
Presidenti kinez Xi Jinping ka organizuar një darkë shtetërore madhështore për Donald Trump në Pekin, ku në qendër të vëmendjes ishte edhe menuja e përzgjedhur me kujdes për presidentin amerikan dhe delegacionin e tij.
Sipas listës së publikuar për gazetarët që shoqërojnë Trumpin, të ftuarve iu servirën disa prej pjatave më të njohura të kuzhinës kineze, të kombinuara edhe me shije më të afërta për preferencat e presidentit amerikan.
Menuja përfshinte “brinjë viçi krokante”, “rosë të pjekur”, “perime sezonale të ziera” dhe “bukë derri të skuqura në tigan”.
Në tryezë nuk munguan as “karavidhet në supë domatesh” dhe “salmoni i gatuar ngadalë në salcë mustardë”, ndërsa për ëmbëlsirë u servirën tiramisu dhe akullore.
Rosa e pjekur, në Pekin konsiderohet një nga pjatat simbol të kryeqytetit kinez, ndërsa buka e skuqur me mish derri është një specialitet tradicional i rajoneve juglindore të Kinës, veçanërisht në Shangai.
Darka u pa jo vetëm si një moment protokollar, por edhe si një tjetër shfaqje simbolike e diplomacisë kineze, ku ushqimi dhe ceremonia u përdorën për të theksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes Pekinit dhe Uashingtonit.
Lini një Përgjigje