TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shkurt 2025, 11:10

Zhvendosja e palestinezëve, Turqia del kundër: Plani i Trump për Gazën është i papranueshëm

Shkruar nga Pamfleti
Zhvendosja e palestinezëve, Turqia del kundër: Plani i Trump për
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan

Turqia ka dalë kundër planit amerikan për Gazën.

Kryediplomati turk kritikoi të mërkurën propozimin e presidentit amerikan, Donald Trump që Shtetet e Bashkuara të marrin Rripin e Gazës dhe të zhvendosin palestinezët në vende të tjera.

“Kjo është një çështje e papranueshme”, tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, për agjencinë zyrtare të lajmeve Anadolu.

Ai tha se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza ishte diçka që “as ne dhe as rajoni nuk mund ta pranojmë”.

“Është e gabuar edhe ta sjellësh atë për diskutim”, shtoi ai.

Presidenti Donald Trump u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të merrnin kontrollin e Rripit të Gazës pasi palestinezët të zhvendoseshin diku tjetër.

Kjo lëvizje do të mund të shkatërronte angazhimin dhjetëra vjeçare politik të Shteteve të Bashkuara ndaj konfliktit izraelito-palestinez.

Presidenti Trump njoftoi planin e tij të befasishëm, pa dhënë hollësi specifike, gjatë një konference të përbashkët për shtypin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

Njoftimi pasoi propozimin tronditës të zotit Trump më herët të martën për zhvendosjen e përhershme të palestinezëve nga Gaza në vendet fqinje, duke e quajtur Rripin e Gazës, “një zonë të shkatërruar”.

"Shtetet e Bashkuara do të marrim kontrollin e Rripit të Gazës dhe ne do të bëjmë një punë të mirë atje", tha Presidenti Trump në konferencën për shtypin. "Ne do të marrim përgjegjësinë në atë zonë dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera atje."

"Nëse është e nevojshme, ne do ta bëjmë këtë, ne do ta marrim atë pjesë, do ta zhvillojmë, do të krijojmë mijëra vende pune dhe do të jetë diçka me të cilën mbarë Lindja e Mesme mund të jetë krenare”, shtoi Presidenti Trump.

I pyetur se kush do të jetonte atje, Presidenti Trump tha se Rripi i Gazës mund të bëhet një shtëpi për "njerëzit e botës".

palni i trump për gazën turqia

Lini një Përgjigje