TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Mars 2026, 09:28

Si po i shfrytëzon krizat globale Erdogan për të forcuar autokracinë në Turqi?

Shkruar nga Bulent Mumay
Si po i shfrytëzon krizat globale Erdogan për të forcuar
Presidenti turk Erdogan

Presidenti turk përdor luftën me Iranin për të ruajtur pushtetin, ndërsa shtyp opozitën dhe median

Luftërat, krizat rajonale dhe tronditjet ndërkombëtare ndikojnë pa dyshim negativisht në mbarë botën. Demokracitë pësojnë regres dhe ekonomia dobësohet. Në Turqi, pasojat e këtyre zhvillimeve negative ndihen veçanërisht fort. Kjo sepse Erdogan përdor çdo krizë për të qeverisur në mënyrë më autoritare dhe për të rritur presionin ndaj shoqërisë.

Ai e krahasoi protestën më të madhe kundër qeverisë së tij, kryengritjen e Gezi Parkut në vitin 2013, me valën e protestave të “Pranverës Arabe”, duke e cilësuar si një “kryengritje të nxitur nga jashtë”. Protestat u shtypën me forcë të tepruar. Edhe luftën civile në Siri, e cila u përshkallëzua pak më vonë, Erdogan e përdori si mjet, veçanërisht kundër Perëndimit. Fluksin e refugjatëve ai e shfrytëzoi si mjet presioni dhe zbuti kritikat ndërkombëtare ndaj hapave të tij autoritarë. Erdogan shpesh luan me balancat ndërkombëtare të fuqisë; edhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës i shërbeu atij. Ai mbajti marrëdhënie me të dyja palët dhe njëkohësisht forcoi kontrollin brenda vendit.

Edhe lufta me Iranin, e nisur me sulmet e Izraelit dhe SHBA-së, mund të kthehet në një mundësi për Erdoganin, por një rrezik i madh për demokracinë në Turqi. Rritja e rëndësisë gjeopolitike të vendit mund të dobësojë kritikat nga Perëndimi, duke përshpejtuar kështu dobësimin e demokracisë. Në planin e brendshëm, kjo luftë i ofron qeverisë një mundësi për të zhvendosur vëmendjen nga ekonomia dhe problemet e brendshme drejt çështjeve të sigurisë dhe perceptimit të një kërcënimi të jashtëm. Kjo mund të nxisë mobilizimin rreth qeverisë dhe t’i ndihmojë regjimit të rikuperojë mbështetjen e humbur.

Megjithatë, Erdogan e di se këto rrethana nuk janë të mjaftueshme për të garantuar fitore në zgjedhjet e ardhshme. Aktualisht, regjimi nuk është në gjendje të krijojë konsensus shoqëror dhe për këtë arsye mbështetet në represion dhe në përdorimin e sistemit të drejtësisë për të mbijetuar.

Siç dihet, rivali i tij më i fortë, Ekrem İmamoglu, u arrestua një vit më parë me akuza për korrupsion. Arrestimi ndodhi një ditë pasi diploma universitare e fituar prej tij 31 vite më parë u anulua, një kusht ky për kandidimin presidencial. Kundër tij janë hapur më shumë se dhjetë procese dhe kërkohen mijëra vite burg në total. Ndërkohë, partia më e madhe opozitare përballet me rrezikun e ndalimit. Regjimi nuk ndalet këtu; ai përdor drejtësinë për të goditur të gjithë kritikët, qofshin studentë, artistë, gazetarë apo sindikalistë.

Një këngëtare e njohur u hetua pasi deklaroi në një koncert: “ne do ta ndryshojmë këtë kohë për mirë”, çka u interpretua si sulm ndaj rendit kushtetues. Ndërkohë, gjashtëmbëdhjetë studentë u hetuan sepse kishin dekoruar pemë në kampusin universitar para Vitit të Ri. Grevat, megjithëse janë të garantuara me ligj, janë ndaluar prej vitesh me arsyetimin e “sigurisë kombëtare”. Së fundmi, u arrestua edhe një drejtues sindikate, pasi kërkoi llogari për një aksident të rëndë në punë.

Gazetarët kritikë mbeten ndër viktimat kryesore të sistemit të drejtësisë. Ata janë arrestuar vazhdimisht me akuza për anëtarësim në organizata terroriste ose për fyerje të presidentit. Ligji kundër “dezinformimit”, i miratuar katër vite më parë, është përdorur për të heshtur median, pavarësisht premtimeve se nuk do të prekte aktivitetin gazetaresk. Që nga viti 2022, çdo raportim që nuk i pëlqen qeverisë mund të ndiqet penalisht si “përhapje e informacionit të rremë”. Rreth njëqind gazetarë janë përballur me gjykata dhe disa janë arrestuar.

Rasti më i fundit është ai i gazetarit Ismail Arı nga gazeta opozitare “BirGun”. Ai u burgos për një reportazh mbi fondacione të lidhura me Erdoganin dhe familjen e tij. Arı kishte zbuluar skandale të rëndësishme, përfshirë shitjen e çadrave për viktimat e tërmetit dhe raste abuzimi në sekte fetare. Ai kishte marrë kërcënime me vdekje dhe ishte nën mbrojtje policore, por megjithatë u arrestua nga autoritetet.

Ndërkohë, media pranë qeverisë nuk përballet me pasoja nga ligji për dezinformimin. Pas arrestimit të İmamoglut, ajo publikoi një sërë lajmesh të pavërteta, të cilat më pas u përgënjeshtruan. Megjithatë, ndaj autorëve të këtyre raportimeve nuk u mor asnjë masë ligjore.

Këto zhvillime tregojnë një përdorim selektiv të ligjit dhe një përpjekje të vazhdueshme për të kontrolluar narrativën publike në Turqi. /Përshtatur nga FAZ/

 

erdogan autokraci turqi

1 Komente

  1. P
    POSTA SHQIPONJA

    Erdogani është politikisht i mbaruar. Fizikisht ai ka pak kohë për të ecur. E përgatit të birin, por djali i tij nuk ishte në gjendje të fshihte dollarët në kutitë e këpucëve! Opozita do të "ngulë gozhdën e fundit në arkivol" në zgjedhjet e vitit 2027. Dhe turqit do të kthehen në klubin e demokracisë së BE-së. Për çfarë autokracie po flisni?

    Lini një Përgjigje