Familja mbretërore e Norvegjisë po përballet me një goditje të fortë reputacioni, pasi publikimi i detajeve të reja dosja Epstein ka nxjerrë në dritë komunikime mes sulmuesit seksual dhe princeshës trashëgimtare Mette-Marit.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Mette-Marit ka shkëmbyer email-e të shpeshta me Epstein, të cilin në disa mesazhe e përshkruante si “i dashur”, “me zemër të mirë” dhe “shumë tërheqës”. Vetë princesha ka pranuar më pas se ka treguar “gjykim të dobët”.
Pallati mbretëror reagoi duke deklaruar se Mette-Marit “tërhiqet në mënyrë të prerë nga abuzimet dhe veprat kriminale të Epstein” dhe se ajo “nuk e kuptoi më herët çfarë njeriu ishte”.
Në një deklaratë publike, princesha kërkoi falje duke thënë se: “Mesazhet mes meje dhe Epstein nuk përfaqësojnë personin që dua të jem. Kërkoj falje për situatën ku kam vendosur Familjen Mbretërore”.
Skandali ka nxitur reagime të forta në opinionin publik. “Besimi tek princesha trashëgimtare ka rënë ndjeshëm”, deklaroi korrespondentja mbretërore Tove Taalesen, duke shtuar se pasiguria po rritet.
Presioni u shtua edhe nga politika. Kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre deklaroi se Mette-Marit ka treguar “gjykim të dobët”, një ndërhyrje e rrallë ndaj një anëtareje të familjes mbretërore.
Situata rëndohet më tej nga fakti se disa organizata bamirëse dhe kulturore kanë njoftuar ndërprerjen ose rishqyrtimin e bashkëpunimit me Mette-Marit, duke argumentuar se lidhjet me Epstein janë “të rënda dhe shqetësuese”.
Në një moment kur mbreti Harald V është 88 vjeç dhe Princi Haakon vepron shpesh si regjent, skandali ka hapur për herë të parë debatin publik nëse Mette-Marit duhet të bëhet mbretëreshë. Analistët vlerësojnë se zbulimet kanë goditur rëndë figurën e saj dhe kanë dobësuar seriozisht besimin që ajo kishte ndërtuar ndër vite.
Lini një Përgjigje