
Skandali i lidhjeve me Jeffrey Epstein ka prodhuar dorëheqjen e parë në majë të qeverisë britanike. Morgan McSweeney, shefi i kabinetit të kryeministrit Keir Starmer, njoftoi sot largimin nga detyra, duke marrë mbi vete përgjegjësinë për një vendim që tashmë konsiderohet gabim i rëndë politik.
Downing Street konfirmoi se pas dorëheqjes së McSweeney, Jill Cuthbertson dhe Vidhya Alakeson janë emëruar si shefe të përkohshme të stafit të kryeministrit. Të dyja kanë shërbyer më parë si zëvendëse të përbashkëta të McSweeney-t, përpara shpërthimit të skandalit.
Sipas "Sky News", largimi i McSweeney lidhet drejtpërdrejt me emërimin e Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara, një vendim që u mor vitin e kaluar dhe që tashmë është kthyer në barrë për qeverinë Starmer. Mandelson u përfshi në polemika pas zbulimeve për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, financierin e dënuar për pedofili.
Në deklaratën e tij publike, McSweeney pranoi hapur përgjegjësinë politike.
“Vendimi për të emëruar Peter Mandelson ishte i gabuar. Ai ka dëmtuar partinë tonë, vendin tonë dhe besimin në vetë politikën”, thuhet në reagimin e tij. Më pas, ai thekson: “Kur më pyetën, e këshillova Kryeministrin të bënte atë emërim dhe marr përgjegjësi të plotë për këtë këshillë”.
Dorëheqja e McSweeney vjen në një moment kur qeveria laburiste përballet me presion të shtuar për transparencë dhe llogaridhënie, ndërsa çështja Epstein vazhdon të nxjerrë pasoja politike edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Deputetë laburistë, sipas mediave britanike, kishin shprehur prej kohësh pakënaqësi për emërimin e Mandelson, duke e konsideruar një rrezik të panevojshëm për qeverinë.
Largimi i shefit të kabinetit nuk e mbyll krizën për Keir Starmer, por e zhvendos atë drejtpërdrejt në zyrën e kryeministrit. Skandali Epstein, përmes figurës së Mandelson, ka goditur besimin në vendimmarrjen e qeverisë dhe ka ekspozuar koston politike të një emërimi që tani përshkruhet si “i gabuar” edhe nga vetë arkitekti i tij.
Lini një Përgjigje