrethuar vetëm nga male dhe shkurre. Ekziston gjithashtu një burg, i cili deri më tani ka qëndruar pothuajse bosh, me përjashtim të një të burgosuri që më vonë u kthye në Itali.
Menaxhimi i ushqimit dhe pastrimit i është besuar kompanisë italiane Medihospes, e cila fitoi tenderin prej 133 milionë eurosh për Gjadërin dhe Shëngjinin. Në Gjadër ka mjekë, infermierë (një me rotacion) dhe psikologë sipas nevojës.
Për momentin, emigrantët nuk shfaqin nevoja të veçanta, përveç ndonjë dhimbjeje dhëmbi, dhe nuk ka pasur shpërthime epidemike sëmundjesh. Ata që janë të dobët ose të sëmurë kthehen ligjërisht në Itali.
Por ajo që bie në sy është forca e sigurisë: 183 oficerë italianë të policisë, karabinierëve dhe Guardia di Finanza, plus 20 gardianë burgu. Edhe pse priten disa emigrantë të rinj gjatë fundjavës, forca policore pritet të dyfishohet me afrimin e fushatës zgjedhore.
Paga mesatare për një gardian është 2.000 euro në muaj, plus një pagesë ditore prej 100 eurosh dhe 80 euro të tjera për hotelin dhe vaktet. Puna e tyre përfshin ruajtjen e të ndaluarve dhe menaxhimin e logjistikës si karburanti apo riparimet, me turne 6-orëshe.
Brenda objektit ka edhe qen endacakë, 4 prej të cilëve janë “adoptuar” nga oficerët. Deri tani nuk ka pasur trazira, me përjashtim të një rasti kur një mysafir tentoi të krijonte një mjet prerës nga korniza e moduleve.
Herë pas here, anëtarë të qeverisë shfaqen aty të shoqëruar nga fotografë, duke pritur zyrtarë të lartë në “dhomën e mirëqenies”, ndërsa më shpesh shihen eurodeputetë të krahut të majtë në vizita inspektimi.
Krahasimi i shpenzimeve është i dhimbshëm. Një aparat bazë skanimi CT kushton rreth 200.000 euro. Me koston e “Operacionit Shqipëria”, qeveria italiane mund të kishte blerë 620 skanerë në vit, ose 29 për çdo rajon, duke ulur ndjeshëm listat e pritjes në sistemin publik shëndetësor.
Pavarësisht dekreteve të reja mbi “vendet e sigurta”, dërgimi i emigrantëve në Gjadër mbetet një proces që bllokohet vazhdimisht nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë. Ky ngërç e kthen qendrën në një “ishull juridik” ku paratë rrjedhin pa ndalur, por asnjë dëbim nuk finalizohet.
Në këto kushte, kjo strukturë po shërben thjesht si një skenografi e shtrenjtë politike, si një model ideologjik që po përplaset me realitetin e ligjeve ndërkombëtare, duke e lënë Italinë me një faturë të kripur dhe asnjë zgjidhje për problemin e emigracionit të paligjshëm./Përshtati Pamfleti nga “Il Fatto Quotidiano”
Qeshni ju qeshni por Gjadri do jete gozhte Nastradini o të mjere.