Ja ku konsiston asistenca e huaj në SPAK...
Urdhri ekzekutiv i Donald Trump për të ndërprerë asistencën e huaj ka shkaktuar gëzim të madh në Shqipëri.
Mes shumë institucioneve që preken nga ky urdhër në vendin tonë, është edhe Prokuroria e Posaçme, struktura që i ka terrorizuar të gjithë, si majtas dhe djathtas. Letra e ambasadës që njoftonte bllokimin e fondeve për 90 ditë i ekzaltoi të gjithë, pasi mamuthët e korrupsionit mendojnë se ja hodhën, tani nuk ka se kush t’i arrestojë.
Por çfarë asistence ofron SHBA në SPAK dhe a dëmtohet puna e saj? “Pamfleti” ka bërë një verifikim të të dhënave të SPAK lidhur me buxhetet dhe rezulton se në financat e strukturës ka zero para të huaj. Pra të gjitha shpenzimet financiare të SPAK janë të financuara nga buxheti i shtetit. Kjo do të thotë se ndërprerja e fondeve nga amerikanët nuk dëmton financiarisht strukturën.
Në raportin vjetor të vitit 2023 (për vitin 2024 nuk ka dalë akoma), SPAK ka dhënë detaje të imtësishme mbi të gjithë asistencën e huaj, përfshirë organet e SHBA dhe ato të BE. Ashtu dhe siç e deklaroi SPAK në një reagim për mediat pak ditë më parë, ato që do të preken nga ky financim janë projektet mbëshetëse të SPAK.
Për të qenë më të qartë, SHBA përmes OPDAT dhe ICITAP ka atashuar ekspertë në SPAK, të cilët asistojnë kryesisht në hartimin e udhëzimeve, drafteve, projekteve por dhe japin asistencë teknike në çështje të caktuara. Kjo padyshim që do të krijojë vështirësi në punën e SPAK, por nuk do të thotë se lufta ndaj korrupsionit do të ndalojë.
Pas 90 ditësh, me shumë mundësi fondet do të zhbllokohen, pasi qëllimi i urdhrit ekzekutiv është që të ndalohen fondet për projekte që nuk i shërbejnë SHBA. Pra do të bllokohen fondet për shumë shoqata a projekte që janë të kota. OPDAT varet drejtpërdrejt nga Departamenti i Drejtësisë dhe me shumë mundësi asistenca teknike nuk do të preket.
Por edhe nëse fondet bllokohen totalisht, siç mundtë shihet dhe më poshtë, SPAK mbështetet edhe nga shumë agjenci të tjera, sidomos nga BE. Pra të korruptuarit kot gëzohen, ata që tashmë kanë rënë në rrjetën e SPAK nuk ja hedhin dot.
Ja ku konsiston asistenca e huaj në SPAK
Misioni OPDAT është përfshirë në rishikimin e legjislacionit të drejtësisë kriminale, trajnimin e prokurorëve, gjyqtarëve, oficerëve të policisë, në dhënien e pajisjeve për zbatuesit e ligjit dhe dhënia e ndihmës teknike që synon vendosjen e strukturave më efektive të zbatimit të ligjit. Ky misioni me anë të Këshilltarëve Ligjorë të Përhershëm, gjatë periudhës që nga krijimi e në vazhdim, ka ofruar ekspertizë dhe asistencë të bazuar në çështje konkrete për prokurorët në veçanti, por edhe më gjerë në sistemin e drejtësisë dhe në ndihmën për marrëdhëniet e kësaj prokurorie ndërkombëtarisht, me synimin për ta ndihmuar në luftën e saj kundër krimit ndërkombëtar, korrupsionit dhe terrorizmit.
Programi Ndërkombëtar i Asistencës për Trajnimet për Hetimet Kriminale ICITAP, është një program i cila ka si synim zhvillimin dhe ngritjen e kapaciteteve të zbatimit të ligjit, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. ICITAP edhe gjatë vitit 2023, ka mbështetur Byronë Kombëtare të Hetimit duke organizuar një sërë trajnimesh të specializuara për përmirësimin e kapaciteteve hetimore, si dhe ka mbështetur të gjithë strukturën e Prokurorisë së Posaçme, me mjete logjistike, pajisje elektronike Softëare, sisteme informatike etj. Një tjetër projekt, i cili ka operuar dhe ka dhënë ndihmesën, në punën e Prokurorisë së Posaçme deri më fund të muajit Maj 2023, ishte projekti në kuadër të marrëveshjes “IPA 2019/Lufta kundër Krimeve të Rënda në Ballkanin Perëndimor”, i përfaqësuar nga Qendra për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar, Mbretëria e Hollandës. Ky projekt u fokusua në forcimin e kapaciteteve operacionale të autoriteteve ligj zbatuese dhe atyre të sigurisë të Ballkanit Perëndimor, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Mbështetja operacionale, konsistoi në ndihmën për strukturat e SPAK që në raste konkrete hetimore, janë përfshirë në skuadra të përbashkëta hetimore (JIT) me vendet e tjera evropiane nëpërmjet koordinimit, këshillimit dhe mbështetjes logjistike. Projekti ka organizuar dhe ka mbështetur disa takime operacionale, në Shqipëri dhe jashtë vendit, mes prokurorëve të SPAK dhe homologëve të tyre nga vendet e rajonit, si dhe vendet dhe agjencitë e BE-së etj., gjithashtu ky projekt ka dhënë ndihmën në forcimin e kapaciteteve të autoriteteve ligjzbatuese dhe atyre të sigurisë të Ballkanit Perëndimor, në shkëmbimin e informacionit (Ndërveprimi i Sistemeve të Informacionit).
