Morgan McSweeney, shefi i kabinetit të kryeministrit britanik Keir Starmer, ka dhënë dorëheqjen sot, mes një vale presioni politik brenda Partisë Laburiste.
"Sky News" raporton se largimi i McSweeney lidhet drejtpërdrejt me rolin e tij në përzgjedhjen e Peter Mandelson si ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara. Sipas deputetëve laburistë, McSweeney mbante përgjegjësinë kryesore për këtë emërim, i cili ka kthyer në problem politik për qeverinë Starmer.
Peter Mandelson, ish-ministër dhe ish-ambasador, u shkarkua nga detyra në shtator të vitit të kaluar. Megjithatë, ai është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të dosjeve të Jeffrey Epstein. Dokumentet sugjerojnë se Mandelson ka zhvilluar biseda me Epstein dhe i ka ndarë atij informacione konfidenciale për çështje qeveritare, gjatë kohës që mbante postin e sekretarit të biznesit.
Këto zbulime kanë rritur ndjeshëm presionin mbi kryeministrin Keir Starmer dhe kanë vënë në pikëpyetje serioze gjykimin e tij politik për emërimin e Mandelson në postin më të lartë diplomatik të vendit.
Dorëheqja e McSweeney shihet nga burime politike në Londër si përpjekje për të frenuar dëmin politik, ndërsa çështja Mandelson vijon të prodhojë pasoja për udhëheqjen e re laburiste.
Lini një Përgjigje