TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Maj 2026, 14:58

Kryeministri grek paralajmëron nga Gjermania: Jemi në moment kritik, Evropa rrezikon të ardhmen e saj

Shkruar nga Pamfleti
Kryeministri grek paralajmëron nga Gjermania: Jemi në moment kritik,
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis ka dhënë disa mesazhe të forta politike gjatë ceremonisë së ndarjes së Çmimit Charlemagne në Aachen, ku u nderua ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi.

Ai paralajmëroi se Evropa ndodhet në një moment kritik dhe rrezikon të humbasë rolin e saj vendimmarrës në skenën globale.

Në fjalimin e tij, Mitsotakis tha se Bashkimi Evropian përballet me sfida që lidhen me konkurrueshmërinë, inovacionin dhe varësinë nga vendet e treta. Sipas tij, pa investime në teknologji dhe zhvillim strategjik, fuqia e Evropës do të dobësohet.

Kryeministri grek e cilësoi Evropën si një projekt politik dhe historik që është ndërtuar mbi zgjedhje të përbashkëta, pavarësisht dallimeve mes vendeve anëtare. Ai theksoi se uniteti evropian kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe lidership me përgjegjësi.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua Mario Draghi dhe rolit të tij gjatë krizës së borxhit në eurozonë. Mitsotakis kujtoi deklaratën historike të ish-kreut të BQE-së për mbrojtjen e euros, duke e konsideruar atë vendimtare për stabilitetin financiar të Evropës.

Ai nënvizoi se Greqia ishte një nga vendet që u godit më fort nga kriza ekonomike dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen që, sipas tij, figura si Mario Draghi, Jean-Claude Trichet dhe Jacques Delors i dhanë vendit në atë periudhë.

Mitsotakis foli edhe për çështjen e sigurisë evropiane, duke deklaruar se një Evropë që nuk është në gjendje të mbrojë veten nuk mund të konsiderohet plotësisht sovrane. Ai tha se siguria nuk lidhet vetëm me mbrojtjen ushtarake, por edhe me energjinë, infrastrukturën, institucionet dhe zinxhirët e furnizimit.

Në këtë kuadër, ai kërkoi që klauzola e ndihmës së ndërsjellë e Nenit 42(7) të Bashkimit Evropian të zbatohet në mënyrë më efektive, në mënyrë që mbrojtja kolektive të ketë rol real në praktikë.

Kryeministri grek mbështeti gjithashtu idenë e huamarrjes së përbashkët evropiane për të financuar objektivat strategjikë të Unionit, veçanërisht në sektorin e mbrojtjes. Sipas tij, ambiciet politike të BE-së duhet të mbështeten nga një buxhet më i fortë.

Në përfundim të fjalës së tij, Mitsotakis theksoi se Evropa duhet të ruajë besimin tek vetja dhe aftësia për të marrë vendime të mëdha në momente të vështira historike.

mitsotakis kryeministri grek paralajmëron nga gjermania evropa rrezikon të ardhmen

Lini një Përgjigje