Projekti EU4FOCAL, i financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programi të asistencës IPA 2020, “Lufta kundër Krimit të Organizuar në Shqipëri nëpërmjet Hetimit Penal dhe atij Financiar”, vijon të mbështesë SPAK edhe për vitin 2023, i cili është përfshirë në draftimin e një manuali mbi hetimin e pastrimit të parave dhe konfiskimit të pasurive me prejardhje kriminale. Ky projekt ka kryer një sërë aktivitetesh në mbështetje të këtij qëllimi, duke krijuar një grup pune me prokurorë nga Prokuroria e Përgjithshme, përfaqësues të SPAK dhe ekspertë ndërkombëtar. Projekti EU4LEA është një projekt asistencë teknike i financuar nga BE me një mundësi për të ofruar pajisje, i projektuar për të mbështetur dhe ndihmuar agjencitë kryesore të zbatimit të ligjit shqiptar në veçanti Policinë e Shtetit Shqiptar, Ministrinë e Brendshme, SPAK (Prokurorinë e Posaçme dhe BKH), Prokurorinë e Përgjithshme, përfshirë ato të Juridiksionit të Përgjithshëm, në arritjen e objektivave të tyre dhe përafrimin e performancës së tyre me standardet më të mira të BE-së. Objektivi i përgjithshëm i projektit EU4LEA është të kontribuojë në fuqizimin e zbatimit të ligjit në Shqipëri. Objektivat specifike të projektit EU4LEA janë: 1) Përmirësimi i performancës të Policisë së Shtetit Shqiptar (PSHSH), SPAK-ut (Prokuroria e Posaçme dhe BKH), Prokurorisë të Përgjithshme dhe agjencive përkatëse në luftën kundër krimit të organizuar/krimit të rëndë, korrupsionit në nivele të larta dhe krimit mjedisor dhe 2) Përmirësimi i Menaxhimit të Integruar të Kufirit Kombëtar.
Projekti EU4FAST (Mbështetje për Parandalimin dhe Luftimin e Kontrabandës së Emigrantëve dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore në Ballkanin Perëndimor). Qëllim i këtij projekti është përmirësimi i kushteve për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës së emigrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore në Ballkanin Perëndimor. Ky projekt synon të forcojë aftësinë e autoriteteve ligjzbatuese dhe gjyqësore të Ballkanit Perëndimor për të luftuar kontrabandën e imigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, aftësinë e aktorëve të zbatimit të ligjit të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar me Shtetet Anëtare, dhe aktorët e zbatimit të ligjit jo anëtarë në BE në aktivitetet që lidhen me kontrabandën e imigrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, të forcojë kapacitetin e autoriteteve kufitare të Ballkanit Perëndimor për të parandaluar dhe luftuar kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore në përputhje me standardet e BE-së dhe të drejtat e njeriut.
Projekti WBCJ Western Balkan Criminal Justice (Drejtësia Penale e Ballkanit Perëndimor) Eurojust për dy dekadat e fundit ka ofruar mbështetje dhe ndihmë operacionale për shtetet anëtare të BE-së, me fokus të veçantë në lehtësimin e bashkëpunimit gjyqësor. Projekti i Drejtësisë Penale të Ballkanit Perëndimor (ËBCJ) u zhvillua për të shtrirë këtë mbështetje operacionale për partnerët e Ballkanit Perëndimor, edhe në rastet kur asnjë vend i BE-së nuk është i përfshirë drejtpërdrejt. Qëllimi i Projektit ËBCJ është të forcojë bashkëpunimin brenda Ballkanit Perëndimor dhe midis rajonit dhe Bashkimit Evropian në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, duke përdorur mjete dhe instrumente moderne. Pajisja e partnerëve të Ballkanit Perëndimor me mjetet dhe metodat e punës të bashkëpunimit gjyqësor të BE-së - si takimet e koordinimit, qendrat koordinuese dhe Skuadrat e Përbashkëta Hetimore (SPH) - është thelbësore për rezultatin e suksesshëm të hetimeve ndërkufitare.
Projekti Holandez MATRA “Strengthening the SPO” (forcimi i Prokurorisë së Posaçme), ka si synim kryesor dhënien e rekomandimeve për forcimin e Prokurorisë së Posaçme në aspekte të ndryshme të organizimit të saj dhe funksioneve mbështetëse më të mira, rritjen e uniformitetit të proceseve të punës duke u fokusuar kryesisht në lehtësimin e punës së prokurorëve, nëpërmjet stafit administrativ, hetuesve dhe ndihmësve ligjorë. Në kuadër të së cilit është zhvilluar edhe një vizitë studimore me qëllim shkëmbimin e eksperiencave lidhur me funksionimin e prokurorive homologe dhe agjencive ligjzbatuese në Holandë, duke sugjeruar gjithashtu edhe për ndryshime apo nisma të reja ligjore për këtë qëllim. /Pamfleti
Lini një Përgjigje