
Sulmi me 'dy mjete ajrore pa pilot' ka goditur portin e Salalah në Oman, duke lënë të plagosur një punëtor të huaj dhe ka shkaktuar dëme materiale.
Sipas Agjencisë së Lajmeve të Omanit, e cila citon burime sigurie, një vinç në zonën portuale është dëmtuar gjatë incidentit. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje mbi autorët apo arsyet e mundshme të sulmit.
Qeveria e Omanit reagoi duke dënuar ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si një akt armiqësor dhe theksoi se "është angazhuar për të marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë në vend".
“Sulltanati i Omanit përsërit dënimin e tij të fortë të këtyre sulmeve armiqësore dhe pohon angazhimin e tij për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të ruajtur sigurinë e kombit dhe për të siguruar sigurinë e të gjithë individëve në tokën e tij. Një punëtor është plagosur në një sulm me dron në portin Salalah të Omanit, ndërsa një vinç pësoi dëme të kufizuara", thuhet në reagim.
Ngjarja ndodh në një moment të ndjeshëm rajonal, ku Omani ka pasur rol ndërmjetësues në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Iranit. Megjithatë, së fundmi, zyrtarë të lartë të vendit kanë shprehur kritika ndaj politikës së jashtme amerikane dhe zhvillimeve në rajon.
Hetimet për zbardhjen e plotë të incidentit janë ende në vijim, ndërsa nuk është konfirmuar nëse sulmi lidhet me tensionet aktuale gjeopolitike.
Lini një Përgjigje