Ata vlerësojnë se veprimet e tij, përfshirë nxitjen për largimin e Republikës Sërpska nga Marrëveshja e Dejtonit, rrezikojnë drejtpërdrejt stabilitetin rajonal
Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley, Roger Wicker, Dick Durbin, Thom Tillis dhe Elizabeth Warren, së bashku me kongresmenët Mike Turner dhe Ann Wagner, i kanë dërguar një letër sekretarit të shtetit Mark Rubio dhe ministrit të financave Scott Bessent, duke i bërë thirrje administratës që të vendosë sanksione ndaj ish-presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, dhe bashkëpunëtorëve të tij, për shkak të, siç theksojnë, aktiviteteve të vazhdueshme që cenojnë integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ligjvënësit paralajmërojnë se retorika secesioniste e Dodikut, koordinimi me aktorë të huaj dhe përpjekjet për të minuar Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit përbëjnë rrezik për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor në një moment të ndjeshëm. Ata gjithashtu i kërkojnë administratës të zbatojë sanksionet e reja të parashikuara në Ligjin për Mbrojtjen për vitin fiskal 2026, siç është publikuar në faqen e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit të SHBA-së.
Në letër theksohet se vendimi i mëparshëm i administratës për të hequr sanksionet ndaj Dodikut e ka inkurajuar më tej sjelljen e tij dhe ka dëmtuar besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në rajon.
“Po ju drejtohemi me shqetësim për shkak të veprimeve, retorikës dhe operacioneve të ndikimit të huaj të ish-presidentit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik, dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilat kanë implikime serioze për integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës”, thuhet në letër.
Ligjvënësit rikujtojnë se Dodik më 9 janar 2026 mori pjesë në shënimin e Ditës së Republikës Sërpska, pavarësisht vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ata theksojnë se veprimet e Dodikut, përfshirë përpjekjet për tërheqjen e Republikës Sërpska nga kuadri i Dejtonit dhe nxitjen e ndarjeve, rrezikojnë drejtpërdrejt stabilitetin rajonal, si dhe vënë në dukje kontaktet e tij me aktorë të huaj me qëllim promovimin e pavarësisë.
Sipas tyre, aktivitetet e autoriteteve të Republikës Sërpska, përfshirë angazhimin e lobistëve për të siguruar mbështetje për pavarësinë, mund të konsiderohen bazë për vendosjen e sanksioneve në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit amerikan për Mbrojtjen, i cili parashikon masa ndaj individëve që rrezikojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Ligjvënësit gjithashtu i kërkojnë administratës të rishqyrtojë provat që më herët kanë çuar në vendosjen e sanksioneve ndaj Dodikut, përfshirë dyshimet për korrupsion.
“Në interes të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara është që aktorët që përpiqen të minojnë më shumë se tre dekada paqe të arritur me vështirësi të mbahen përgjegjës përpara se të ndodhë një destabilizim më i madh”, thuhet në letër.
Dodik ishte i sanksionuar nga SHBA gjatë administratës Biden, por në tetor të 2025-ës, administrata Trump, e nxorri nga “lista e zezë”, ndërsa Dodik u tërhoq nga funksionet që mbante. Ish-presidenti i Republikës Sërpska, Dodik, dhe 48 individë dhe kompani u hoqën nga lista e zezë e Departamentit të Thesarit të SHBA-së më 29 tetor. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje