Ndërhyrja e kryeministrit ishte tipike për Starmer, një rikthim i kujdesshëm te procedurat, por njëkohësisht edhe një demonstrim force jo karakteristik për të…
Ekziston një shprehje e vjetër për garat e lidershipit: “Nëse qëllon ndaj Mbretit, më mirë mos e humb shënjestrën”. Por askush nuk priste që sinjali i nisjes të jepej pikërisht ndaj Charles III. Pikërisht në momentin kur monarku po lexonte Fjalimin e Mbretit në parlament të mërkurën, aleatë të Wes Streeting, ministrit të Shëndetësisë, hodhën një bombë politike duke lënë të kuptohej se ai pritet të sfidojë Keir Starmer këtë javë. “Po, është e pashmangshme”, tha një prej tyre.
Koha e zgjedhur tronditi deputetë edhe nga vetë krahu i Streeting. Një ministër kabineti deklaroi se “pasi dështoi me grushtin e tij kamikaz, Wes tani ka minuar secilin prej kolegëve të tij dhe ka treguar mungesë respekti ndaj Mbretit.” Tom Baldwin, biografi i Starmer, e akuzoi Streeting se po “errësonte” platformën politike të qeverisë dhe po “luante lojëra të Westminsterit”.
Një ditë më parë, deputetë dhe ministra që mbështesnin ministrin e Shëndetësisë kishin dalë hapur duke kërkuar dorëheqjen e Starmer, por vetë Streeting dukej i pavendosur nëse duhej të hidhej në garë. Burime të brendshme thonë se aleatët e tij ishin të ndarë gjatë së martës. Njëri prej tyre e përshkroi përçarjen si konflikt mes “njerëzve të vjetër të Wes”, që dyshonin nëse ai kishte një plan real për të fituar, dhe “radikalëve fraksionistë” nga think-tanku ultra-blairist Progress, që e shtynin të “kapte momentin”.
Një aleat thotë se “Kryeministri hyri në kabinet dhe mendoi: ‘e dini çfarë? Në djall të venë këta njerëz'”.
Një ish-këshilltar i Downing Street e krahasoi Streeting me “një nga ata gjeneralët e Luftës së Parë Botërore” që “dërgon miqtë e tij të sulmojnë, ndërsa vetë qëndroi në kështjellë”. Një ministër kabineti tha se “është si Duka i Madh i York-ut që i çon njerëzit përpjetë kodrës dhe pastaj i zbret sërish. Ka një grup ministrash që, besoj, kanë dhënë dorëheqjen me premtimin se do të marrin poste prej tij. Mund të presin gjatë”.
Megjithatë, të mërkurën në mëngjes, pasi Streeting më në fund zhvilloi një takim kokë më kokë me Starmer që zgjati vetëm 16 minuta, ai vendosi të veprojë.
“Wes nuk e duroi kurrë faktin që nuk ishte ai që shpëtoi Partinë Laburiste dhe fitoi zgjedhjet, por Keir dhe ekipi i tij”, tha një burim i lartë laburist, duke shtuar “sapo hymë në qeveri, ai nisi të komplotojë, duke menduar se gjithçka do t’i binte në dorë”.
Megjithatë, Streeting nuk do ta ketë të lirë rrugën drejt Starmer. Një burim nga Downing Street tha se “Ed po organizohet gjithashtu.” Bëhet fjalë për Ed Miliband, ish-liderin e Labour dhe ministrin e Energjisë, i cili tani mund të duhet të mbajë shpresat e krahut të majtë të partisë. Ndërkohë, vetë Starmer “nuk po shkon askund”, sipas një aleati të afërt.
Në fillim të javës nuk ishte aspak e sigurt nëse Starmer do të qëndronte ende në detyrë për t’i rezistuar ndonjë sfide. Për disa çaste të martën në mëngjes, në sallën e kabinetit në Downing Street, portreti i Robert Walpole priste pasardhësin e tij të 57-të si kryeministër. “Të gjithë ishin ulur rreth tavolinës, por kishte një vend bosh, i vetmi me mbështetëse krahu”, kujton një ministër. Kur Starmer u ul, pak veta e dinin çfarë do të thoshte.
“Ai kishte atë që do ta quaja një qetësi të fortë, një vendosmëri prej çeliku”, shtoi ai.
Starmer mbajti “një fjalim mjaft të shkurtër”, duke pranuar se rezultatet e zgjedhjeve lokale ishin të këqija, por duke paralajmëruar se, në një kohë kur kostot e huamarrjes shtetërore po rriteshin, trazirat në lidership do të kishin “një kosto reale ekonomike për vendin dhe familjet”. Ai kaloi shpejt te rregullat e partisë. “Partia ka një proces për sfidimin e liderit dhe ai proces nuk është aktivizuar”, tha ai.
Një ministër kujton se “të gjithë e dinim se kjo i drejtohej një personi në sallë”. Të gjithë kthyen sytë nga Streeting.
Pak para nisjes së mbledhjes, deputeti i 81-të laburist kishte dalë hapur duke kërkuar që Starmer të largohej ose të caktonte datën e dorëheqjes së tij. Por rregullat parashikojnë që për të nisur një garë për lidershipin, 81 deputetë duhet të mbështesin një kandidat të vetëm të emëruar dhe ky prag nuk ishte arritur.
Ndërhyrja e kryeministrit ishte tipike për Starmer, një rikthim i kujdesshëm te procedurat, por njëkohësisht edhe një demonstrim force jo karakteristik për të. Sepse, sipas ministrave dhe këshilltarëve, Starmer kishte qenë shumë pranë dorëheqjes të hënën në mbrëmje. Aleatët e tij në kabinet, Richard Hermer, Prokurori i Përgjithshëm, dhe Steve Reed, ministri i Strehimit, besonin se ai po kërkonte një mënyrë dinjitoze për t’u larguar.
“Nuk njoh askënd që të ketë dalë nga ato biseda duke menduar se ai po rezistonte”, tha një burim i njohur me diskutimet. “Keir po vendoste si do të largohej, jo nëse do të largohej”. Një tjetër aleat i Starmerit në kabinet pranoi: “Situata dukej shumë e brishtë”. Sipas një këshilltari ministror: “Ai ishte pranë dorëheqjes, por pastaj Garda Pretoriane u mblodh rreth tij”.
Pika e kthesës erdhi pas një informacioni të publikuar në media të hënën pasdite, sipas të cilit ministrat Shabana Mahmood, Yvette Cooper dhe John Healey kishin shkuar në Downing Street për t’i kërkuar Starmerit të shpallte një kalendar largimi. Starmer “u tërbua”. Megjithatë, rrëfimi ishte në disa pika thelbësore i pasaktë.
Ndërsa Cooper dhe Healey nuk ishin optimistë për të ardhmen afatgjatë të Starmerit, ata këmbëngulën se nuk kishin kërkuar caktimin e një date largimi. Ministri i Mbrojtjes i kërkoi kryeministrit të vazhdonte drejtimin gjatë krizës së menjëhershme, pjesërisht sepse më 7 korrik mbahet samiti i NATO-s. “Të gjitha mendimet e Keir dolën nga dritarja sapo doli pretendimi se kabineti ishte kthyer kundër tij. Sepse në atë pikë do të dukej sikur e kishin nxjerrë zvarrë”, tha një burim i lartë.
Edhe në orën 08:00 të mëngjesit të së martës, ministrat thonë se pozita e Starmer nuk ishte e konsoliduar. Darren Jones, sekretari kryesor pranë kryeministrit, kaloi mëngjesin në intervista televizive duke thënë se Starmer “po dëgjonte kolegët”, duke lënë të kuptohej se mund të shpallte një kalendar largimi.
Por ndërsa Jones fliste në studio, Starmer po zhvillonte një telefonatë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, ku vendosi “të rezistonte”. Një aleat thotë: “Kryeministri hyri në kabinet dhe mendoi: ‘E dini çfarë? Nuk do të ndodhë. Do të luftoj'”.
Ndërhyrja e Starmer ndaloi për disa orë vrullin kundër tij, para se të rifillonin dorëheqjet ministrore me Jess Phillips dhe Alex Davies-Jones. Më pas dha dorëheqjen edhe ministri i Shëndetësisë Zubir Ahmed, aleat i Streeting. /Përshtati "Pamfleti" nga The Spectator
Lini një Përgjigje