
Sipas Rojës Bregdetare, migrantët humbën orientimin dhe mbetën për 6 ditë pa ushqim dhe ujë
Një tragjedi e rëndë u zhvillua në zonën detare të Ierapetrës, ku 22 emigrantë humbën jetën. Nga operacioni i shpëtimit i Rojës Bregdetare u nxorën 26 persona, ndërsa sipas dëshmive të të mbijetuarve, edhe 22 të tjerë humbën jetën gjatë udhëtimit disa-ditor.
Sipas informacioneve nga Roja Bregdetare, migrantët humbën orientimin dhe mbetën për 6 ditë pa ushqim dhe ujë. Si pasojë, nga rreth 48 persona që ndodheshin në bord, 22 vdiqën në det dhe më pas, me urdhër të trafikantëve, trupat e tyre u hodhën në det.
“Gjatë orëve të mesditës më 26-3-2026, Autoritetet Portuale të Ierapetrës dhe Kalon Limenon u njoftuan nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit (EKSED) e Rojës Bregdetare greke, për të ofruar ndihmë ndaj një mjeti lundrues në vështirësi me shtetas të huaj në bord, në zonën detare 52 milje detare në jug të Ierapetrës.
Në zonë mbërriti një anije e FRONTEX, e cila identifikoi gomonen dhe shpëtoi njëzet e gjashtë (26) shtetas të huaj (24 burra, 1 grua dhe 1 i mitur), të cilët u transportuan me ndihmën e anijes ‘ELENI’ N.P. 2097 në portin e Kalon Limenon.
Më pas, të mbijetuarit u transportuan, nën shoqërimin e njësive të Misioneve Speciale (KEA) të Autoritetit Qendror Portual të Heraklionit dhe të Policisë së Faistos, në portin e Heraklionit, ndërsa dy prej tyre u dërguan me ambulancë të EKAB në Spitalin Universitar të Përgjithshëm të Heraklionit dhe në Spitalin e Përgjithshëm ‘Venizelio’, për trajtim mjekësor", thuhet në një njoftim zyrtar nga autoritetet greke.
Sipas dëshmive të emigrantëve që u shpëtuan, mjeti lundrues ishte nisur në orët e mbrëmjes të datës 21.03.2026 nga zona e Tobrukut në Libi me destinacion Greqinë. Nga hetimi paraprak rezultoi se në bord kishin hipur fillimisht gjithsej 48 persona.
Gjatë udhëtimit, pasagjerët humbën orientimin dhe qëndruan për 6 ditë në det pa ujë dhe ushqim. Sipas deklarimeve të të mbijetuarve, 22persona humbën jetën për shkak të kushteve të vështira dhe trupat e tyre u hodhën në det me urdhër të njërit prej trafikantëve.
Për transportin drejt Greqisë, shtetasit e huaj paguan shuma prej 1.000.000 taka të Bangladeshit, 10.000 dollarë amerikanë dhe 12.000 dinarë libianë.
Nga Autoriteti Qendror Portual i Heraklionit, që po kryen hetimet paraprake, u identifikuan dy shtetas të huaj (nga Sudani i Jugut), të moshës 19 dhe 22 vjeç, si trafikantë të të tjerëve dhe u arrestuan për shkelje të nenit 83 të ligjit 3386/2005 “Hyrje e paligjshme në vend”, të nenit 25 të ligjit 5038/2023 “Lehtësim”, dhe të nenit 45 të Kodit Penal “Bashkëpunim”, si dhe për shkelje të neneve 45 (bashkëpunim), 306 (ekspozim me pasojë vdekjen) dhe 302 (vrasje nga pakujdesia) të Kodit Penal.”
Lini një Përgjigje