TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Maj 2026, 20:01

Spastrimi që po trondit Kinën: një ushtri e re po merr formë

Shkruar nga Pamfleti
Spastrimi që po trondit Kinën: një ushtri e re po merr formë
Xi Jinping me gjeneralët

Xi Jinping po promovon oficerët që rrjetet e mëparshme i kishin mbajtur në hije

Më 8 prill, Komisioni Qendror Ushtarak (CMC) i Kinës zhvilloi një sesion trajnimi për “korrigjim” për oficerët e mbetur të lartë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore (PLA). Kryetari Xi Jinping mbajti fjalimin hapës, ndërsa në podium, në Universitetin Kombëtar të Mbrojtjes në Pekin, ndodhej vetëm një koleg: Zhang Shengmin.

Kreu i inspektimit disiplinor të CMC-së, përveç Xi-së, ishte i vetmi anëtar i organit më të lartë ushtarak, pasi dy nga gjeneralët më të fuqishëm u vunë nën hetim në janar.

Shumë analiza e kanë interpretuar këtë skenë si një ritual pastrimi, një hap tjetër në fushatën dhjetëvjeçare të Xi për të garantuar kontrollin e plotë të Partisë mbi ushtrinë. Përmbajtja e fjalimit, që u kërkonte oficerëve të ruanin “pastërtinë dhe lavdinë e forcave të armatosura të popullit”, mbështet këtë ide. Megjithatë, elementi më domethënës atë ditë nuk ishte fjalimi, por mënyra se si ishin ulur t֝ë pranishmit. Në sesione të ngjashme më parë, rreshti i parë mbushej plotësisht me gjeneralë të gradave më të larta; këtë herë, aty ndodheshin vetëm dy, të shoqëruar nga gjeneralë me gradë më të ulët.

Gjatë 18 muajve të fundit, Xi ka shpërbërë dy nga rrjetet më të fuqishme brenda ushtrisë kineze. Për shkak të mungesës së transparencës në PLA, këto rrjete identifikohen nga analistët përmes historikut të karrierës dhe lidhjeve të përbashkëta të shërbimit. I pari ishte i ashtuquajturi “fraksioni i Fujianit”, i ndërtuar nga oficerët, me të cilët Xi kishte krijuar lidhje gjatë viteve 1985–2007.

Ky rrjet përfshinte He Weidong dhe Miao Hua, i cili, si drejtues i Departamentit të Punës Politike, kishte kontrolluar për gati një dekadë dosjet e personelit të pothuajse të gjithë oficerëve të lartë. Miao u pezullua në nëntor 2024 dhe u zhduk në pranverën pasuese. Në tetor 2025, ai dhe He u përjashtuan nga Partia dhe ushtria, së bashku me shtatë gjeneralë të tjerë të lidhur me këtë rreth.

Rrjeti i dytë, i lidhur me strukturën tradicionale të forcave tokësore dhe i përqendruar rreth nënkryetarit të CMC-së Zhang Youxia dhe shefit të shtabit Liu Zhenli, u godit në janar. Hetimi ndaj tyre shënoi kulmin e një vale spastrimesh që e ka lënë pothuajse bosh nivelin aktiv të gjeneralëve. Shumë brenda sistemit e konsideronin Zhang të mbrojtur për shkak të përvojës së tij luftarake dhe lidhjeve familjare me elitën politike, por zhvillimet treguan se përkatësia në cilindo nga këto rrjete ishte një rrezik.

Interpretimi i zakonshëm është se Xi po instalon figura besnike, të përzgjedhura për besueshmëri politike në një mjedis ndërkombëtar gjithnjë e më sfidues. Ky shpjegim nuk është i pasaktë, por mbetet i pamjaftueshëm. Edhe figurat e spastruara ishin zgjedhur mbi këtë kriter. Para hetimeve, pak kush do t’i konsideronte ata të pabesueshëm. Në teori, Xi mund t’i nënshtrojë të gjithë oficerët një verifikimi të ri besnikërie, por koha është e kufizuar. Ai është i lidhur me objektivin për të ndërtuar një ushtri “të klasit botëror” deri në vitin 2027. Një komandë e rrënuar nuk mund ta përmbushë këtë qëllim. Për këtë arsye, ai ka filluar ta rindërtojë strukturën sipas një modeli më të thjeshtë.

Në të gjithë strukturat kryesore të CMC-së dhe komandat rajonale, rreth 20 poste të larta drejtohen aktualisht nga gjeneralë me gradë më të ulët në mënyrë të përkohshme. Për shkak të mungesës së zëvendësuesve me përvojë dhe afateve kohore, shumica pritet të konfirmohen në këto poste. Pothuajse të gjithë kanë një tipar të përbashkët: karrierat e tyre janë zhvilluar jashtë kontrollit të rrjeteve të spastruara. Me fjalë të tjera, Xi po promovon oficerët që më parë ishin mbajtur në hije nga gjeneralët e mëparshëm.  Megjithatë, kjo zgjedhje ka pasoja të mundshme.

