![]()
Presidenti Donald Trump ka njoftuar se dhjetëra mijëra dosje të mëparshme sekrete të FBI-së për vrasjen e ish-presidentit John F. Kennedy në vitin 1963 do të publikohen ditën e nesërme.
Publikimi i pasdites së së martës do të shfaqë rreth 80,000 faqe dhe Trump tha se i urdhëroi zyrtarët e tij që të mos redaktojnë dosjet "shumë interesante" gjashtë dekada të vjetra.
"Ju keni lexuar shumë. Nuk besoj se do të redaktojmë ndonjë gjë. Unë i thashë, thjesht mos redaktoni. Nuk mund të redaktoni. Por ne do të publikojmë dosjet e JFK. Ata e kanë pritur këtë për dekada. Dhe unë thashë gjatë fushatës se do t'i publikoj, dhe unë jam një njeri i fjalës sime. Kështu që nesër ju do keni dosjet e JFK", tha Trump.
Presidenti i SHBA-së, urdhëroi më 23 janar deklasifikimin e të gjitha dosjeve qeveritare në lidhje me vrasjet e ish-Kenedit, vëllait të tij, senatorit Robert F. Kennedy dhe ikonës së të drejtave civile, Rev. Martin Luther King, Jr.
Urdhri i Trump thotë se publikimi i dokumenteve qeveritare që kanë të bëjnë me vrasjet e burrave, të cilat kanë ndodhur të gjitha më shumë se 60 vjet më parë, është "në interesin publik".
Një ligj i vitit 1992 urdhëroi publikimin e të gjitha dosjeve që kishin të bënin me vrasjen e JFK deri në vitin 2017, por i lejoi presidentët të parandalonin shpërndarjen e tyre publike nëse vërtetonin se publikimi i tyre do të kishte krijuar një dëm të identifikueshëm ndaj mbrojtjes ushtarake, operacioneve të inteligjencës, zbatimit të ligjit ose sjelljes së marrëdhënieve me jashtë që tejkalonte interesin publik.
Trump në mandatin e tij të parë, dhe më pas ish-presidenti Joe Biden gjatë gjithë kohës në detyrë, e shtynë vazhdimisht publikimin e tyre.
FBI zbuloi kohët e fundit 2,400 të dhëna të pazbuluara më parë në lidhje me atentatin, të gjetura brenda 14,000 faqeve të dokumenteve gjatë një shqyrtimi të shkaktuar nga urdhri ekzekutiv i Presidentit Trump në janar 2023 për të publikuar të gjitha dosjet e vrasjes së JFK.
Të dhënat, të cilat nuk iu dorëzuan Bordit të Shqyrtimit të Dokumenteve të Vrasjeve të JFK ose Arkivit Kombëtar, mund të përmbajnë detaje kritike rreth hetimit që u mbajtën sekret për dekada.
Lini një Përgjigje