Oficerëve të sigurtë politikisht, u mungon prestigji, besimi dhe përvoja që kërkon lufta moderne e përbashkët. Brezi që pritet të marrë konfirmimin mund të jetë njëkohësisht më pak i përgatitur për konfliktet që po planifikohen.

Promovimet e Xi po mbështeten kryesisht në dy burime. I pari është struktura e inspektimit disiplinor, një degë brenda sistemit të punës politike, e cila tani ka fituar ndikim të gjerë në komandë. Zhang Shengmin, tashmë nënkryetar i CMC-së, ka ndërtuar karrierën në këtë fushë. Bashkëpunëtorë të tij po marrin role kyçe në organizimin dhe mbikëqyrjen e ushtrisë. Komisarët politikë të përkohshëm të ushtrisë dhe forcave ajrore vijnë gjithashtu nga kjo strukturë dhe raportojnë drejtpërdrejt te ai.

Burimi i dytë është një grup oficerësh të forcave ajrore që tani po drejtojnë funksione thelbësore operative. Disa prej tyre mbajnë poste kyçe në qendrën e komandës së operacioneve të përbashkëta, në trajnim dhe në logjistikë. Edhe komandantë të rinj të teatrove ushtarake vijnë nga forcat ajrore, duke thyer traditën ku këto poste mbaheshin nga forcat tokësore.

Këta oficerë lidhen me trashëgiminë e gjeneralit Xu Qiliang, i cili promovoi rolin e operacioneve të përbashkëta dhe fuqisë ajrore gjatë reformave ushtarake. Pas daljes së tij në pension, ky grup mbeti pa mbështetje në nivelet e larta dhe avancimi i tyre u ndal. Ata nuk u larguan nga sistemi, por karrierat e tyre u stopuan deri në spastrimin e rrjeteve rivale.

Një shembull ilustrues është krahasimi mes dy oficerëve që arritën gradën e gjeneralit në periudha të ndryshme, pavarësisht se kishin përparim të ngjashëm fillestar. Njëri u promovua shpejt falë lidhjeve me rrjetet dominante, ndërsa tjetri, i lidhur me forcat ajrore, u desh të priste disa vite dhe të kalonte në disa poste përpara se të arrinte të njëjtin nivel, vetëm pasi rrjetet rivale u shpërbënë.

Në tërësi, modeli i promovimeve pas spastrimeve është i qartë: si oficerët e inspektimit disiplinor, ashtu edhe ata të forcave ajrore kanë një histori të përbashkët: ata kaluan vite duke parë se promovimet u shkonin të tjerëve. Xi nuk ka ndërtuar një elitë të re nga e para, por ka ngritur në detyrë ata që ishin lënë pas dore.

Ky interpretim sugjeron se burimi i talenteve në ushtrinë kineze nuk ishte aq i kufizuar sa dukej; ai ishte thjesht i mbuluar nga strukturat e mëparshme të pushtetit. Me afrimin e përvjetorit të 100-të të PLA-së, pritet që konfirmimet zyrtare të favorizojnë oficerët që mund të dëshmojnë se kanë qenë jashtë rrjeteve të vjetra, jo vetëm besnikë ndaj rendit të ri.

Megjithatë, mbetet një pyetje thelbësore: a do të funksionojë ky grup në kushte presioni operacional? Oficerët e forcave ajrore kanë kaluar vite në pritje të avancimit, ndërsa ata të strukturave disiplinore kanë punuar kryesisht në mbikëqyrje, jo në operacione luftarake. Asnjëra nga këto përvoja nuk garanton përgatitjen që kërkohet në luftë.

Kjo mungesë nuk shfaqet në kohë paqeje, por bëhet e dukshme në situata lufte. Mbetet për t’u parë nëse komandantët e forcave tokësore do t’i binden drejtuesve me karrierë në forcat ajrore, apo nëse komandantët operacionalë do të bashkëpunojnë plotësisht me komisarë politikë që kanë kaluar karrierën duke mbikëqyrur kolegët e tyre.

Duke promovuar oficerët që gjeneralët e mëparshëm kishin bllokuar, Xi Jinping ka krijuar një komandë ushtarake politikisht të sigurt. Por mbetet e paqartë nëse kjo komandë do të jetë në gjendje të veprojë në mënyrë të bashkërenduar në një konflikt të vërtetë. /Përshtatur nga ForeignPolicy/

 

kina xi jinping gjeneralët

Lini një Përgjigje